Skena politike prizrenase
Gjendemi në prag të vendimit të kryetarit të Kosovës, z. Fatmir Sejdiu për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilët do të mbahen në vjeshtë të vitit 2009. Në këtë qasje do të përshkruaj skenën aktuale momentale politike prizrenase.
Me ligjin e ri për vetëqeverisjen lokale të miratuar vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës është ndarë në mënyrë të qartë legjislativi nga ekzekutivi. Organet më të larta komunale janë kuvendi komunal dhe kryetari i komunës të cilët burojnë nga populli dhe se zgjidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga votuesit në zgjedhjet lokale, ndërsa të gjitha organet tjera ekzekutive komunale përcaktohen nga numri i ulësve të fituara në kuvendet komunale.Me ligjin e ri për vetëqeverisjen lokale kryetarit i janë dhënë kompetenca të shtuara, roli i tij është ekzekutiv në udhëheqjen komunale, dhe se lirisht mund të thuhet se ai që e ka kryetarin e komunës e ka edhe pushtetin de fakto.
Pas zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2007 dhe rezultateve që kanë dalë nga to, konfiguracioni politik i Kuvendit Komunal të Prizrenit është i përbërë nga 10 subjekte politike të përfaqësuara: PDK-ja 12 ulëse, LDK-ja 10 ulëse, AKR-ja 4 ulëse, AAK-ja 3 ulëse, KDTP-ja 3 ulëse, VAKATI 3 ulëse, LDD-ja 2 ulëse, ORA 2 ulëse, PD-ja 1 ulëse dhe SDA-ja 1 ulëse, që në total përbëjnë 41 ulëse në Kuvendin Komunal të Prizrenit.
PDK-ja si subjekt politik fitues i zgjedhjeve lokale të vitit 2007 me kryetarin aktual z. Ramadan Muja janë gjetur para një sprove të madhe për të udhëhequr me Prizrenin pas 7 viteve të kaluara në opozitë. Edhe pse në vend që të përcaktojnë një strategji të duhur politike me një vizion të qartë për të përfituar më tutje edhe mandatin e dytë qeverisës katërvjeçar, pasi ky ekzistues është vetëm dyvjeçar, që në fillim në rradhët e tyre janë ndeshur dy koncepte të vizionit qeverisës. Koncepti i bazuar në meritokraci, vlerat e luftës, centralizëm dhe ndëgjueshmëri partiake dhe koncepti i bazuar në vlerat intelektuale, profesionale, dhe demokraci partiake.
Si rezultat i këtyre koncepteve ndodhën përplasje brenda PDK-së që sollën diferenecime, largime, dorëhjeqje të disa këshilltarëve dhe anëtarëve të merituar të kryesisë së degës së PDK-së në Prizren të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar që nga themelimi i degës së PDK-së. Edhe pse PDK-ja formoi një koalicion të gjerë qeverisës në Prizren së bashku me AKR-në, KDTP-në dhe VAKAT-in, për shkak të përplasjeve të brendshme që ndodhën në PDK, herëpas here sipas nevojës qe e detyruar të merr ndihmën edhe të subjekteve tjerë të opozitës dhe të veprojë si koalicion më i zgjeruar për të miratuar vendimet e saja.
Si rezultat i përplasjeve brenda PDK-së në mënyrë indirekte ndikoi edhe në partnetin e vet AKR në çrregullimet dhe prishje të balansimit të brendshëm partiak.PDK-ja intencën e vet qeverisëse të qeverisjes lokale e ka konceptuar në atë mënyrë që vetë të qeverisë, kinse i ka 21 ulëse, ndërsa partnerëve të vet të koalicionit qeverisës i ka dhënë disa drejtori, dhe se këshilltarët e tyre të përdori vetëm si makineri të votimit, fare duke u mos konsultuar për një qeverisje sa më efikase në të mirë të qytetarëve, edhe pse me pas vepruar sipas marrëveshjes së bërë me AKR-ja vetëm do të i ndihmonte me të madhe dhe se me siguri nuk do të bënte gabimet kardinale herëpashere gjatë qeverisjes aktuale.
Edhe një mungesë e demokracisë së brendshme është prezente brenda PDK-së, kanë kaluar plot 4 vjet nga Kuvendi i fundit zgjedhor të mbajtur të PDK-së në Prizren, edhe pse sipas rregullave dhe procedurave demokratike janë të parapara që të mbahen çdo dy vjet.
