LAJMI I FUNDIT:

Sony befason me makinën e parë që mbushet me rrymë

Sony befason me makinën e parë që mbushet me rrymë

Koncepti Vision-S, i ka befasuar të gjithë në CES

Në aktivitetin e CES që ka filluar dje në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara, janë pritur të shihen pajisjet më të fundit teknologjike, nga prodhues të ndryshëm, transmeton Telegrafi.

Derisa të gjithë pritnin se Sony do të sjellë PlayStacion 5, u befasuan kur ky prodhues shfaqi makinën e parë që mbushet me rrymë, për të cilën kishte punuar në qetësi për një kohë të gjatë.

Vision-S është koncepti i parë nga Sony, që pritet të jetë bazë për makinat elektrike që mund t’i sjellë në të ardhmen, me të cilat edhe mund të rivalizojë me Tesla.

Meqenëse i përket një prodhuesi që ka zhvilluar teknologji të avancuara, kjo makinë ka ekrane me rezolucione të larta dhe teknologji ndjeshmërie, si dhe softuerin për telekomunikim Sony Al.

Sikur në Tesla edhe Vision-S, mund të përditësohet nga larg, duke bërë që përdorimi të jetë shumë më i lehtë.

Zhvillimi i kësaj makine është bërë në bashkëpunim me Nvidia, Continental, Bosch, ZF dhe Qualcomm, si dhe platforma e ndërtimit u krijua nga Magna Steyr, kompani që i punoi Toyota Supra dhe BMW Z4.

Janë dy motorë, që së bashku prodhojnë 536 kuaj fuqi, duke i mundësuar që shpejtësinë nga zero deri në 100 kilometra në orë ta zë për 4.8 sekonda.

Raportohet se Sony Vision-S do të ketë 33 sensorë të ndryshëm, për të pasur siguri maksimale, derisa nuk është bërë e ditur autonomia apo niveli i vet vozitjes. /Telegrafi/