Deri sa shteti ynë gjegjësisht MPJ-ja merret me përzgjedhjen e diplomatëve, personelit diplomatik dhe konsullor, një gjerman, ish-senator i Berlinit për financa, tani në kryesinë e Bankës Federale gjermane Bundesbankvorstand ka fyer shqiptarët shumë rënd. Shtypi gjerman deri më tani ka patur një qasje shumë pro kosovare. Ndërsa tani rasti në fjalë e prish edhe atë pak imazh të krijuar për Kosovën dhe kosovarët nga shpallja e Pavarësisë dhe hapjes së ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin. Kjo fyerje është edhe më e madhe sepse vjen nga një institucion i rëndësishëm, siç mund të jetë Bundesbank-a gjermane. Deklarata e z. Thilo Sarrazin është vërtetë dashakeqe për kosovarët dhe shqiptaret, me përmbajtjen në fjalë se: Turqit po e pushtojnë Gjermaninë, mu ashtu sikurse kosovarët e kanë pushtuar Kosovën përmes shkallës së lartë të lindjes.

Mungesa e reagimit të diplomacisë

Pas këtij kumtimi urrejtje nxitës kundër shqiptarëve, në opinionin gjerman kishte reagime nga gazetarë gjerman por, siç do të shprehej Mr. Gëzim Mekuli, mungoi reagimi i diplomacisë i ambasadës se Republikës së Kosovës në Berlin, nuk kishte reagime as nga Kosova. Dhe nuk mund të kishte, sepse përfaqësuesit tanë diplomatik mund të mos kenë hasur apo lexuar fare deklaratën e ish-senatorit gjerman. Pikërisht këto ditë, ndodh diçka e tillë, kur përfaqësitë e shtetit tonë akoma nuk kanë zyrën për media nëpër ambasada, edhe pse, kudo në botë nuk mund të gjesh ambasadë të shteteve normale që nuk i kanë ato. Me rastisi një takim në qendrën Südost të Berlinit ta takoja edhe zëdhënësen e Konsullit serb në Berlin. Pra shteti i tyre paska menduar në zyrë të tillë, shteti ynë jo.

Më 13 gusht një komision i MPJ-së autorin e këtij shkrimi, nuk e pranoi të bëhet pjesë e këtij stafi të përzgjedhur. Dhe, tash sikur më 12 shtator kur mora lajmin negativ se nuk jam përzgjedhur për të qenë pjesë e personalit diplomatik apo konsullor në ambasadën e Republikës se Kosovës, mendova, s’paku thash do t i shërbeja shtetit tim, qoftë edhe në një qoshe brenda mureve të ambasadës gjegjësisht konsullit. Për fat të keq, MPJ-ja nuk i ka futur në sistem zyrat apo zëdhënësit për media, për mungese vizioni apo mungesë buxheti, vështirë të thuhet. A i duhet Ambasadorit zëdhënësi, kur e ka sekretarin, do të pyesni? Kush do ti përcjell aktivitet e tyre, e ta bëjnë politikën e informacionit? Gropat e errëta të kësaj pune shihen nga aeroplani.

Ambasadat tona akoma nuk kanë ueb-faqen në internet, portalin e freskuar me informacione aktuale, ku do të pasurohej aktiviteti, fotot, videot etj, nga aktivitetet e Ambasadës, edhe pse Kosova më 17 shkurt, vitin e ardhshëm do të feston dyvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Shpesh ambasadat dhe kryesuesit e tyre mendojnë se e kanë bërë punën mirë, nëse e kanë informuar qeverinë apo drejtorin e MPJ-së. Se, kush do ta lexoj shtypin gjerman dhe të përcjell imazhin e mirë a të keq që, shpërndahet për çdo orë brenda ditës, këtë e marrim me mend tash më. Një shërbim i specializuar me punë të tregtisë, negocimit dhe të informimit, siç përkthehet kuptimi i vërtet i diplomacisë , me shtetin pranues, është puna më e mirë që duhet bërë përfaqësuesit e shtetit jashtë Kosovës. Nuk është rastësisht fyerja nga ish- senatori gjerman i Berlinit. Ajo vjen pikërisht në kohën kur ne akoma nuk kemi krijuar strukturat e duhura, të përfaqësimit jashtë shtetit.

Kur do të kompletohet diplomacia e vonuar e Kosovës edhe në kryeqendrat e Diasporës
Deri më tani nga 18 ambasadat e përfaqësitë diplomatike të hapura nuk kanë ofruar asnjë shërbim konsullor për shtetasit e Republikës së Kosovës që jetojnë në shtet perëndimore. Për të ofruar infrastrukturën ligjore është miratuar ligji i shërbimit diplomatik/konsullor, i bazuar kryesisht në Konventën e Vjenës për misionet diplomatike nga viti 1961gjegjësisht konventës së Vjenës e vitit 1963 për misionet konsullore e cila është përkthyer dhe përshtatur në shqip, me shumë kufizime.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme nga qershori i këtij viti ka filluar me përzgjedhjen e stafit që do të punoj në misionet diplomatike gjegjësisht konsullore. Mënyra se si janë rekrutuar Nëpunësit Civil, gjegjësisht personeli diplomatik dhe konsullor ka qenë mjaft e diskutueshme, krahasuar me përvojën që kanë shtetet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore (sistemi gjerman p.sh). Si shtet i ri, natyrisht kemi edhe kuadrin e ri, të punësuar në MPJ, të cilët kanë patur detyrë misionare të testojnë personelin përkatës.

