LAJMI I FUNDIT:

Socrealizmi binte ndesh me ligjet e letërsisë

Socrealizmi binte ndesh me ligjet e letërsisë

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, në prag të 85-vjetorit të lindjes, ka mbajtur një takim me të rinjtë e klubit letrar të Kavajës. Gjatë bisedës me ta, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit, ai ju përgjigj pyetjeve mbi të gjitha veprat e tij letrare duke nisur nga “Pallati i ëndrrave”.

Shkrimtari i njohur tha se “letërsia e ka të vërtetën me vete dhe sinqeritetin po ashtu”.


“Kur është letërsi e mirë them, ajo ka sinqeritetin në vetvete. Ju flisni për ‘Pallatin e ëndrrave’ që është shkruar në kulmin e diktaturës dhe duhet të ishe shumë i cekët të mos e kuptoje se kishte të bënte e regjimin që jetonim ne”, tha ai.

Duke folur për letërsinë e të shkruarin gjatë regjimit komunist, ai foli për thyerje të ligjeve të shenjta.

“Letërsia ka ligjet e veta, që janë të shenjta e që shpesh shkojnë kundër ligjeve të jetës dhe kundër autoritarizmit shtetëror. Realizmi socialist binte ndesh me ligjet e letërsisë dhe po t’i bindeshe mësimeve të partisë ishte të vije duart në kokë”, tha Kadare.

I pyetur nga të rinjtë për poezitë e tij dhe veçanërisht për poezinë ku i drejtohet Pushkinit, ai duke kujtuar vitet studentore rrëfeu ndihmën që kërkonte nga poeti rus.

”Ajo është një poezi që në mënyrë metaforike i jam drejtuar Pushkinit për ndihmë. Doja ndihmë që të ruaja idetë e mia nga ato që dëgjoja në leksione; doja ndihmë të shpëtoja nga parullat e propaganda”, tha ai.

Gjatë takimit me të rinjtë,  Kadare si rrallëherë foli edhe për lumturinë: ”Lumturia është e pagjendshme, e paarritshme. Ndonjëherë jemi të lumtur dhe e kuptojmë më vonë, sidomos kur shkruajmë letërsi”.

Kohët më të vështira për çiftin Ismail e Helena Kadare, kanë qenë ato të botimeve të “Dimrit te madh” , “Pashallarëve të kuq” dhe “Pallatit të ëndrrave” . Sipas Helena Kadaresë, pas “Pallatit të ëndrrave” ata kaluan një torturë.

Në këtë 85-vjetor një lajm i mirë vjen nga Franca ku një produksion ka blerë të drejtat e librit me kujtime të Helenës, “Kohë e pamjaftueshme”, për ta bërë film.

“Ju e dini që kam botuar një libër me kujtimet tona. Dhe, na kanë kërkuar të drejtat për ta bërë film në Francë. Do jetë një film artistik. Po merren me gjetjen e aktorëve tani. Sigurisht, ata e dinë si do e trajtojnë do zgjedhin vetë pjesët që duan”, tha Helena Kadare.

Takimi e të rinjtë u mbajt në Qerret, pranë shtëpisë ku prej muajsh çifti Kadare po kalon periudhën e pandemisë. /BW/