LAJMI I FUNDIT:

SKV kërkon lirimin e aktivistëve të arrestuar në Parkun e Qytetit

SKV kërkon lirimin e aktivistëve të arrestuar në Parkun e Qytetit

Organizata Studentore “Studim Kritikë Veprim” ka reaguar për masën e paraburgimit ndaj anëtarëve të kësaj organizate pasi u arrestuan të enjten mbrëma në Parkun e Qytetit pasi, sipas Policisë, pranuan shumë telefonata për zhurmë.

“Gjykata Themelore e Prishtinës sot u ka caktuar padrejtësisht gjashtë aktivistëve tonë nga 1 muaj paraburgim. Të gjashtë aktivistët, Korab Muhadri, Pajtim Demaj, Hajredin Krasniqi, Kreshnik Gega, Januz Shatri dhe Endrit Shatri, u dënuan së bashku gjithsej me gjysmë viti paraburgim, vetëm për të arsyetuar dhunën brutale të përdorur nga policia e porositur”, thuhet në reagimin e SKV-së.


Organizata më tej jep versionin e saj për natën e 12 prillit.

“Kjo masë e paraburgimit vjen pas dhunës dhe arrestimeve të studentëve aktivistë natën e 12 prillit, gjatë shënimit të 8 vjetorit të themelimit të ‘Studim Kritikë Veprim’. Në Parkun e Qytetit, rreth orës 22:00, gjatë video prezantimit të dokumentarit në aktivitetin tonë u paraqitën dy pjesëtarë të policisë të cilët kërkuan lejen dhe të ulej zëri për muzikën që po luhej. Studentët i paraqitën policisë dokumentacionin si dhe e ulën zërin duke vazhduar aktivitetin të qetë. Vetëm pak kohë më pas u paraqitën dy policë të tjerë të cilët filluan të provokonin duke ofenduar, ngritur zërin edhe duke shfaqur arbitraritetin dhe arrogancën e tyre edhe pse studentët kishin rënë tashmë dakord të grumbullonin sendet dhe të lëviznin nga parku. Edhe pse situata u qetësua disa herë, njëri prej policëve me numrin 9986, vazhdonte provokimet dhe sharjet, duke kërkuar të arrestoheshin studentët organizatorë të aktivitetit, pa kurrfarë sqarimi prapa kërkesës së tij”, thotë kjo organizatë.

“Mediat e pushtetit, siç duket qysh nga ajo natë filluan përgatitjen e skenës me shpifje, në mënyrë që vendimi nga Gjykata, pas dhunës brutale të Policisë, të ishte kaq i ekzagjeruar, për një aktivitet të thjeshtë të studentëve. Natën e 12 prillit, vetë njëri nga policët ishte deklaruar për ‘Kohën Ditore’, që nuk ishte gjetur asgjë në vendin e ngjarjes, ndërsa në anën tjetër mediat tendencioze publikonin lajme në të cilat rrejshëm përmendeshin narkotikët”, deklaron më tej SKV.

Kjo organizatë thotë se aktiviteti “para ndërhyrjes së qëllimshme të policisë, ishte i qetë”, por “ishte represioni policor ai që ndryshoi anasjelltas rrjedhën e aktivitetit”.

SKV thotë po ashtu se Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), nga intervistimi, shikimi i dosjeve policore, i evidencave mjekësore dhe observimi, ka deklaruar se “gjatë fazës së arrestimit të aktivistëve, transportimit të tyre me makina të policisë madje edhe gjatë qëndrimit në Stacionin Policor në Prishtinë, është përdorur dhunë fizike dhe ofendime si fyerje, sharje e kërcënime”.

“Ky vendim i Gjykatës është vetëm një tentativë e ulët për të mbuluar lëndimet të cilat i janë shkaktuar aktivistëve tanë”, deklaron SKV.

“Studim Kritikë Veprim” i bën thirrje Gjykatës të dënojë policët “të cilët e keqpërdoren detyrën zyrtare”, ndërsa prokurorisë “të fillojë hetimet për tejkalimet e të gjitha kompetencave dhe torturimit të studentëve nga ana e pjesëtareve të porositur të policisë”.

“Ne kërkojmë që studentët menjëherë të lirohen”, përfundon reagimi i SKV-së.

Në trend Lajme

Më shumë
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

Siguri
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Tentim-vrasja në Dragash, dhëndri plagos ish-vjehrrin jashtë objektit të gjykatës

Tentim-vrasja në Dragash, dhëndri plagos ish-vjehrrin jashtë objektit të gjykatës

Kronika e Zezë
Gjenden pa shenja jete dy personaa, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy personaa, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Plagoset një person në Dragash

Plagoset një person në Dragash

Kronika e Zezë
Kalo në kategori