LAJMI I FUNDIT:

Simulacrum

Simulacrum

Nga: Halil Matoshi

1.

Mendimtari është vetmitar; ai nuk bân “NE” me askënd. Prandej, ai sot – në epokën e populizmit – jo vetëm për shkak të Covidit 19, është inekzistent, është shndërru në simulacrum.

Punon online – nga shtëpia!?

Ose, rri krejtësisht larg nga dinamikat e zhvillimeve në shoqni.

Në karantinë.

2.

Sëkëndejmi, mendimi kritik e veçon njeriun e lirë nga skllavi i bindjeve dhe besimeve – e totemeve parake – duke i dhânë atij fuqinë me e kapërcy epokën e tij.

“Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm.

Refuzimi më real është ai që mbështetet në bindjen, e bindja në argument, apo në temë thënë me terminologji antike greke. Gjithsesi do thënë se refuzimi realizohet në aporinë e pazgjidhshme të raportit trikotomik imponimi-pranimi- refuzimi. (…)

Dhe ne, përmes refuzimit, çlirohemi nga opresioni ose biem viktima të tij, bëhemi robër të tij. Njeriu në këtë plan, ka vetëm dy zgjidhje, thjesht e shkurt: po e jo. (…)” (Ibrahim Rugova; “Refuzimi estetik”, Kompleti i veprave; Fq 11-12. “Faik Konica”, Prishtinë, 2005.)

3.

Sepse njeriun e shquen intenca e rebelimit kundër shtrëngesave. Kundër dogmës.

4.

“Që nga Rilindja Europiane e deri në epokën e iluminizmit, program i Kohëve Moderne ka qenë ta çlirojë shpirtin njerëzor nga e vërteta e Zbulesës dhe nga dogmat e Kishës.

I çliruar nga çdo tutelë, njeriu tashmë nuk kishte kujt t’i jepte llogari përveçse arsyes së vet.

Ai dilte nga gjendja e tij prej të mituri (sipas formulës së famshme të Kantit) dhe shpallej i aftë për të menduar pa ndihmën e babait. Këtij përcaktimi të njeriut të rritur Renani i shton një klauzolë, duke shkëputur jetën shpirtërore nga bashkësia ku ajo i ka rrënjët.

Tek njeriu – pohon Renan – ka një fuqi ndarjeje: ai mund ta shkëpus vetën nga konteksti i vet, të dalë nga sfera kombëtare, të flasë, të mendojë e të krijojë pa dëshmuar aty për aty tërësinë nga e cila ka lindur. Me fjalë të tjera, luftën madhështore për mëvetësinë e tij kundrejt instancave atërore që kërkonin t’ia ngushtonin fushën e mendimit, ai nuk e ka fituar për t’u gëlltitur, në çast, nga kjo nënë e përbindshme: kultura. Para kulturës franceze, kulturës gjermane apo kulturës italiane, ka një kulturë njerëzore… (Alain Finkielkraut, “Disfata e mendimit”, Botoi “Marin Barleti”, Tiranë 1999.)

5.

Turma ka nevojë për bukë e lojëra dhe përballje të dhunshme. Pas daljës nga historia të shtypit, televizioni (mjeti ‘arkaik’ i komunikimit ende i gjallë) po u jep turmave kënaqësinë e rrezikut të naltë, Fake News e dhunë verbale (edhe fizike), seksizëm e misogjini, nacionalizëm dhe pështyma…

Studiot televizive janë shndërru në laboratorë ku dizajnohet racizmi!?