Sophia Loren, Gina Lollobrigida dhe beteja për të qenë “gruaja më e bukur në botë”

Nga: Alexander Larman / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ylli i madh i kinemasë italiane, Sofia Loren [Sophia Loren], sigurisht që është e njohur për karrierën e saj në ekran përgjatë shtatë dekadave. Por, ajo është po aq e famshme edhe për adhurimin që ka ngjallur te shumë prej partnerëve të saj në film. Omar Sharif pranoi se - pas bashkëpunimit në film - e kishte fantazuar lakuriq. Clark Gable rrëfeu se kishte “mendime të papërshtatshme” për Sofinë e bukur, pasi luajtën së bashku në dramën tashmë të harruar të vitit 1960, Filloi në Napoli [It Started In Naples].
Ndërkohë, Cary Grant ishte përballë saj në epikën e vitit 1957, Krenaria dhe pasioni [The Pride and the Passion], por fillimisht u tmerrua nga kjo ide duke thënë: “O Zot! Doni që të luaj me këtë Sofia dikushin, me këtë vajzë seksi? Nuk mundem dhe nuk do ta bëj”.
Por, mendimi i tij ndryshoi sapo e takoi personalisht, dhe të dy nisën një lidhje dashurie: shumë më tepër nga ajo çfarë arriti Peter Sellers kur luajti me të në komedinë romantike problematike të vitit 1960, Milionerët [The Millionairess]. Sellers vendosi se ai dhe aktorja italiane ishin të lindur për njëri-tjetrin, dhe ndonëse ajo nuk ia ktheu ndjenjat, ai i tha gruas së vet, Ann Howe, dhe fëmijëve, se do t’i braktiste për të. Kur vajza e tij e vogël, Sarah, e pyeti nëse ende e do familjen, ai u përgjigj: “Sigurisht që po, e dashur, por jo aq sa Sofia Lorenën”!

Sofia Loren, një divë e pakrahasueshme dhe ndoshta gruaja e fundit e gjallë nga Epoka e Artë e Holivudit, tani ka një sezon të ri filmash dedikuar asaj në BFI [Instituti Britanik i Filmit]. Por, është e lehtë të harrohet se ajo nuk ka qenë gjithmonë e dashur kaq shumë - të paktën, jo nga koleget e saj të shquara të kinemasë italiane.
Kur Cary Grant e takoi për herë të parë Lorenën, nuk ngurroi të bëjë shaka me të - dhe batuta që përdori mund të ketë prekur një nerv të ndjeshëm. Në kujtimet e saj të vitit 2015, Dje, sot, nesër: Jeta ime [Yesterday, Today, Tomorrow: My Life], Sofia rrëfeu se Grant iu prezantua kështu: “Më zgjati dorën, duke më parë pak si keq: ‘Zonjusha Lolloloren, apo jo? Apo është Zonjusha Lorenixhida? Ju italianët keni mbiemra kaq të çuditshëm, nuk arrij t’i mbaj mend’”!

Kjo ishte një referencë e qartë dhe me humor ndaj yllit tjetër të madh të kinemasë italiane të asaj kohe, po aq e bukur, Xhina Lolobrixhid [Gina Lollobrigida] e cila ishte shtatë vjet më e vjetër se ajo dhe që e kishte nisur karrierën në filmat italianë dhe ndërkombëtarë pak vite më parë.
Të dyja konkurronin për titullin “gruaja më e bukur në botë”, një përshkrim të cilin secila e kishte fituar në një moment apo një tjetër, dhe e ruanin me shumë kujdes për aq sa mundnin.
Midis dyjave kishte filluar një zënkë që do të bëhej famëkeqe, megjithëse të dy ato pohonin - herë pas here - se ishte thjesht një fantazi e sajuar për marrëdhënie me publikun ose, më qesharakeja, se ishte tjetra që vazhdonte me këtë për të ruajtur praninë e saj në titujt e lajmeve.

Në një nga fotografitë e rralla ku shfaqen së bashku, realizuar në vitin 1954, gjuha e trupit tregon qartësisht se asnjëra nuk e shijoi praninë e tjetrës. Veçanërisht Lolobrixhida ka një shprehje në fytyrë që tregon se do të kishte preferuar të ishte diku tjetër në atë moment.
Fotografia u bë gjatë Festivalit të Filmit Italian në Londër, në praninë e Mbretëreshës Elizabeth II. Lorena mori vëmendjen më të madhe të mediave, falë veshjes së saj.
Të dy gratë patën sukses të ndjeshëm në fillim të karrierës, por kishte dallime në nivelin e famës dhe të vlerësimeve që morën. Lolobrixhida nënshkroi një kontratë ekskluzive shtatëvjeçare me mogulin Howard Hughes (i cili, siç pritej, ishte mahnitur prej saj), por përfshirja e saj në kinemanë anglishtfolëse mbeti relativisht e kufizuar në krahasim me reputacionin që gëzonte në Itali.