Me këtë gjendje në të cilin ndodhet PDK-ja shumë vështirë do të ketë për të fituar edhe një mandat katërvjeçar qeverises komunal, pasi që këto mosmarrëveshje dhe koncepte jo që janë eliminuar por janë zgjeruar dhe se shumëvështir do të ketë për t’u këndellur, dhe se tani nuk do të ketë më edhe votat e Mamushës, pasi që ajo është bërë komunë. Po ashtu edhe gara për nominimin e kandidatit për kryetar të komunës nga rradhët e PDK-së do të jetë e fortë, pasi që në kuloaret flitet për disa sosh sikur që janë ZafirBerisha, Nijazi Kryeziu, Hysni Hoxha, Hasan Hasani, Azem Ramadani, Agim Zogaj. Por cili do prej këtyre kandiadatëve që do të jetë apo ndoshta ndonjë kandidat tjetër i mundshëm do të dalë, do të vendosë Këshilli Drejtues i PDK-së si dhe kryetari i saj z.Hashim Thaqi. Por se një është e sigurtë që kryetari i tanishëm aktual z. Ramadan Muja fare nuk përflitet si kandidat i mundshëm për mandatin e dytë qeverisës në Prizren.
Mund të përmbyll lirisht se sa i përket PDK-së, ajo ende nuk ka qenë e pregaditur për të qeverisur me Prizrenin, dhe se atë e ka gjet të befasuar me fitimin e zgjedhjeve, pasi që shumë ma konstruktiv dhe më të suksesshëm kanë qenë sa kanë qenë në opozitë 7 vjet.
LDK-ja pas shtatë vitesh udhëheqje me Prizrenin, i humbi zgjedhjet në Prizren në vitin 2007, edhe pse epërsia ka qenë minimale si për listën e këshilltarëve ashtu edhe për kryetarin, vetëm 2.000 vota diferencë. Por, pasi kaloi në opozitë, edhe pse ka mund të jetë një opozitë shumë e fortë dhe konstruktive, duke i parë dobësitë e PDK-së, ajo kaloi në vetëkënaqsi, apo edhe atë e gjeti të papregaditur për rolin në opozitë, dhe se nuk kanë besuar se pas një qeverisjeje komunale shtatëvjeçare mund të pësojnë disfatë.
Sikur PDK-ja në pushtet ashtu edhe LDK-ja në opozitë e ka konsideruar veten se kinse ajo i ka 20 ulëse në kuvend dhe se është e vetmja oponentë opozitare. Bile bile, mund të them lirisht se kanë qenë, o fort të sinqertë, o fortë naive në politikë si opozitë.
Në vend se ajo si forcë kryesore opozitare të ndërmer dhe të bashkëkordinon me subjektet tjera opozitare, dhe se në të shumtën e rasteve edhe të bllokojë apo të parandalojë votimet e rregulloreve të caktuara, ajo ka qenë e kënaqur vetëm me kritikë, dhe se edhe pse subjektet më të vogla kanë ndërmar iniciativa të ndryshme, ata prapë nga “sinqeriteti” apo “naiviteti” i tyre politik, nuk kanë kuptuar dhe se herë herë edhe kanë dështuar. Edhe pse në shikim të parë dukej se janë unik dhe homogjen, por edhe aty ka këndvështrime dhe mendime të ndryshme, por nuk ka qarje apo divergjenca publike në mesin e tyre. Njashtu edhe te ata, dhe pse ky vit ka qenë i paraparë të mbahen zgjedhjet brendapartiake të rregullta, ata janë prolonguar për pranverën e vitit 2010 që është një shenjë e mohimit të demokracisë brendapartaike në rradhët e LDK-së.
Nga kuluaret brenda LDK-së përflitet për disa nga emra që mund të jenë kandidatë të mundshëm për kryetar sikurse janë Sylë Hoxha, Fadil Kryeziu, Mybera Mustafa, Hanefi Muharemi, Haziz Hodaj, por Këshilli Drejtues i LDK-së është ai që do të përcaktojë kandidatin e mundshëm. Por nuk përjashtohet mundësia, që në momentin e fundit, prapë të kandidohet z.Eqrem Kryeziu, ish-kryetari i Prizrenit në dy mandatet e kaluara, por pritet sipas të gjitha gjasave që të kumtohet kandidati i mundshëm për kryetar të Prizrenit nga rradhët e PDK-së.
AKR-ja si subjekt i ri politik në skenën politike prizrenase shenoi një sukses të konsideruar duke u rradhitur e treta sipas rezultateve të fituara në zgjedhjet lokale 2007. Edhe pse e re, por me një vullnet dhe dëshirë të flaktë arriti të korrte një sukses të duhur.
Por që në start të veprimit të saj politik beri një gabim trashanik politik duke hyrë në koalicion me PDK-në, që ishte “shpatë me dy teha”, pasi që pa përvojë politike hyri në koalicion me PDK-në gjithashtu pa përvojë qeverisjeje në Prizren. Por kryesia dhe ish kryetari i saj nuk patën vizion dhe largpamësi politike të duhur, pasi që shumë më mirë do të ishte sikurse të kishte vepruar si opozitë, pasi që edhe mandati i saj ishte dyvjeçar.
