LAJMI I FUNDIT:

Sinan, ku i ka blirët Prishtina sot?

Në një Prishtinë të vjetër, të kalldrëmit, të blirit e të “pranverës në Prishtinë”, nuk e kemi gjetur jetën siç e deshëm deri në mesin e vitit 1999, por, nga ky vit e sot nuk e gjejmë Prishtinën e dëshirave tona. Tani ndjej dhembje për një ëndërr të prishur, sepse pas çlirimit të gjithë menduam se Prishtina do të shkonte drejt perfeksionit. Kisha gabuar rëndë kur kisha menduar se të gjithë kishim të njëjtin qëllim. Dikush veproi ndryshe. Na i dha dëshirës karton të kuq.

Sot është pranverë në Prishtinë. Duhet të jetë gjelbër dhe pastër. Me njerëz të qeshur dhe me një “Gërmi” të gjallë, ose me shumë të tillë që shkojnë në punë, por mendjen e kanë në një fundjavë të bukur. Duhet të ketë pensionistë që presin autobusin me biletë mujore në xhep, apo studentë “in love” që mungojnë qëllimisht në orë. Me gjethet e para, do të duhet të ishte e freskët Prishtina sot. Me një panoramë të bukur, me një ngjyrë pozitive, periferi në zhvillim, me një qendër që transmeton kulturë dhe me një “pejton” që i vjen era bli.


Kur shoh përreth rezulton që e kërkoj një qytet të humbur. Në fakt ta kërkoj Prishtinën e vjetër të kujtimeve të mia është si ta gjurmosh Trojën. Nuk e gjen dot, por edhe nëse e gjen, nuk e sheh madhështinë e saj që e ka pasur dikur, por vetëm rrënojat. E unë në qytetin tim të lindjes shoh vetëm konturat e një qyteti që dikur kishte mundësi, por që iu mohua në mënyrën më banale e drejta për të qenë i madh e gjithsesi për të qenë mburrja e gjithë banorëve të saj.

Para se të hyj detajisht përbrenda qytetit të dikurshëm më duhet të them se në asnjë rast nuk ndjej nostalgji për Prishtinën e dikurshme për shkak të gjendjes politike dhe sociale në atë kohë. Megjithatë jashtë çështjeve politike / dhunës e diskriminimit, në aspektin e urbanizmit disa gjëra të vogla qëndronin si duhej.

Derisa fola për rrënojat mu kujtua se para disa ditësh, në një copë betoni (rrënoje edhe kjo), me kopertina të trasha dhe botim pak a shumë të vjetër e gjeta “Shqipëria çka ka qenë, ç`është dhe çdo të bëhet”. Sigurisht e ka harruar ndonjë lexues i rrallë që në mungesë të një ulëse në vende publike është ulur aty. Nëse ka ndenjur gjatë ka fituar temperaturë sigurisht. Sidoqoftë, vepra që e ka harruar është e bukur patjetër. Një analizë kronologjike dhe parashikim për të ardhmen. Si thoni ta zëvendësojmë Shqipërinë me fjalën Prishtina në këtë rast? P.sh: “Prishtina çfarë ka qenë, ç`është dhe çdo të bëhet”? Po e ndajmë në tri pjesë ashtu siç është edhe vepra origjinale.

Çfarë ka qene Prishtina?

Një “ korzë me kocka” që mund të ketë qenë një imitim i kalldrëmeve të vjetra që sot e ndesh vetëm në brendësi të ndonjë kështjelle diku jashtë vendit, ndoshta jo perfekte, por megjithatë e kishte të veçantën e saj. Kishte një qetësi relative në mbrëmje meqenëse bllokohej për qarkullim të automjeteve. Ndërtimet kolektive i nënshtroheshin inspektimeve të rrepta të ndërtimtarisë derisa mbindërtimet kanë qenë vetëm në raste shumë specifike e me leje speciale për vendosjen e tyre.

Periferia nuk ishte në gjendje të mirë, as që bëhet fjalë, sepse nuk figuronte për shkak të përbërjes etnike në prioritete komunale të atëhershme, por në fund të fundit nuk kishte as shtrirje të vazhdueshme në mënyrën më të egër që u bë disa vite më pas.

Qyteza Pejton ishte pjesë e ndërtuar me saktësi dhe me lartësi të njëjtë. Ishte e ndriçuar dhe nuk përdorej për qëllime biznesi apo aktivitete tjera komerciale. Me vonë, në ditët e vështira të masave të dhunshme, u improvizuan disa institucione shkollore dhe mediale, mirëpo assesi të figuronin brenda asaj qyteze kazino apo bastore sportive që sot janë dhe përfitojnë në kurriz të banorëve të saj. Si zonë e veçantë banimi, që dikur kishin një jetë të qetë (për nga niveli i zhurmës), sot pjesa më e madhe e banorëve është shpërngulur, dhe qyteza pejton është kthyer në një kompleks të çuditshëm tregtar apo aktivitetesh sociale dhe politike.

