Viti 2017 përpos ngjarjeve dhe zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur përgjatë 12 muajve, është karakterizuar edhe me mbajtjen e dy palë zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë mbajtur me 11 qershor dhe zgjedhjet lokale që janë mbajtur me 22 shtator, përfshirë këtu edhe raundi i dytë për 19 komunat me 19 nëntor.

Rezultatet e zgjedhjeve ishin befasuese. Qytetarët me votën e tyre bënë që partitë e mëdha në vend të pësojnë rënie e disa të ngriten. Në çdo fund garë mbesin të zhgënjyerit dhe të gëzuarit, por përkthyer në numër të votuesve Lëvizja Vetëvendosje doli si partia fitimtare përderisa Partia Demokratike e Kosovës pësoi rënie si në nivel vendi po ashtu edhe lokal. Nga ana tjetër AAK dhe LDK patën rritje të vogël nga zgjedhjet lokale, por në ato nacionale pësuan rënie.

Kështu mendon analisti politik Blerim Burjani, i cili ka thënë se Kosova nuk ka parti të madhe më, sipas tij ka një konfuzitet tek qytetarët.

“Nga dy palë zgjedhje të bëra , në nivelin nacional LVV ka dal një parti fitimtare përderisa PDK ka pas rënie në të dy nivelet, përderisa ka pas rritje te vogël ne zgjedhje lokal AAK dhe LDK, në Kosovë s’ka parti të madhe me, ka një kufizimet edhe tek qytetaret kjo u pa në dy palë zgjedhje , në zgjedhje nacionale qytetarët votuan për më ndryshe, por jo se ishte ndonjë gjë pozitive vota për VV përkundrazi është kthim në konfuzitet të plotë”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, në aspektin e pozitave dhe marrjes së numrit të dikastereve, përfituese më e madhe në zgjedhjet nacionale ishte partia e Behgjet Pacollit.

“Përfituese me e madhe ne zgjedhjet nacionale ishte AKR por edhe në atë lokal janë nda mirë sidomos me Komunën e Prishtinës”, tha ai.

Për analistin tjetër politik Bajrush Morina, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit. Por sipas tij pushtetin e ka marrë PAN-i.

“Më 11 Qershor partia fituese doli Vetëvendosje. Por sistemi zgjedhor në vendin tonë nuk ia njeh fitoren fituesit, por atyre që i grumbullojnë votat në një vend. Kështu fitorja e VV-së u devalvua sepse PAN-i me ‘mish e me shpirt’ mezi arriti t’i bëjë 61 vota. Pra më 11 qershor në zgjedhjet nacionale ka fituar Vetëvendosje por pushtetin e ka marrë PAN-i”, ka thënë Morina.

Sipas Morinës, PDK ka humbur një numër të madh të deputetëve.

“Por ajo që duhet të konstatohet është fakti se numër më të madh të deputetëve ka humbur PDK-ja. Ndërkaq LDK ka ‘dhuruar’ apo i ka falur 6 deputetë, 4 AKR-së e 2 Alternativës. AAK ka fituar aq sa ka pasur kaçik ndërsa Nismën e ka shpëtuar koalicioni PAN”, ka thënë Morina.

Zgjedhjet Parlamentare

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, kanë shënuar rritje dhe rënie të subjekteve politike. Skena politike në Kosovë, nuk është më njësoj. Partitë e mëdha që kanë qeverisur vitet e fundit në Kosovë në të dyja nivelet e pushtetit, janë vënë në sfidë serioze.

Partia që doli si partia fituese nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishte Lëvizja Vetëvendosje me 200.135 vota apo 27,49%. Si parti e vetme në garë Vetëvendosje arriti të dyfishojë numrin e votave nga 90 mijë vota sa kishte në zgjedhjet e kaluara në 200 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës, e frikësuar të futet si parti e vetme në zgjedhje, lidhi koalicion parazgjedhor me Aleancën e Ramush Haradinajt dhe Nismën e Fatmir Limajt. Kështu u bë koalicioni PAN, që ndryshe u quajt edhe ‘krahu i luftës’. Edhe pse të bashkuar PAN doli të jetë humbës duke humbur rreth 120 mijë vota.

Përpos këtyre tri partive të mëdha PAN-it iu bashkuan edhe Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare Demo-kristiane e Kosovës, Partia Konservatore e Kosovës, Alternativa Demokratike e Kosovës, Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit, Partia Socialdemokrate, Balli Kombëtar i Kosovës, ku nga zgjedhjet parlamentare doli koalicioni i parë me 245.627 vota apo 33,74%. Ky koalicion, mori besimin e qytetarëve për t’i themeluar institucionet, gjë që me shumë vështirësi e arritën.

Një koalicion tjetër befasues ishte ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku nga zgjedhjet parlamentare nuk dolën edhe aq mirë duke u radhitur si koalicioni i tretë me gjithsej 185.884 apo 25,53% të votave të qytetarëve. LDK duket se u ndëshkua nga vota e qytetarit për shkak të koalicionit që kishte lidhur me PDK-në në mandatin e kaluar.

Zgjedhjet Lokale

Edhe zgjedhjet lokale e 22 tetorit nxorën rezultate befasuese në shumë komuna. Komunat të cilat për vite të tëra ishin bastion i partive të caktuara politike pësuan ndryshime serioze duket ua ‘dridhur’ rahatinë kandidatëve.

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit e kanë nxjerrë Lidhjen Demokratike të Kosovës partinë më të madhe në vend. Në nivel vendi, LDK, që udhëhiqet nga Isa Mustafa, ka marrë gjithsej 173.967 vota në zgjedhjet lokale. LDK ka gjithsej 8 komuna nën qeverisje lokale, gjë që e bën atë partinë fituese të zgjedhjeve lokale.

Parti e dytë për nga numri i komunave doli Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës ku arriti të ketë një ngritje të madhe duke marrë 7 komuna.

Po ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje shënoi rritje edhe në nivel lokal ku përveç Komunës së Prishtinës, arriti që në këto zgjedhje të fitojë edhe komunën e Prizrenit dhe Dardanën.

Përveç në zgjedhjet nacionale PDK shënoi rënie edhe në zgjedhjet lokale duke marrë vetëm 5 komuna.

Ndërsa AKR, rifitoi përsëri komunën e Mitrovicës e NISMA atë të Malishevës.

E komunitetet jo shumicë, Lista Serbe fitoi në 10 komuna ndërsa Partia Demokratike Turke e Kosovës në 1 komunë.

Mbi 10 milionë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit dy palë zgjedhjet që janë organizuar këtë vit në vend. Zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 11 qershor kanë kushtuar rreth 5 milionë euro, ku pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje ishte 41.30%.

Në zgjedhjet e 22 tetorit dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte 43.68 për qind, derisa shuma e mjeteve e ndarë për këto zgjedhje është planifikuar të jetë rreth 6.1 milionë euro, përfshirë edhe balotazhin në 19 komuna./Arbresh.info/