Nga: Eduart Caka
Abstrakt
Sot ekziston një korpus i madh botimesh mbi figurën dhe veprën e Skënderbeut, kolana e të cilit pasurohet dita ditës me botimin e artikujve, dokumenteve e studimeve te reja që hedhin dritë gjithnjë e më shumë për këtë periudhë kaq të rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Sigurisht që historiografia skënderbegiane do të ishte e mangët pa kontributin e studiuesve dhe ekoleve të huaja të cilat i kanë shtuar vazhdimisht dimensione, analiza e këndvështrime të reja studimit të Skënderbeut. Nga kjo pikëpamje, njëra ndër shkollat e cila ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në ndriçimin e kësaj periudhe është edhe historiografia turke.
Hyrje
Në vetvete, historiografia turke ka patur problematikat e saj si në aspektin ideologjik e politik, ashtu edhe në raportin me trashëgiminë osmane. Kjo, lidhet me faktin se në vitet ‘30 të shekullit të kaluar ky vend ndërmori disa reforma rrënjësore – të cilat, në historiografinë turke janë cilësuar si revolucione – që prekën kulturën, gjuhën, politikën, ekonominë, por edhe trajtimin e më pas shkrimin e historisë. Megjithatë, ky element u përket historianëve turq dhe është jashtë objektit të këtij artikulli. Ajo çka na intereson ne ka të bëjë me evidentimin e mënyrës se si është trajtuar figura dhe aktiviteti i Skënderbeut në historiografinë turke duke u përqendruar kryesisht në shek. XX.
Shteti modem turk trashëgoi arkivat e Perandorisë Osmane, një pasuri e madhe kjo jo vetëm për Turqinë, por edhe për të gjitha kombet që kishin qenë pjesë e saj për shekuj me radhë. Për më tepër, burimet arkivore i shërbenin edhe ndriçimit të historisë së gjeografive të tjera që nuk kishin qenë pjesë e shtetit osman. Kjo për faktin se osmanët patën marrëdhënie diplomatike me shumë vende të Evropës e Mesdheut, të Afrikës e Azisë së Largët. Parë nga ky këndvështrim, dokumentacioni osman që ruhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit turk paraqet rëndësi të veçantë thuajse për të gjithë historianët që merren me historinë e Kohës së Re.
Me ngritjen e institucioneve arkivore dhe nisjen e klasifikimit të dokumentacionit osman do të dilnin në dritë edhe botimet e para të studiuesve turq për periudhën osmane. Emra si Ismail Hakki Uzunçarsih, Ismail Hami Danismend, M. Tayyip Gokbilgin, Omer Liitfi Barkan, Halil Inalcik, por edhe emra të tjerë të cilët u përkasin dekadave të mëvonshme realizuan botimet dhe studimet e para shkencore me karakter historiografik duke u bazuar në arkivat osmane. Sigurisht që në brendësinë e këtyre studimeve do të vërejmë edhe të dhënat e para mbi hapësirën shqiptare nën sundimin osman dhe, informacionet e arkivave osmane mbi figurën e Skënderbeut. Në këtë aspekt, këtu do të mundohemi të paraqesim disa prej autorëve më të rëndësishëm turq të cilët e kanë trajtuar në studimet e tyre Skënderbeun duke kontribuuar kështu në zhvillimin dhe zgjerimin e literaturës skënderbegiane.
Trajtimi i figurës së Skënderbeut në librat e historisë osmane
Në vitin 1941 Instituti i Historisë së Turqisë botoi veprën voluminoze Osmanly Tarihi (Historia Osmane) të historianit Uzunçarshili (Uzunçarsili), libër i cili ende sot përdoret nga studiuesit turq dhe të huaj. Ndryshe nga Danishmend4 i cili paraqet në mënyrë kronologjike ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan historinë osmane, Uzunçarshili është më metodologjik dhe i detajuar në paraqitjen e historisë së shtetit të dinastisë osmane. Pikërisht në vëllimin e parë të kësaj vepre autori na jep të dhëna të rëndësishme lidhur me situatën paraosmane të zonave të Rumelisë dhe vendosjen e sundimit osman në këto territore. Veç të tjerash, Uzunçarshili në këtë vëllim përshkruan edhe situatën e hapësirës osmane në prag të pushtimit prej osmanëve, bashkë me mësymjet e para të ushtrive turke drejt kësaj gjeografie. Në një nënndarje tjetër ai trajton disa prej familjeve të fisnikërisë shqiptare të periudhës në fjalë, duke përmendur Balshajt, Dukagjinët, Muzakët, Shpatajt, Zenebishët, Topiajt, Arianitët e Zahariajt.6 Ndërsa, familjes së Kastriotëve ai u kushton një nënndarje më vete. Sipas Uzunçarshili, dy familjet që spikasin në hapësirën shqiptare gjatë kësaj periudhe janë ato të Balshajve dhe Kastriotëve.