Prishtina dikur kishte një trafik urban më të saktë dhe punimet që bëheshin në qytet nuk merrnin kohë të madhe për finalizim. Nuk bëheshin investime të mëdha shkaku i pengesave të tmerrshme politike, por ato që ishin mbeteshin të pacenuara. Objekte reklamuese nuk kishte dhe prezenca e makinave në qytet ishte shumë e vogël. Nuk do të hyj tani në analizën a ka qenë mirë apo keq, sepse nuk ka çka të analizohet kur botërisht është e qartë që jeta brenda saj në çdo periudhe ishte e vështire, por këtu targeti është i saktësuar se dua të bëj një përshkrim të Prishtinës (si qytet) ashtu siç ishte.

Përshkrimi mund të vazhdojë gjatë, por do të ndalem në një pike thelbësore: Prishtina në atë kohë kishte mundësi për zhvillim të koordinuar dhe po ashtu kishte një perspektivë nga më të mirat dhe më produktivet. Kishte hapësirë që të mendohej për ndërtime të brendshme e po ashtu kishte mundësi të planifikohej saktë dhe të programohej zhvillimi i jashtëm i saj.

Në një Prishtinë të vjetër, të kalldrëmi , të blirit e të “ pranverës në Prishtinë”, nuk e kemi gjetur jetën siç e deshëm deri në mesin e vitit 1999, por nga ky vit e sot nuk e gjejmë Prishtinën e dëshirave tona. Tani ndjej dhembje për një ëndërr të prishur, sepse pas çlirimit të gjithë menduam se Prishtina do të shkonte drejt perfeksionit. Kisha gabuar rëndë kur kisha menduar se të gjithë e kishim të njëjtin qëllim. Dikush veproi ndryshe. Na i dha dëshirës karton të kuq.

Çfarë është sot Prishtina?

Në përshkrimin e mëhershëm, ato defekte që nxora para jush dhe ato që nuk i thashë (por që i kujtojmë ende), kisha shpresën që në një Prishtinë të sotme do të zhdukeshin apo të paktën do të minimizoheshin. Nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë se qyteti qe e duam aq shumë do të shkonte drejt një kaosi dhe degjenerimi total. Miqve të mi, të rinj e të vjetër, sot iu them që jam fëmijë i një Prishtine të varfër e të çuditshme dhe një i rritur i Prishtinës së sakatosur. Se çfarë plaku do të bëhem (shpresoj të arrij moshën e thyer) dhe cilës Prishtinë do t’i takoj atëherë, është shumë vështirë të thuhet, sepse të gjitha tabelat orientuese, sot çojnë në drejtime plot pesimizëm. Shumë prej tyre kanë edhe shenjën e rrezikut të vizatuar në të.

Prishtina duket e zymtë sot, jo për shkak që sapo kemi ikur nga dimri, por thënë shkurt, i mungojnë ngjyrat. Ajo fasade që filloi t’i jepej ndërtesave në qendër të Prishtinës ishte pjesë e fushatës në prag të zgjedhjeve. Në momentin që u kumtuan rezultatet nuk kishte më skele dhe punëtorë me ngjyrë nëpër ndërtesat tjera. Ndoshta kompanive që punuan për t’i dhënë pak ngjyrë Prishtinës iu erdhi letra me përmbajtje të shkurtër “mbaroi, shihemi pas katër viteve”. Sa keq, edhe ata mbetën pa punë edhe Prishtina pa ngjyrë. Një fotografi e sotme e Prishtinës duket si një e tillë e fotokopjuar vetëm me dy ngjyra, bardhë e zi. Aq ngjyrë ka sot.

Trendi i zhvillimit të Prishtinës është shumë i ngadalshëm. Ata që kanë mundësi për të ikur në vendet tjera të rajonit shohin një intensitet enorm të punimeve krahasuar me këtu. Një punë e vogël bëhet dhe duartrokitet përbrenda zyrave komunale për më shumë se një vit. Nëse kështu vazhdon, atëherë ai plani i zhvillimit të Prishtinës i ekspozuar edhe para publikut, ku parashihej edhe rrënimi i gjysmës së Prishtinës për të nxjerrë në sipërfaqe dy lumenjtë e varfër me ujë të qytetit, do të duhet të realizohej pas 500 vitesh. Shpenzimi i energjisë në drejtim të gabuar është veprim për të cilin nuk kemi nevojë, në këtë rast projeksione të cilat edhe autorët e dinë që nuk kanë asnjë gjasë të realizohen. Konkretisht Prishtina ka nevojë për punë në teren dhe jo në “ 3d max” e “Archicad”, ka nevojë për “përvjelje mëngësh” dhe jo për shtrëngim kravatash.

Disa njerëz janë të prirë për ping pong. Elemente dhe veti të këtij aktiviteti fizik dikush i ka të shprehura edhe në sjellje personale. Psh: kur lyp përgjegjësi për devijime apo mospunë nga zyrtarë komunalë, ata të çojnë nga një fushë në fushën tjetër, nga një derë në derën tjetër, nga një zyrë në zyrën tjetër. Pse janë bërë rrugë pa ndriçim, stërzgjatje në punime, mangësi në aspektin ekologjik, devijime në planifikim hapësinor dhe leje të dyshimta pune, nuk është kokëçarje e askujt sot përbrenda dy objekteve komunale që njëra rezulton të ketë probleme në ndërtim.

