LAJMI I FUNDIT:

S’ka mësues për filloristët shqiptarë të Kllukovecit

S’ka mësues për filloristët shqiptarë të Kllukovecit

Vetëm premtime janë dhënë deri tani për problemin e nxënësve shqiptarë në Komunën e Velesit, pasi asnjëri prej tyre nuk është zgjidhur si duhet, shkruan gazeta KOHA.

Në përjashtim të disa bojërave që lyen muret e një klasë 9 metra katror dhe të ca pllakave që mbuluan tavanin, shkolla periferike “Vasil Gllavinov” e këtij fshati vazhdon të mbetet po me atë objekt gjysmë të rrënuar, pa mësimdhënës dhe pa asnjë shpresë se gjërat do të ndryshojnë edhe vitin e ardhshëm shkollor.


“Asnjë problem nuk është zgjidhur për fat të keq deri tani. Vetëm premtime dhe shantazhime kemi pasur deri tani”, pohon për KOHA, Rasim Shemsedini, kryetari i Këshillit të prindërve, duke shtuar se është irrituese dhe nënçmuese mënyra se si sillen institucionet kompetente me çështjen e shkollimit të 48 nxënësve të kësaj shkolle.

“Drejtohemi në komunë për të pyetur se deri ku kanë shkuar punët për realizimin e kërkesave tona dhe na mbyllin dyert duke na pyetur përse nuk shkojmë te ministri shqiptar i arsimit. Këta të fundit thonë se janë marrë vesh me përfaqësuesit komunal që ti zgjidhin problemet, por në fakt del se nuk janë marrë vesh aspak”, plotëson Shemsedini.

Si përfundim, nxënësit e klasës së parë të cilët u ndanë në klasë të veçantë, sot e kësaj dite janë pa mësimdhënës, ndërsa 45 nxënësit tjerë mësojnë në paralele të kombinuara, të ndara në dy klasa. Më i dhimbshëm, sikurse shpjegon ai, është fati i 13 nxënësve filloristë të klasës së parë, të cilët nuk kanë mbajtur deri tani asnjë ditë mësimi.

“Shkojnë në shkollë, por nuk kanë mësues. Ne si prindër na vjen keq ti ndalojmë që mos shkojnë në shkollë. Nuk duam t’jua prishim gazmendin e moshës, gëzimin e fëmijëve se po shkojnë në shkollë. Mirëpo, realisht shkojnë kot. Si shkojnë – ashtu edhe vinë, pa pasur mundësi të mësojnë asgjë, sepse nuk kanë mësues gjithë këtë kohë”, deklaron Shmesedini.

Sipas tij, fajtorë për këtë gjendje janë jo vetëm përfaqësuesit e Komunës së Velesit, e cila edhe ashtu nuk kujdeset për nxënësit dhe shkollimin në gjuhën shqipe, por edhe përfaqësues të MASH-it. Prandaj, ai u bën thirrje të dyja palëve që t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të pyesin veten si do të ishin sjellë nëse fëmijët e tyre shkojnë në shkollë dhe vijnë në shtëpi pa mësuar asgjë.

“Nëse mendojnë se kjo është njerëzore dhe profesionale, atëherë le ti lirojnë nga puna edhe mësuesit e fëmijëve të tyre, pasi mundet kështu për fëmijët tanë. Nuk kemi asgjë personale me askënd dhe nuk dëshirojmë të bëjmë politikë. Vetëm kërkojmë që fëmijët tanë të shkollohen, nëse jo në kushte bashkëkohore si maqedonasit, të paktën në kushte minimale”, shprehet i revoltuar ai.

Shemsedini kujton se jo më larg se 2 kilometra nga fshati Kllukovec, në fshatin Ivankovc për rreth 70 nxënës maqedonas janë në dispozicion 17 mësimdhënës. Sakaq, për rreth 50 nxënësit shqiptarë të Kllukovecit, MASH-i dhe Komuna e Velesit nuk janë në gjendje të sigurojnë as mësuesin e tretë.

Këto padrejtësi janë të turpshme në shekullin 21 dhe nuk do të duhej të kishin vend në një shtet multietnik që synon integrimin në BE. Është e lehtë të krekosesh para kamerave dhe të deklarosh se jemi marrë vesh që problemi të zgjidhet, plotëson Shemsedini. Por, puna është të zgjidhen vërtetë problemet.

Në emër të Këshillit të prindërve, ai thotë se siguron se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre për shkollim e fëmijëve të tyre në gjuhën amtare pasi janë kërkesa në të drejtën e tyre si prindër. Njëkohësisht, ata janë të shqetësuar edhe me cilësinë e shkollimit të fëmijëve të tyre.

Na ndajnë tre muaj nga përfundimi vitit shkollor dhe nuk kanë mbajtur asnjë ditë mësimi siç duhet 13 nxënësit e klasës së parë. Të tjerët, gjithashtu mësojnë me improvizime, me paralele të kombinuara, të cilat çuditërisht formohen vetëm kur janë në pyetje nxënësit shqiptarë.

Në trend Lajme

Më shumë
Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë mes një veture dhe dy motoçikletave

Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë mes një veture dhe dy motoçikletave

Kronika e Zezë
Martesa e dy vajzave në bashkinë e Tiranës, ligji shqiptar nuk lejon martesa të së njëjtës gjini, reagon Kisha Katolike

Martesa e dy vajzave në bashkinë e Tiranës, ligji shqiptar nuk lejon martesa të së njëjtës gjini, reagon Kisha Katolike

Lajme
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Kasami: Deklarata të rrezikshme nga Ali Ahmeti, VLEN nuk është e interesuar për konflikte mes shqiptarëve

Kasami: Deklarata të rrezikshme nga Ali Ahmeti, VLEN nuk është e interesuar për konflikte mes shqiptarëve

Politikë
Tahiri: 30 maji është data e fundit që të shpërbëhet Kuvendi

Tahiri: 30 maji është data e fundit që të shpërbëhet Kuvendi

Lajme
Kusari - Lila: Nuk kemi kërkesë zyrtare për shpërberje të Kuvendit

Kusari - Lila: Nuk kemi kërkesë zyrtare për shpërberje të Kuvendit

Lajme
Kalo në kategori