Uzunçarshili i kushton një pjesë të veçantë edhe figurës së Skënderbeut. Sipas tij, Gjergji kishte lindur mes viteve 1403-1404 dhe në moshën tetëmbëdhjetë-nëntëmbëdhjetë vjeçare ishte marrë pranë sarajit duke i dhënë emrin Skënder.9 Ai kishte qenë një djalosh trim dhe i aftë duke u shquar në radhët e ushtrisë osmane gjatë pushtimeve që ajo kishte kryer si në anët e Anadollit ashtu edhe në ato të Rumelisë. Uzunçarshili nuk e thotë moshën në të cilën kishte qenë Skënderbeu kur ishte marrë nga osmanët, porse ai thekson se Gjergji kishte qenë i aftë të mendonte dhe gjykonte me logjikë të shëndoshë. Fakti që përmendëm dhe të qenit trashëgimtar i një sundimtari kishin qenë faktorë ndikues që Skënderbeu të mbante lidhjet me vendlindjen dhe të gjuante rastin e volitshëm për t’u kthyer pranë territoreve të tij.
Përgatitja për botim në vitin 1954 e Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanid prej Halil Inalcik kaloi në një nivel tjetër studimet osmane duke nxjerrë në pah edhe rëndësinë e historiografisë turke në ndriçimin e historisë së shtetit osman. Vepra në fjalë solli një qasje të re në studimet e defterologjisë, duke u hapur rrugën përkthimit dhe botimit të defterëve osmanë në shumë vende të Ballkanit e më gjerë të cilët metodologjikisht ndoqën punën e kryer prej Inalcikut. Për rrjedhojë, zhvillimi i defterologjisë u bë pikënisje që studiues nga e gjithë bota të fokusohen mbi historinë ekonomike, ushtarake, demografike e shoqërore të Perandorisë Osmane. Elementi që na tërheq vëmendjen në këtë pikë lidhet me faktin se defteri kadastral i përgatitur nga Inalcik jo vetëm që ishte më i hershmi në të gjithë hapësirën osmane, por ky regjistër u përkiste hapësirave shqiptare. Ajo çka paraqet edhe më shumë rëndësi në këtë defter konsiston në faktin se tre shënime të tij bëjnë fjalë pikërisht për vetë Skënderbeun.
Punimet e historiografisë turke mbi figurën e Skënderbeut
Sigurisht që kur përmendet historiografia turke, emri i parë që të vjen në mendje është ai i historianit të njohur Halil Inalcik. Vetë ai i kushtoi studime, artikuj e kumtesa çështjeve të rëndësishme lidhur me vendosjen e osmanëve në Ballkan, dinastive e mbretërive vendase, çështjeve ushtarake e politike dhe marrëdhënieve të osmanëve me fuqitë e tjera të mëdha me të cilat përplasej në këtë rajon. Në studimet e tij, Inalcik u ndal shumë edhe në hapësirën shqiptare duke trajtuar çështje të rëndësishme si vendosja e sundimit osman në këto territore, vendosjen e sistemit të timarit dhe, figura e Skënderbeut. Trajtimi i Shqipërisë në studimet e Inalcik-ut jo vetëm që pati rëndësi se përmes tij historia e Shqipërisë së periudhës osmane u bë e njohur për shumë studiues, por ai gjithashtu ndikoi që edhe studiues të tjerë të fokusoheshin në studime që kishin lidhje me këtë hapësirë.
Botimi i defterit të sanxhakut të Arvanidit e bëri Inalcik-un në njëfarë mënyre specialistin më të madh të hapësirave shqiptare nën sundimin osman. Këtë e vërejmë edhe nga punimet që iu ngarkuan atij nga projekte serioze ndërkombëtare mbi fushën e historisë. Kështu, pjesët për Shqipërinë nën sundimin osman dhe atë për Skënderbeun në Encyclopedia of lslam që botohet nga shtëpia botuese prestigjioze “Brill” iu besuan atij. Po ashtu, Inalcik do të përgatiste edhe pjesën për Skënderbeun në Islam Ansiklopedisi të botuar në Turqi. Me këto shkrime ai do të paraqiste për studiuesit skënderbegianë arritjet dhe zbulimet më të fundit të historiografisë turke lidhur me figurën e Skënderbeut. Kështu, edhe vetë mendimet dhe përfundimet e studimeve të Inalcik mbi figurën e tij mund të përmblidhen tek këto dy pjesë enciklopedike, e para botuar në vitin 1997 ndërsa e dyta në vitin 2000.
Inalcik pajtohet me autorët shqiptarë duke theksuar se ai kishte lindur në vitin 1405 dhe se, duke iu referuar Barletit, ai ishte marrë prej sulltanit në moshën 9-vjeçare. Më pas ai ishte marrë në Edime ku kishte marrë edukimin e një içogllani. Ai përmend shkathtësinë dhe guximin që Skënderbeu kishte patur si ushtarak, duke arritur suksese të cilat i kishin siguruar atij edhe rritjen në grada. Në vitin 1438, Skënderbeu do të emërohej në postin e subashit të Krujës (Akçahisar), fakt që Inalcik e argumenton me shënimet e paraqitura në defterin për sanxhakun e Arvanidit ku vetë Skënderbeu zotëronte fuqinë e marrjes apo shpërndarjen e timareve.
