Skandali në koncert, fotografitë e Andy Byron me familjen bëhen virale - dukej një martesë e lumtur

Një video e publikuar nga koncerti i Coldplay në Boston më 16 korrik u bë virale dhe solli në qendër të vëmendjes një skandal që tronditi jo vetëm rrjetet sociale, por edhe jetën personale dhe profesionale të Andy Byron, ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë teknologjike “Astronomer”.
Në pamjet që u shpërndanë me shpejtësi, Byron u pa në përqafim të ngushtë me Kristin Cabot, shefen e burimeve njerëzore të kompanisë së tij, gjatë momentit kur u filmuan nga kamera e famshme “Kiss Cam”.
Reagimi i tyre i papritur, teksa tentonin të fshihnin fytyrat, shtoi dyshimet për një lidhje jashtëmartesore, duke ndezur një valë reagimesh në rrjet.

Pas këtij incidenti publik, bashkëshortja e Byron, Megan Kerrigan, një edukatore e njohur në një shkollë në Massachusetts, reagoi duke larguar mbiemrin e burrit nga profili i saj në rrjetet sociale dhe më pas duke fshirë tërësisht llogarinë e saj në Facebook.

Më parë, ajo kishte ndarë shpesh foto familjare me burrin dhe dy djemtë e tyre, që reflektonin një jetë të qetë dhe të lumtur familjare.

Ndërkohë, Megan mori mesazhe të shumta mbështetjeje nga të panjohur, që e përgëzuan për dinjitetin dhe i sugjeruan të kërkojë ndarje.
Komentet publike e përshkruanin si ‘zonjë me nivel’ dhe e inkurajonin që të marrë atë që i përket pas gjithë asaj që kishte ndodhur.

Skandali çoi edhe në pasoja profesionale për Byron, i cili dha dorëheqjen nga pozita e CEO në kompaninë e tij, pasi “Astronomer” nisi një hetim të brendshëm mbi situatën.
Ngjarja është shndërruar në një shembull klasik të rënies së imazhit publik, nga një familje model në sy të publikut, në zemër të një drame personale që u bë lajmi i ditës në mediat ndërkombëtare. /Telegrafi/
@instaagraace trouble in paradise?? 👀 #coldplay #boston #coldplayconcert #kisscam #fyp




























































