I am a jihadist. Indeed, it’s even worst, I am a taliban. At least, I am declared so by a famous Kosovo journalist and by another famous “neutral” – “independent” analyst (that speaks alike with prime-minister Thaçi). I shkrova këta rreshta anglisht që ta marrin vesh të huajt çfarë jam. T’ua kursej punën edhe gazetarëve edhe “analistëve” neutral e të pavarur, por edhe SHIK-ut njëkohësisht. Atributet që po na jepen neve që nuk mendojmë si EULEX dhe PDK janë të shumta. Po na quajnë qyqe që dimë vetëm të kukasim. Po na quajnë komunistë. Trockistë. Vandalë. Nacionalistë. Primitivë. Na patën quajtur vegla të Sheshelit. Madje patën thënë se financohemi nga Shesheli! Ata i thonë këto fjalë për veshët e të huajve. E dinë se iu pëlqen shumë atyre të denoncohen njerëzit si xhihadistë e komunistë.
Ku është duke shkuar kjo shoqëri? A duhet të mendojmë të gjithë njësoj? A duhet të jemi të gjithë nën kontroll të perëndimorëve për të qenë evropianë? A duhet t’u bindemi cartoon-simboleve që na i caktuan të na përfaqësojnë për të qenë të pranueshëm për Evropën?

Shoqëria kosovare është shoqëri skajshmërisht e kontrolluar. Madje do të thosha e kërcënuar. Shihni posterët vizuelisht agresiv të KFOR-it. Lexojeni gjuhen e policisë në broshurat që iu shpërndan qytetarëve një ditë para një proteste të paralajmëruar tërësisht si paqësore.

Demokracia nuk ndërtohet me kamxhik në dorë. Demokracia para së gjithash dhe sidomos ndërtohet duke pasur një qytetar të zgjuar që e thotë haptazi mendimin e vet. Që Kosova nuk është demokraci kjo është tërësisht e qartë. Vetëm një aspekt mjafton të observohet për ta kuptuar se ne jemi shoqëri e kontrolluar. Ku ka një vend që mëton të jetë demokratik ku ushtria e qeveria nuk ka kurrfarë kufizimi në propagandë? Si mund të mendojë lirshëm një qytetar që për çdo ditë, në secilin qosh, përballohet me spote agresive ku duken ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë me tanke në gatishmëri në sfond?

Pra, është e qartë që Kosova nuk është as që po shkon drejt një vendi demokratik, por është një produkt ushtarak ku dominon autoriteti ushtarak. Mirëpo, problemi është pse kjo nuk iu bie në sy intelektualëve kosovarë, analistëve kosovarë, gazetarëve kosovar? Natyrisht është e qartë që ata as që guxojnë ta sfidojnë praninë agresive të policisë, ushtrisë, militantëve partiak të kamufluar si shërbime partiake të inteligjencës. Ata guxojnë të shfryhen ndaj grupeve civile që përpiqen të thonë diçka jashtë fjalive të paracaktuara nga laboratorët ushtarake.

Si është e mundur që një proteste paqësore t’i përgjigjet me agresivitet policia, televizioni publik, zyrat e huaja në Kosovë dhe askush, në asnjë moment, të mos e kap me një sy kritik tërë këtë presion? Si është e mundur që agresiviteti të jetë i drejtuar ndaj protestuesve kur ata janë të rrethuar nga forca policore e në asnjë moment të mos bëhet një analizë se si u bë që policia të nxjerrë një broshurë që nxiste panik vetëm një ditë para protestës e televizioni publik të bëjë një kronikë që i ngjante kronikave të televizionit serb në kohën e Millosheviqit. Kush është xhihadist në këtë mes?

Natyrisht në protestë mund të ketë elementë të gjithfarshëm. Protesta ishte kundër protokolleve EULEX-Serbi. Aty kanë ardhur njerëzit në mënyrë vullnetare për ta thënë atë që dëshirojnë qoftë me parulla qoftë me brohoritje. Lumturimi i një pjese të medias pse numri i protestuesve më 14 shtator ishte më i vogël sesa numri i protestuesve në nëntor e dhjetor të vitit të kaluar nuk fshihej. Por protestues pati mjaftueshëm. Protesta me disa mijëra pjesëmarrës nuk mund të quhet protestëz. Një numër i tillë protestuesish vështirë se nxirren në rrugë edhe në shtete me shoqëri më të zgjuar sesa kjo kosovare që është në prag të letargjisë. Në fjalimin para protestuesve kam thënë se protesta po ndodhë pas një terrori informativ dhe një represioni policor. Përkundër kësaj njerëzit iu përgjigjen protestës.

Megjithatë kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishmja është se kjo protestë e ka ekspozuar përfundimisht një sistem kontrolle e linçi që është vendosur në Kosovë nga të huajt dhe nga Qeveria. Sistemet e tilla kanë vetëm një përfundim. Ato dështojnë nga vetë shtrëngimi, të cilin e kanë në natyrën e vet. Këto sisteme shkatërrohen nga vetë fondamenti mbi të cilin ngrihen, nga shtrëngimi e presioni. Kjo ka ndodhur në tërë historinë e njerëzimit, kjo s’ka pse të mos ndodhë në Kosovë. Në fund ngelet vetëm fytyra e nxirë e atyre që u shërbejnë këtyre sistemeve.

(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)