LAJMI I FUNDIT:

Skandaloze: Fakte për devijim të drejtësisë nga gjyqtarët e EULEX-it (Video)

Skandaloze: Fakte për devijim të drejtësisë nga gjyqtarët e EULEX-it (Video)

Vrasja enigmatike në Kaçanik dhe shpërthimi i eksplozivit në lokalin Sekiraqa, vazhdojnë të sfidojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë.

Në vazhdën e hulumtimeve, Klan Kosova sjellë dëshmi të reja, përmes të cilave dëshmohet zinxhiri i zyrtarëve ndërkombëtarë të dyshuar për përfshirje në korrupsion, duke bërë pazare për blerje të drejtësisë. Materialet e përgjimeve dëshmojnë se gjykatësi italian, Francesko Florit, ishte takuar me një sekser të Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza.

Sekseri, aktualisht udhëheqës i një prej portaleve informative në Kosovë (i njohur për Klan Kosovën), kishte zhvilluar një seri takimesh me Florit, për të bërë pazare për rastin Sekiraqa.

Ishte vrasja e policit Triumf Riza, pas të cilës UNMIK-u vendosi nën masat e fshehta të përgjimit një rrjet të personave të dyshuar rreth vrasjes së tij . Riza u vra më 30 gusht të 2007, ndërsa përgjimet kishin përfshirë shokët e Enver Sekiraqës, tani i akuzuar për shtytje në vrasjen e Rizës.

Hetuesit e UNMIK-ut përballeshin me probleme për të identifikuar të dyshuarin Sekiraqa, pasi ai përflitej kudo, por ruhej shumë që mos të linte gjurmë për vendndodhjen e tij. Sekiraqa nuk mbante as telefon personal. Kjo kishte detyruar hetuesit të lëshonin masa të përgjimit për telefonat e shokëve të tij.

Gjatë kohës sa po zhvilloheshin përgjimet, më 24 shtator të 2007, kishte ndodhur edhe shpërthimi i eksplozivit tek lokali Sekiraqa. Aso kohe ishte fundi i Misionit të UNMIK-ut, i cili u pasua me Misionit e EULEX-it.

Përmbajtja e përgjimeve, të cilën e posedon Klan Kosova, dëshmon se gjykatësi Fransecko Flori ishte takuar me sekserin e Enver Sekiraqës, që të bënte pazare për rastet e hapura ndaj tij, në të cilat dyshohej për vrasje të policit Riza dhe për rastin e shpërthimit të lokalit të tij në Dardani.

Përveç me Florin, sekseri i Sekiraqës thotë se u takua edhe me një ndërkombëtar tjetër: Paskal Skordia, që në këtë periudhë kur po zhvillohej biseda, punonte në UNMIK si shef në sektorin e antiterrorizmit dhe kundër krimit të organizuar. Në këtë kohë, kur Sekiraqa i kryente punët e tij me telefon, përmes sekserit të tij besnik, ai ishte në kërkim nga Skordia. Madje, Sekiraqën po e kërkonte edhe Policia. Por, asnjëri nga këto dy institucione nuk arriti ta arrestonte.

Mbi 10 tentime për arrestim të Sekiraqës rezultuan të pasuksesshme. Ndërsa, ishte sekseri i tij që e dinte ku ndodhej Sekiraqa.

Si është e mundur që këto përgjime të mos jenë paraqitur asnjëherë në asnjë seancë të rastit të shpërthimit tek Sekiraqa? /Klan Kosova/