LAJMI I FUNDIT:

Skënderbeu përmes 54 piktorëve

Skënderbeu përmes 54 piktorëve

“Kruja dhe Skënderbeu” quhet ekspozita e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë 54 piktorë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, të cilët kanë hedhur në telajo impresionet e tyre për Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin Skënderbeun.


“Përvjetori i sivjetshëm i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut na risjell sërish në vëmendje figurën e tij poliedrike, si strateg dhe udhëheqës i shquar, sepse figura e tij nuk mbeti vetëm si një imazh, por është futur thellë në vetëdijen dhe ndërgjegjen e popullit shqiptar. Kjo krenari e trashëguar nga mesjeta u rishfaq dukshëm në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe ka shërbyer për forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Angazhimeve të marra nga qeveria shqiptare për të kremtuar vitin 2018 si vitin e Skënderbeut, i janë bashkuar edhe 54 piktorët më të mirë nga trevat mbarëshqiptare, të cilët kanë sjellë punimet e tyre në ekspozitën ‘Kruja dhe Skënderbeu’, që përurojmë sot. Ky vit pati prurje të mëdha përsa i përket vlerësimit të figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, tha drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 6 dhjetor 2018 në ambientet e Hollit Kryesor në Muzeun Historik Kombëtar.