Metoda e zgjedhjes ishte konceptuar sipas sistemi zgjidh e merr i cili bazohej vetëm formalisht mbi provimin me shkrim dhe intervistën afër 15 minuta. Për 10-15 minuta kandidati pyetej me një shpejtësi (i ngjante hyrjes në vetëshërbim me ngutë). E gjithë procedura ishte formalisht. Vendimet se kush do të pranohet si duket ishin marr mbi rekomandimet politike dhe referencat e tyre. Të përzgjedhurit nga 1 tetori tani janë duke u trajnuar, jo siç është traditë në shtet perëndimore, në periudhë 3 vjeçare (step by step), por vetëm për pesë javë, deri sa gjatë muajve të verës së nxehtë që lamë pas, gjithë kandidatët ju nënshtruan provimit me shkrim. Ata që fituan pikët më shumë, mbi 51 përqind u ftuan pastaj në intervistë. Paneli intervistues ose komisioni kishte fjalën kryesore në përzgjedhjen e kandidatëve, edhe pse me udhëzimin administrativ Nr. 3/2009 për procedurat e emërimit të kandidatëve për Nëpunës të misionit diplomatik Neni 3,4,5,6,7,8,9., këtë të drejtë e ka vetëm ministri i MPJ-së. E njëjta procedurë do të duhej të vlente edhe në përzgjedhjen e Drejtuesit dhe Nëpunësit tjerë të misioneve konsullore (lexo: Udhëzimin administrativ Nr.2/2009).

Fytyra e shtetit dhe e panelit përzgjedhës!

Anëtarët e këtij komisionit ishin me profesione të ndryshme, gazetar të avancuar deri në majat e hierarkisë së MPJ-së, sociolog nga koha ish-socialiste ose edhe më keq sociolog të globalizmit (përshkrim fare absurd, as që mund të ketë të tillë kurrkund në botë, pos në Kosovën e paradigmave), ndonjë me titull Master nga ndonjë kolegj privat etj. Kjo është fytyra e shtetit dhe e komisionit, që nuk di as për vete e lëre më të zgjedh një personel për diplomaci në shtet perëndimore. Metoda e konkurrimit, fillimisht, ishte dizajnuar ashtu për ti joshë kandidatet, ndërsa provimi me shkrim ishte sita që i diskualifikojë në start një shumicë syresh, duke e ngushtuar listën më tej për intervistë. Sa do të garantoj kjo metodë e përzgjedhjes së personeli diplomatik dhe konsullor, mbetet të shihet. E sigurt është se me testin në fjalë, nuk do të bëhet dot asnjëri kandidat diplomat me automatizëm. Detyra për të zgjedhurit nuk do të jetë e lehtë, kërkon punë dhe angazhim (nuk duhet mbyllur brenda kullës dhe të bëhet sehir). Dihet vetëm brenda ditës, sa arrestime, e dëbime bëhen nga autoritet e shtetit pranues ndaj kosovarëve (p.sh, në Gjermani).

Ndërtimi i një mekanizmi të ri komunikues ose Diplomacia përmes informacionit?

Thënia e shkrimtarit shqiptar I. Kadare Ra ky mort e u pamë shpjegon shumë për skandalin tonë, për përgatitjen e diplomacisë sonë, për tu mbrojtur nga imazhi i keq që ne krijojmë për vetveten, apo të tjerët na hedhin, kur t’ju teket. Gjëja më e rënd në ketë skandal është fakti se nuk kemi reaguar fare. Edhe më keq, kemi besuar se duhet të krenohemi me prezantim në media, ta quajmë sukses diplomatik, vetëm kur në ndonjë përvjetor të ditëlindjes së Republikës na kushton ndonjë gazetar gjerman, ndonjë rresht. Edhe më keq tani kur nuk e kemi pritur, as nuk e kemi parë as ëndërr, se pikërisht, një politikan i shtetit pranues, në vend që të na mbroj, na sulmon, na fyen në baza kombëtare, në identitet.

Sa ishte e përgatitur për raste të tilla urgjente diplomacia jonë, nuk do koment. Diplomacia e shtetit tonë duhet të interesohet për ta mbrojtur imazhin, interesin e shtetit të vet, aty ku është caktuar dhe jo vetëm kaq. A mund ta përcjell përfaqësuesi i misionit diplomatik opinionin publik që krijohet për ne, në shtetin pranues, çdo ditë dhe sa mundet ai, me një personel të përgatitur (qe akoma nuk e ka) për të reaguar me kohë. Strukturat e përfaqësimit tonë diplomatik (flas posaçërisht për selinë e ambasadës në Berlin), deri tani, shumë pak kanë shfrytëzuar ekspertizën e kuadrove tona, që për fat të mirë i ka Kosova jashtë shtetit. Nuk është akoma vonë, për të ndërtuar një mekanizëm, një kulturë të komunikimit, e cila mund reflektoj në ndryshimin e qasjes ndaj shtetit dhe institucioneve të Republikës, një kulturë të mirëfilltë të komunikimit brenda dhe jashtë mureve të ambasadës, që kjo të reflektojë si duhet në opinion. Imazhi ynë këtu krijohet edhe duke reaguar me kohë, duke treguar me punë dhe politikë të informacionit se jemi në gjendje ti mbrojmë interesat e qytetarëve, të shtetasve tanë.

(Autori është magjistër në Publicistikë - Shkencat e Komunikimit dhe Shkencat e Evropës Lindore- Universiteti i Lirë i Berlinit)