Sorensen takohet me Vuçiqin në Beograd, në fokus dialogu Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar sot një takim në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kjo vizitë erdhi pas asaj që Sorensen kishte realizuar në fillim të muajit gusht në Prishtinë, ku kishte biseduar me udhëheqësit kosovarë lidhur me procesin e dialogut.
Sipas tij, qëllimi i takimeve mbetet i njëjtë – përgatitja e terrenit për raundet e ardhshme të bisedimeve.
“Pas vizitës sime në Prishtinë në fillim të gushtit, sot isha në Beograd për bisedime përgatitore përpara takimeve të ardhshme të Dialogut. I dëgjova me kujdes bashkëbiseduesit e mi dhe theksova rëndësinë e normalizimit për hir të njerëzve në terren”, u shpreh Sorensen.
Ende nuk është bërë e ditur se kur do të mbahet takimi i radhës mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.



















