Ajo u shfaq në filmat si Godite djallin [Beat the Devil] i John Hustonit, si dhe luajti përkrah një Errol Flynnit të rrënuar - në përpjekjen e tij për të ringjallur karrierën si aventurier - në Shpatat e kryqëzuara [Crossed Swords]. Role më të rëndësishme përfshijnë dramën me tematikë cirku Trapezi [Trapeze] dhe Gungaçi i Notre Damit [The Hunchback of Notre Dame].
Megjithatë, lavdia dhe vlerësimet më të mëdha i erdhën nga projektet në gjuhën italiane. Ajo u nominua për çmimin Bafta për rolin në filmin e vitit 1953, Bukë, dashuri dhe ëndrra [Pane, amore e fantasia]. Çmimet e tjera e ndoqën gjatë dekadës, dhe Lolobrixhida shijoi famën si eksporti më i njohur italian dhe më i dashur - pas shpagetave.
Kjo nuk u prit mirë nga Lorena, gjithmonë ambicioze, e lindur si Sofia Scicolone e cila kishte filluar karrierën si modele - dhe me shumë sukses. Në moshën 15-vjeçare, ajo u takua me Carlo Pontin, që ishte anëtar jurie, në një konkurs bukurie ku ajo po konkurronte. Edhe pse Ponti, atëherë 37 vjeç, nuk ishte ndonjë bukurosh, ai ishte sa duhet karizmatik dhe inteligjent për të kuptuar se e reja Scicolone kishte potencial të madh në industrinë e filmit - nëse ai do ta skaliste atë. Ai ia ndryshoi emrin në versionin më të shqiptueshëm, Sophia Loren, e inkurajoi të mësonte anglisht dhe të zbuste theksin e saj të fortë napolitan.

Pavarësisht nga e vërteta e prejardhjes së saj familjare, nën përkujdesjen e Pontit ajo arriti të krijojë një imazh tërheqës, me një sensualitet të spikatur. Deri në moshën 21-vjeçare ajo kishte luajtur në më shumë se 25 filma, duke u bërë prani e pandashme në kinemanë italiane. Ndoshta e nxitur nga Ponti, ajo vendosi të sfidonte vetë mbretëreshën, Lolobrixhidën, duke i thënë shtypit evropian se ishte më e bëshme në gjoks - “më gjoksmadhe” - se aktorja më e vjetër.
Lolobrixhida u përgjigj me shpejtësi, duke deklaruar se ajo ishte në gjendje të luante rolin e një fshatareje, ndërsa Sofia nuk mund të përfaqësonte bindshëm një aristokrate. “Ne jemi aq të ndryshme sa një kalë fisnik gare dhe një dhi”, u ankua ajo para një gazetari.
Këto thumbime duket se e kanë prekur Lorenën pasi, më vonë në karrierë, ajo befas kujtoi se babai i saj - një inxhinier hekurudhash pa shumë sukses - ishte me prejardhje fisnike, çka supozohej t’i jepte të drejtën të quhej “Vikontesha e Pozuolit, Zonja e Kasertës”.
Përplasja kaloi shpejt nga ana personale në atë profesionale, kur Lorena zëvendësoi Lolobrixhidën në vazhdimin e komedisë së suksesshme romantike të vitit 1953, Bukë, dashuri dhe ëndrra - pasi aktorja më e vjetër kishte kërkuar një pagesë më të lartë. Si shenjë vlerësimi për hijeshinë e Lorenës, filmi u xhirua në ngjyra, në vend të bardhë e zi.
Situata u përkeqësua kur Sofia arriti një sukses më të madh ndërkombëtar - sesa Lolobrixhida – kur më 1960 fitoi një çmim Oscar dhe çmimin për Aktoren më të Mirë në Festivalin e Kanës për atë që ndoshta konsiderohet si interpretimi i saj më i mirë - në filmin Dy gra [La ciociara].
Ky film, një dramë lufte krejtësisht joglamuroze, me regji të Vittorio De Sicas, e paraqet Lorenin si një t; ve që përpiqet të kujdeset për vajzën e saj 12-vjeçare. Kulmi i filmit ndodh kur të dyja përdhunohen nga një grup ushtarësh brenda një kishe - një refuzim i guximshëm nga ana e Lorenit i seksualitetit që kishte mishëruar që në fillim të karrierës, duke ofruar një interpretim tronditës. “Mendova se ia vlente ta merrja rrezikun në moshën 25-vjeçare, për të luajtur një grua më të madhe në moshë, sepse historia ishte aq e bukur”, tha ajo më vonë.