Edhe marrëveshjen e nënshkruar që e pati me PDK-në, edhe pse ajo mbeti besnik, përkundër neglizhencës të partnerit të vet, i cili jo që nuk iu përmbajt marrëveshjes, po arriti t’ia merr dy këshilltar dhe tre drejtorët e saj. Por kjo i ndihmoi AKR-së, që të ndahet shapi prej sheqerit. Në AKR si subjekt të ri, janë anëtarësuar shumë anëtar të pakënaqur nga subjektet tjera, por edhe pse ishin me trup në AKR, me mend ishin në PDK, LDK, AAK, apo ndonjë subjekt tjetër, dhe se vetëm përmes subjektit të ti ishin të interesuar të përfitojnë ndonjë post apo pozitë eventuale.
Të ndikuar nga përçarjet brenda PDK-së, të cilët u reflektuan edhe në AKR, ashtu që pati dorëheqje të shumta, duke u nisur nga ish kryetari i degës, anëtarëve të kryesisë, këshilltarëve të saj komunal e gjerë në drejtorët e ekzekutivit aktual të qeverisë Muja të cilët për të ruajtur pozitat e tyre udhëheqëse kaluan në partnerin e tyre në PDK. Tani pas kuvendit të mbajtur dhe udhëheqjes së re, AKR-ja shumë vështir do ta kete të arrij suksesin që e ka pas, bile bile, do të jetë sukses i madh nëse arrin të fitojë gjysmën e votave nga zgjedhjet e vitit 2007.
Sa i përket kandidatit për kryetar, përveç kandidatit të PDK-së, LDK-së, AAK-së, nga kuluaret që përfliten në Prizren janë bisedat e sipër që të gjitha partitë tjera në Prizren, në bllok të dalin me një kandidat të përbashkët i cili do të kishte mundur që të jetë konkurrent i denjë dhe të sfidojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për kryetar. Bisedat janë në zhvillim të sipër, por për momentin kandidati i mundshëm për kryetar akoma nuk është përcaktuar.
AAK-ja doli si subjekti katërt në Prizren, edhe pse pati një rritje të votave, ajo në Prizren fare nuk ka mundur të afrohej apo të bëhej konkurrencë e denjë për qeverisje. Por edhe brenda AAK ka pas mospajtime, ashtu që brenda një kohe të shkurtër u mbajtën dy kuvende, prapë se prapë ka pasur pakënaqësi, edhe pse kryetari i ri i degës edhe pse është konstruktiv, do të jetë pikëpyetje e madhe sa do të dijë të menaxhojë me sukses degën për të parandaluar çarjet apo mosmarrëveshjet e mundshme.
AAK për momentin është i vetmi subjekt i cili e ka shpallur publikisht kandidatin e mundshëm për kryetar të Prizrenit, z.Bislim Zyrapi, ish epror dhe komandant i UÇK-së, se sa është e qëlluar dhe me vend ky kandidim do të shihet nga rezultatet që do të dalin në zgjedhjet lokale 2009.
KDTP, e cila përfaqëson komunitetin turk të Prizrenit, ka një elektorat dhe votues standard, por që sivjet për krahasim nga viti 2007 do të ketë ulje të numrit të votuesve, për shkak që Mamusha tani do të dalë vet në votime ndaras, pasi u bë komunë në vehte. Edhe pse është në koalicion me PDK-në, e tërë veprimtaria e saj politike ka qenë e përqendruar në mbrojtjen e drejtave të komunitetit turk, edhe pse do të kishte mund të luaj një rol shumë më aktiv, pasi që çelësi i zgjedhjes së kryetarit të Prizrenit është në duart e komuniteteve turke dhe boshnjake, pasi që janë gjithsej 8.000 votues potencial të komuniteteve që mund të përcaktojnë në balotazh se cilin prej dy kandidatëve do ta zgjedhin.
Edhe në kuadër të KDTP-janë të pranishëm dy koncepte, apo më mirë të thuash brezi i vjetër dhe brezi i ri, i cili po sjell edhe fërkime brenda partiake, por që në publik është i heshtur. Edhe një gabim tjetër që kanë bërë me zgjedhjet e kaluara,më merr mendja që nuk do të përsërisin, që të kandidojnë kandidatin e vet për kryetar, i cili nuk ka as gjasa teorike për të fituar.
