Snoop Dogg, një nga figurat më të njohura të hip-hop-it dhe kulturës pop, është emëruar trajneri i parë nderi i Ekipit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së për Lojërat Dimërore Milano Cortina 2026.

Roli i tij, i krijuar nga Komiteti Olimpik dhe Paralimpik i Shteteve të Bashkuara (USOPC), synon të sjellë frymëzim, humor dhe energji pozitive për atletët amerikanë jashtë fushës së garës.


Lajmin ai e konfirmoi përmes LinkedIn, ku u prezantua me titullin “Trajneri Snoop, Ekipi i SHBA-së”. Edhe pse pozicioni është vullnetar, ai konsiderohet një hap i veçantë nga USOPC për të fuqizuar atmosferën rreth ekipit dhe për të ngritur moralin e sportistëve që përfaqësojnë vendin në ngjarjen më të madhe të sporteve dimërore.


“Atletët e Ekipit të SHBA-së janë yjet e vërtetë”, u shpreh Snoop në një komunikatë të USOPC. “Unë jam këtu për t’i mbështetur, për t’ua ngritur moralin dhe për të sjellë pak mençuri nga stoli. Ky ekip përfaqëson zemër, talent dhe pasion. Nëse mund të shtoj pak dashuri dhe motivim, kjo është fitore për mua”.

Pjesëmarrja e tij vjen pasi u bë një nga figurat më të komentuara në Lojërat e Parisit 2024, ku shërbeu si korrespondent special për NBCUniversal.

Ai pritet ta rikthejë stilin e tij unik edhe në Milano Cortina, veçanërisht në disiplinat ku atmosfera është dinamike, si snowboarding dhe ski freestyle, ku garojnë yje si Chloe Kim dhe Red Gerard.

Me këtë rol të ri, Lojërat Olimpike Dimërore 2026 premtojnë një kombinim të sportit elitar me energjinë dhe karizmën e Snoop Dogg. Tifozët e sportit dhe muzikës janë tashmë kuriozë të shohin se çfarë do të sjellë “Trajneri Snoop” në këtë aventurë të re. /Telegrafi/