Kur bie fjala tek ekologjia dhe ngjyra e gjelbër më kalon shpejt në mendje një këngë e Sinan Vllasaliut që edhe e shtroj këtu si një pyetje simbolike:
Sinan, ku i ka blirët Prishtina sot???
Meqenëse nuk i shoh më, dikush na i ka prerë sigurisht.

Prishtina e nesërme

Jeta në ndërtesa kolektive është e ndjeshme, ndonjëherë aspak e qetë, por mbi të gjitha është një ndër vendet që ta përplasë realitetin fytyrës çdoherë. Mjafton një çaj diku në fqinjësi dhe veshi të kap gjëra që nuk ke menduar ndonjëherë që ndodhin. Shpeshherë puna e izolon njeriun dhe vetvetiu krijon opinionin se gjërat në natyrë janë ashtu siç i ndjen i sheh dhe i percepton vetë. Kur nuk ke bashkëbisedues jashtë profesionit dhe kolektivit është mëse evidente ekzistenca e një varfërie në botëkuptimin që ndërton në raport me gjërat që ndodhin jashtë. Pikërisht shtresa e parë që mendon ndryshe mund të gjendet në fqinjësi, mu në ato banesa kolektive që janë një mal i madh mendimesh në lidhje me çdo element të jetës. Pjesë e jetës është edhe parashikimi ku ky i fundit është shumë më domethënës në qoftë se ndërtohet duke marrë përbaze mendimet e tjerëve.

“Çfarë do të bëhet Prishtina” është parashikim, por më shume se kjo mundim i thellë i atyre që në mungesë të të mirave materiale, fëmijëve të tyre do tu lënë trashëgim dashurinë për Prishtinën. Është pika më e ndjeshme e qytetarëve të republikës dhe njëkohësisht pasqyra e gjithë shtetit në sy të të huajve. Është 100% temë e diskutimit edhe tek fqinjët e mi, edhe në ndërtesa tjera kolektive, edhe te Shoku e Martini, por edhe në shumë vende tjera private e publike.

Rezultati nga bisedat me ta për të ndërtuar një parashikim të denjë është zero. Ka prej tyre që të bëjnë pishman pse ke hapur gojën për këtë temë, por edhe prej atyre që shohin në Prishtinë metropole e superqytete për shkak që është formacioni politik i preferuar i tyre në krye të qytetit derisa për një faj ( kur i zë ngushtë me argumente eventuale ) i referohen adresave tjera.

Thënë shkurt nëse marrim për bazë të sotmen nuk ka shenja konkrete për ta imagjinuar Prishtinën si metropol. Të paktën me këtë punë dhe tempo jo. Nuk ka asnjë shkëndijë që të tërheq andej. As mua edhe as ata me të cilët pi çaj shpesh një hyrje më andej. Të gjithë ndodhemi në një kryqëzim ku na ndeshet në mënyrë të egër gjendja e sotme me shpresën për të ardhmen.

Prishtina dhe unë si fëmijë i saj kurrë më nuk do të kthehemi në gjendjen që ishim dikur. Mua nuk do të më zhbëhen vitet e kaluara, edhe ndonjë fije floku i zbardhur sikurse që nuk do t’i zhbëhen Prishtinës gjërat e mbrapshta që nga mbindërtimet e deri tek ato ndërtime të larta (me leje të dhëna shumë çuditshëm) në mesin e kuarteve të dedikuara për ndërtim të njëllojtë dhe të ulët.

Sikurse muri aziatik i ndërtuar si masë preventive për të ndalur Xhingis Khan-in është e gjatë edhe lista e problemeve aktuale të Prishtinës. E gjatë është edhe lista e dëshirave dhe kërkesave të njerëzve qe e duan Prishtinën. E vetmja gjë e shkurtë është “shpresa” që përkundër gjendjes jo të mirë nuk ikën kurrë. Unë shpesh në takimet me njerëz i citoj pleqtë që thonë se zi e terr gjithmonë nuk mund të jetë. Parimisht jam dakord, sepse ditët e mira edhe në qoftë se nuk shihen ato diku ekzistojnë. Megjithatë ato nuk i sjell as behari dhe as shiu pas të korrurave. Ato nuk i lëvizë ndonjë forcë natyrore përveç se qenies njerëzore. E kjo e fundit duhet te lëvizë shkëmbin që ka zhytur në mjegull Prishtinën.

Nuk kam ndonjë dyshim se Prishtina dikur do të bëhet qytet siç e duam, por të paktën përveç pasardhësve të mi, do të doja që edhe unë ta shoh njëherë të tillë.

Sinan, ne i mbjellim blirët edhe njëherë, por me të vetmin kusht:
Të mos na i presin sërish.

Në trend

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Kalo në kategori