Inalcik thekson se çarja midis Skënderbeut dhe sulltanit kishte ardhur si shkak i një pakënaqësie që lidhej me ndarjen e pronave të Gjon Kastriotit. Më konkretisht, sulltani kishte kthyer në ziamet territorin e Mysjes, e cila kishte qenë edhe qendër e tokave të Gjonit. Skënderbeu kishte kërkuar që zona në fjalë t’i jepej atij, por një sanxhakbej i (Ohrit?) kishte dalë kundër dhënies së kësaj zone për Skënderbeun, gjë që kishte çuar edhe zbehjen e lidhjes që ai kishte me osmanët. Një vendim tjetër që cungonte zotërimet e kastriotëve dhe, që mund të jetë një shkak i largimit të Skënderbeut prej osmanëve, ishte edhe caktimi i nëntë fshatrave, më herët pronë e kastriotëve për Andrea Karlon. Inalcik, duke iu referuar Kalkokondilit thekson se në periudhën kur Skënderbeu u kthye në Krujë, thuajse në të gjithë zonën e Rumelisë kishte një ankth për të rifituar pronat e familjeve për shkak se ekzistonte një mendim i gjerë sikur turqit, në një periudhë të afërt, do të dëboheshin nga Ballkani. Kështu, për Inalcik-un, edhe shkaku i kthimit të Skënderbeut lidhet me ambicien e tij për të marrë pronat që i takonin të atit.
Duhet theksuar se rëndësia e studimeve të historianëve turq mbi figurën e Skënderbeut më së shumti konsiston në periudhën e tij të rinisë deri në kohën kur u kthye në Krujë. Lidhur me këtë periudhë, dokumentacioni arkivor u jep atyre epërsinë e pasqyrimit dhe ndriçimit të këtyre viteve. Kështu, Inalcik e përdor informacionin e dhënë nga Barleti, por nga ana tjetër thekson se trashëgimia e madhe që kanë nga arkivat turke u jep atyre mundësinë të arrijnë në përfundime më të sakta lidhur me shkaqet dhe ecurinë e kryengritjeve që kapluan hapësirën shqiptare gjatë gjysmës së parë të shek. XV, por edhe për impaktin që pati kryengritja e Skënderbeut. Po ashtu, botimi i regjistrave kadastrorë osmanë të shek. XV dhe dokumentacioni arkivor në Turqi u kanë dhënë atyre mundësinë të na japin të dhëna të shumta lidhur me gjendjen ekonomike të hapësirave në fjalë gjatë kësaj periudhe.
Nga ana tjetër, lidhur me periudhën kohore që zë vitet 1444-1468 dhe, kryesisht me aktivitetin ushtarak e politik të Skënderbeut, vërejmë se historiografia turke më së shumti ka përfituar prej burimeve të autorë ve shqiptarë, por edhe atyre të huaj. Përveç kronikave dhe burimeve klasike mbi Skënderbeun në burimet e përdorura nga historianët turq, hasim edhe në emra të albanologëve të njohur si Hopf, Pall, Jireçek, Jorga, Babinger e Kiel. Ndërsa, nga burimet e autorëve shqiptarë më së shumti duket se i janë referuar Marin Barletit, Athanas Gegajt, Kristo Frashërit etj.
Përfundim
Studiuesit turq shprehen se për ta, vitet në shërbimin osman të Skënderbeut janë të njohura. Nga ana tjetër, historianët shqiptarë që merren me historinë e tij theksojnë se vitet e hershme të Gjergj Kastriotit janë të pazbardhura. Parë nga ky këndvështrim, kontributi i të parëve për të dytët dhe anasjelltas, duket si një element komplementar. Pra, plotësues i njëri tjetrit. Kjo gjë vërtetohet më së miri po të kemi parasysh, në mënyrë të veçantë, kontributin e Inalcik dhe studimet e tij mbi periudhën dhe figurën e Skënderbeut. Megjithëse vetë Inalcik nuk shkruajti një vepër për prijësin shqiptar, fakti se ai shkroi shumë artikuj e shkrime mbi të dhe, referimet e thuajse të gjithë historianëve skënderbegianë punimeve të tij, e bën Inalcik-un njërin prej studiuesve kryesorë të periudhës dhe figurës së vetë Skënderbeut. Sigurisht që kjo vjen si rezultat i dokumentacionit të madh që posedojnë arkivat turke mbi hapësirat shqiptare, fisnikërinë vendase dhe më konkretisht edhe mbi Skënderbeun. Pra, parë në një këndvështrim më të gjerë, arkivat dhe historiografia turke mbeten burime kryesore si për albanologët në përgjithësi ashtu edhe për historiografinë skënderbegiane në veçanti. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëHistoria e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
ASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR
Historia e shqiptares Laskarina Bubulina, Heroinës Kombëtare të Greqisë!
FERRI E PARAJSA
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme