Situata e furnizimit me ujë në Podujevë, Bulliqi shkon në Fabrikën e Ujit në Shajkoc

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me Drejtorin për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, kanë vizituar Fabrikën e Ujit në fshatin Shajkoc, ku u takuan me Kryeshefin Ekzekutiv të KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, si dhe me zyrtarë të tjerë të kësaj ndërmarrjeje.
Gjatë vizitës është diskutuar çështja e reduktimeve të shpeshta në furnizimin me ujë të pijes në Komunën e Podujevës, problem që ka shkaktuar shqetësim te qytetarët.
“Bashkë me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, sot ishim në vizitë në Fabrikën e Ujit në Shajkoc për t’i shprehur shqetësimet e qytetarëve tanë lidhur me furnizimin me ujë të pijes. Nga Kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Prishtina’, Arsim Fetahu, dhe zyrtarët e ujësjellësit u njoftuam se reduktimet gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur si pasojë e turbullirave të mëdha, ndërsa lajmi i mirë është se furnizimi me ujë pritet të përmirësohet deri në fund të javës”, ka deklaruar kryetari Bulliqi.
Nga ana tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, ka sqaruar se turbullirat janë shkaktuar nga mbushja e shpejtë e liqenit, çka ka pamundësuar funksionimin me kapacitete maksimale të fabrikës.
“Për shkak të turbullirave nuk ka qenë e mundur të operojmë me kapacitete të plota dhe për pasojë kanë ndodhur reduktime në furnizimin me ujë të pijes. Megjithatë, presim që deri në fund të kësaj jave gjendja të përmirësohet”, është shprehur Fetahu.
Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me KRU “Prishtina” për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijes për qytetarët. /Telegrafi/



















