Lolobrixhida nuk bëri asnjë koment publik mbi çmimet e saj në atë kohë, por ndoshta nuk ishte rastësi që ajo loboi për të luajtur rolin e motrës së Napoleon Bonapartit, Paulinës, në biopikun e vitit 1962, Venera perandorake [Venere Imperiale], me shpresën për të tërhequr të njëjtën vëmendje.
Ajo fitoi dy çmime të rëndësishme italiane - Nastro d’Argento dhe David di Donatello - por, asnjëherë nuk arriti të fitonte një Oscar apo një trofe në Kanë. Ndërkohë, Sofia gëzonte një status të lartë si yll i kinemasë së Holivudit, duke u shfaqur në role kryesore në epikat si El-Sidi [El Cid], Rënia e Perandorisë Romake [The Fall of the Roman Empire] dhe në komedinë-triler me stil hiçkokian, Arabeska [Arabesque].
Pozita e saj ishte aq e fortë, saqë kur u përzgjodh përballë Marlon Brandos në filmin e dështuar të vitit 1967 - me regji të Charlie Chaplinit - Një konteshë nga Hong-Kongu [A Countess from Hong Kong], ajo arriti t’ia tregonte vendin edhe yllit më famshëm të metodës së aktrimit.

Siç rrëfen vetë Loren: “Një ditë ... ai papritur zgjati dorën dhe më kapi. U rrotullova menjëherë dhe, me qetësi, i pëshpërita në fytyrë si një mace kur e ledhaton mbrapsht: ‘As mos provo. Mos e bëj kurrë më’. Teksa hodha një nga shikimet e mia më përçmuese, papritur e pashë se sa i vogël dhe i pafuqishëm ishte në të vërtetë - thuajse viktimë e një aure që ishte ndërtuar rreth tij”. Me përçmim, ajo e quajti Brandon “një njeri në siklet me vetveten dhe me botën”.
Karriera e Lorenit vazhdoi me ngritje-ulje, përfshirë edhe një periudhë të shkurtër burgu në fillim të viteve ‘80 të shekullit XX - për evazion fiskal: aty u trajtua - me shumë kujdes - si mbretëreshë nga të burgosurat dhe rojat dhe incidenti nuk ndikoi në popullaritetin e saj të madh. Në vitet më të vona, ajo dhe Lolobrixhida u fotografuan bashkë vetëm një herë: në një ngjarje në vitin 1988, në Los Anxhelos, në nder të Michael Jacksonit.
Megjithatë, Lolobrixhida vazhdoi me mllefin dhe në vitin 2015 dha një intervistë për Vanity Fair ku përpiqej të përforconte idenë se ajo ishte vërtet e para mes të barabartave. “O Zot! Ajo dhe agjentët e saj të shtypit e nisën këtë ‘rivalitet’ me mua - dhe ajo nuk ka reshtur për 50 vjet”. deklaroi Lolobrixhida.
“Për mua ishte një gjë shumë e mërzitshme ... Jemi të ndryshme. Kemi bërë karriera krejt të ndryshme. Më shumë se çdo gjë tjetër, unë doja të isha artiste. Doja një karrierë në një nivel të lartë”.

Ndonëse e kishin akuzuar Lorenën se ishte e fiksuar pas publicitetit, aktorja më e re nuk bëri asnjë koment. Kështu që nuk ishte e habitshme që, dy vite më vonë, Lolobrixhida vazhdoi ende ta mbante ndezur këtë rivalitet.
Ajo i tha gazetës italiane Corriere della Sera: “Nuk kam kërkuar asnjëherë rivalitet me askënd: unë isha numri një” - dhe, në një thumbim të qartë ndaj Sofisë dhe producentit Ponti, ajo tha: “Unë kam arritur gjithçka falë vetes time, pa ndihmën e asnjë producenti. Gjithçka bëra vetë”.
Megjithatë, kur Lolobrixhida ndërroi jetë në vitin 2023, Sofia Loren pati mundësinë të thotë fjalën e fundit, duke deklaruar se ishte “thellësisht e tronditur dhe e pikëlluar” nga vdekja rivales së dikurshme. Me këtë, ajo tregoi një madhështi shpirtërore në fund të një përplasjeje që vazhdimisht mungonte - nga të dyja palët - ndërkohë që vazhdonte. /Telegrafi/

















































