Sinergji mode në Venecia: Kur Versace shkëlqen dy herë

Dy yjet e Hollywood-it rikthejnë në tapetin e kuq idenë e bujarisë dhe modës së qëndrueshme
Në Festivalin e Filmit në Venecia, Amanda Seyfried u shfaq me të njëjtin veshje nga Versace që disa ditë më parë e kishte veshur Julia Roberts, duke e shndërruar tapetin e kuq në një dialog mode mbi bujarinë, qëndrueshmërinë dhe një kapitull të ri për këtë shtëpi mode.
Julia Roberts mbërriti në Festivalin e Filmit në Venecia për të promovuar filmin e saj të ri “After the Hunt” me regji të Luca Guadagnino-s. Gjatë ditës ajo kishte veshur një kombinim nga Versace - xhinse të errëta me bel të lartë dhe këmbë të drejta, të kombinuara me një sako të gjerë blu të errët dhe një këmishë retro me vija të verdha, kafe dhe bezhë, të theksuar me një rrip me kopëza ari.
Pamjen e kishte plotësuar me këpucë të gërshetuara prej lëkure dhe një çantë lëkure me iniciale. Ky kombinim ishte krijuar nga drejtori i ri kreativ i Versace-s, Dario Vitale, koleksioni i parë i të cilit do të prezantohet në fund të shtatorit, transmeton Telegrafi.
Një Versace, efekt i dyfishtë
Amanda Seyfried, gjatë promovimit të filmit “The Testament of Ann Lee”, kishte zgjedhur një kombinim identik ditor. Meqenëse ndan të njëjtën stiliste me Julia Roberts, ajo kërkoi që të huazonte këtë pamje. “Ju lutem, më lejoni të vesh të njëjtën kombinim,” shkroi Seyfried pranë postimit që Elizabeth Stewart kishte ndarë për Roberts.
Kërkesa u aprovua, dhe të hënën Seyfried publikoi në Instagram një foto të saj me stilim identik me Julian, me përjashtim të zgjedhjes së këpucëve.
Ky nuk ishte shembulli i vetëm i përsëritjes së kombinimeve në tapetin e kuq. Cate Blanchett, e njohur për qasjen e saj të qëndrueshme ndaj modës dhe për përsëritjen e shpeshtë të veshjeve, mbërriti ditën e parë të festivalit në Venecia me një fustan të shtëpisë Armani Privé, të cilin e kishte veshur më parë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Screen Actor’s Guild Awards 2022.
/Telegrafi/



















