VAKAT-i është një koalicion i përbërë që përfaqëson komunitetin boshnjak dhe asiston edhe në koalicionin qeverisës të Prizrenit së bashku me PDK-në dhe KDTP-në, nuk ka treguar ndonjë përpjekje apo aktivitet të duhur politik, përveç përpjekjes dhe pozicionit politik për logon e Kuvendit, edhe pse po të ishte më i zëshëm aty ku duhet dhe që do të mund edhe politikisht të përfitojë, ndoshta njëri prej shkaqeve është edhe kuadri i njëjtë udhëheqës me vite brenda strukturave partiake. Edhe VAKAT-i nuk do të duhej të përsërit gabimin e vet nga zgjedhjet e kaluara, pasi që fare nuk ka gjasa që kandidati i saj i mundshëm që të zgjidhej në krye të Prizrenit.
LDD-ja njashtu si parti e re në skenën politike prizrenase, pas ndarjes apo daljes së saj nga LDK-ja, tregoi një rezultat të konsideruar, bile bile, është njeri prej subjekteve politike që ka ndikuar në humbjen e LDK-së dhe ish kryetarit të saj z.Eqrem Kryeziu në Prizren. Ka mundur të luaj rol më aktiv si parti opozitare, por edhe brenda saj ka pasur koncepte dhe këndvështrime të ndryshme që e kanë amortizuar apo parandaluar këtë rol.
Se sa do të jetë e suksesshme dhe se a do të avancojë rejtingun e saj politik në Prizren do të varet nga përgatitja e saj edhe organizative edhe programore në zgjedhjet që do të mbahen, e që do të jetë edhe barometër i forcës aktuale politike të saj.
ORA në Prizren, përkundër dështimit të saj në qendër në zgjedhjet e vitit 2007, arriti të renditet dhe të përfaqësohet në kuvendin komunal të Prizrenit. Por roli i saj në punimet e kuvendit valëvitej herë nga opozita e më tepër nga pozita, edhe pse nuk është pjesë zyrtare e koalicionit qeverisës në Prizren, ajo përfaqësohet nga një drejtor në ekzekutivin qeverisës komunal, që e bëri të mos ketë një profilizim apo renditje më të qartë në skenën politike prizrenase.
Edhe brenda saj ka përplasje mendimesh e vështrimesh,e ka mbajtur kuvendin e saj të rregullt zgjedhor partiak, se sa do të jetë e suksesshme dhe a do të mund të mbaj këtë rezultat do të tregojnë rezultatet në zgjedhje.
PD-ja në Prizren, prej formimit të saj e gjer në ditët e sotshme, ka një numër votash të përafërt, por edhe brenda saj ndodhën përplasje në koncepte, pasi që motoja e saj “Në emër të Zotit me drejtësi”tani nuk qëndron, dhe se është profilizuar me një këndvështrim dhe perfomansë të re, i vetmi këshilltar dhe ish kryetari i saj i degës ka dhënë dorëheqje, dhe se ajo fare nuk përfaqësohet në Kuvendin Komunal për momentin.
Është një mobilizim dhe ristrukurim i dukshëm brenda saj, e ka mbajtur kuvendin zgjedhor të rregullt dhe se është duke u përgatitur për zgjedhjet lokale, se a do të mbetet si forcë politike në suaza në të cilin gjendej që nga themelimi i saj, apo do të shënon rritje pritet që të shohim se çfarë rezultat do të korr në zgjedhje lokale.
SDA-ja si subjekt i dytë më i vogël që e përfaqëson komunitetin boshnjak është prezent në skenën politike të Prizrenit që nga themelimi i saj. Edhe pse jo me peshë aq të madhe, por me të vërtetë ajo ka qenë opozitë e fortë ndaj VAKAT-it si bashkëpjesëmarrës në koalicionin qeverisës komunal dhe tërë veprimtaria e saj politike në kuvend ka qenë e përqendruar në kritikat e punës së VAKAT-it në Prizren. Por edhe brenda saj ndodhën çarjet dhe mosmarrëveshje si në kuadër të degës, po ashtu edhe në raport ndaj qendrës, ashtu që këshilltari i vetëm i saj nuk e përfaqëson më interesat e saj në Kuvendin Komunal.
Në përfundim të kësaj qasjeje mund të konkludoj se si rezultat i qarjeve, koncepteve, këndvështrimeve të ndryshme brenda partiake, momentalisht janë 4 (katër) kuvendarë (anëtarë) të pavarur brenda Kuvendit Komunal nga gjithsej 41 anëtarë, dhe se për momentin paraqesin forcën e tretë politike me peshë në kuvend, me tendencë rritjeje, ashtu që nuk është çudi dhe befasi që gjerë në përfundim të mandatit që ky numër edhe të dyfishohet.



































