LAJMI I FUNDIT:

Silva Gunbardhi: Jam rrëzuar e ringritur shpesh, ndaj jam bërë më e fortë

Silva Gunbardhi: Jam rrëzuar e ringritur shpesh, ndaj jam bërë më e fortë

Jo gjithmonë jemi ata që dukemi, por me këngëtaren, Silva Gunbardhi, gjeta atë që duket e dëgjohet. Një ëmbëlsi dhe elegancë në sjellje, thjeshtësi në komunikim, që vishnin një karakter këmbëngulës. Zëri i kulluar i shkonte për shtat portretit dhe karakterit.

Mes një koncerti dhe tjetrit, nga jugu në veri, Silva na rrëfehet ekskluzivisht për jetën e saj, dashurinë për familjen, pasionin për këngën që në vogëli, sakrificat dhe ëndrrat.

Mbi 15 vjet në skenë, të cilat e kanë bërë sot një nga zërat më të spikatur të skenës muzikore shqiptare.

Intervistoi: Juela Meçani

E keni filluar aktivitetin me këngën qysh në vogëli. Çfarë kujtoni nga ato vite?

U bënë rreth 15 vjet, tashmë, që kam filluar aktivitetin si këngëtare. Çfarë kujtoj? Kujtoj vite të tëra përpjekjeje dhe sakrificash. Kujtoj kohët kur merrja autobusin me nënën time për të ardhur në Tiranë, që të realizoja një ëndërr të madhe – nga e cila çdo sekondë, çdo ditë e çdo muaj jam munduar të mos heq dorë kurrë.

Dalja juaj e parë në një spektakël për të rritur, ishte vetëm 16 vjeç. Si rrodhën gjërat më pas? Kush e pikasi talentin tuaj?

Që në kopsht dalloja nga fëmijët e tjerë, sepse në çdo aktivitet mua më vendosnin në krye të grupit për të kënduar. Isha e vogël atëherë kur në çdo koncert që organizohej, direkt drejtoheshin nga unë. Më pas, bashkëpunimi me institucionet e kulturës si Shtëpia e Kulturës ose teatri “Petro Marko” në Vlorë, më ndihmuan që të përforcoja bindjet e mia se mund të isha këngëtare dhe të rritesha si talent.

Në panoramën e këngës shqiptare, ju shquheni për një ëmbëlsi në vokal dhe portret. Ju ka ndihmuar kjo në dashurinë e publikut ndaj jush?

Dashuria e publikut është tepër delikate, kështu do ta quaja. Ajo nuk mund të ndodhë me të gjithë. Ka shumë njerëz që duan të bëhen artistë, të cilët investojnë fort në këtë fushë dhe nuk ia dalin ta fitojnë dashurinë e publikut. Është e brishtë, sepse ka momente që e ke, ka momente që ndihet e fuqishme, por ka edhe momente që ndihet dobët. Por më e rëndësishme është që kur ylli ndrin, dashuria e publikut është aty, e pakrahasueshme dhe e pazëvendësueshme me asgjë. Nuk e di se çfarë më ka ndihmuar mua personalisht ta kem këtë dashuri të publikut, di vetëm që kam qenë vetvetja edhe në këngë, edhe në intervistat që jap. Jam thjesht unë, pa u munduar të imitoj dikë, ndonjë figurë të suksesshme ose ndonjë zë, ose dhe të flas si dikush tjetër. Në këtë pikë ndihem e qetë, sepse nuk jam munduar të sforcohem.

Nuk di a t’ju quaj këngëtare të këngës së lehtë apo popullore qytetare, gjithsesi jeni profilizuar tek të dyja. Por ju vetë, kë preferoni?

Unë këndoj edhe muzikën e lehtë, tabanin dhe ato burimore. Mendoj që një këngëtar i mirë, duhet ta këndojë edhe tradicionalen edhe modernen njëkohësisht. Nuk do të zgjidhja midis të dyjave, sepse më pëlqejnë shumë. Nuk do ta lija mënjanë muzikën tradicionale, sepse aty i kemi rrënjët, nga aty vijmë, është identiteti ynë kombëtar. Njëkohësisht secila rrymë muzikore ka vendin e saj, ndaj nuk do t’i përjashtoja.

Edhe sot, ju përfaqësoni këngën më të klikuar në Shqipëri. Kjo këngë dëgjohet edhe në klubet më të famshme në Evropë. Sa ju ka gëzuar kjo gjë?

Kënga “Të ka lali shpirt” është ajo që bëri ndryshimin në karrierën time. Kisha vite që këndoja nëpër festivale, këndoja këngë burimore, pa tentuar asnjëherë të bëhesha pjesë e një rryme të tillë. Jo se unë në këngë kam ndryshuar natyrën, por këndova në një duet me një djalë që ishte i drejtuar në një natyrë të kënduari të përcaktuar. Nuk jam bërë asnjëherë pishman për këtë këngë, e cila ka sjellë gëzim kudo në botë. Nuk ka pasur në Shqipëri, përkrahje maksimale nga mediet. Shumë drejtues të medieve e kanë dëgjuar dhe shijuar heshtazi këtë këngë, por në publik janë munduar të mos shfaqin vlerësim fare për të, ta shmangin, ose kanë shfaqur kritika. Por populli është ai që vendos. Kudo në botë, nëse një produkt pëlqehet nga populli, nuk ka shans ta ndalojë kush. Sot nuk ka më diktat, nëse një popull pëlqen një këngë dhe i ngjall emocione. Por është e vështirë që një këngë të ngjallë emocione të fuqishme menjëherë.

Kur kënga ka sukses, bëhet pjesë e jetës së njerëzve. Mua më vjen mirë që përmes saj, u bëra pjesë e jetës dhe gëzimit të njerëzve të shumtë. Shumë artistë shpenzojnë shuma marramendëse për të hyrë në tregun ndërkombëtar dhe kënga “Të ka lali shpirt” theu një tabu, sepse u këndua 100% shqip në shumë vende të botës.

Pas një hiti si “Të ka lali shpirt”, sa e vështirë është të qëndrosh në po atë standard fame?

Karriera muzikore nuk qëndron asnjëherë në të njëjtin nivel. Edhe malet që i ka krijuar zoti nuk kanë të njëjtën kurbë, – janë herë më lart, herë më poshtë. Edhe karriera muzikore kështu është, sepse edhe këngët që krijoj apo interpretoj janë të natyrave të ndryshme. Unë do të vazhdoj të krijoj gjithsesi, rëndësi ka që fama të jetë krijuar, fama ime ishte e pamenduar se do të ndodhte, ishte një surprizë për mua. Unë e shikoj si një shtysë që unë të jem pjesë e këngës edhe në vitet në vazhdim.

Si ka lindur dashuria me partnerin tuaj të jetës? A është e lehtë marrëdhënia mes dy artistësh?

Dashuria mes nesh ka lindur shumë natyrshëm. Ishim shokë përpara se të lidheshim. Njihnim çdo sekret të njëri-tjetrit. Ai fliste lirshëm me mua e unë me të. Më pas lindi një dashuri pa e menduar, sepse kur e do dikë nuk mendon se çfarë do të ndodhë më pas, nuk ke frikë. Ishte aq e fuqishme, saqë nuk mendonim për asgjë që do të vinte më pas. Donim thjesht të shijonim atë që kishte lindur. Më pas, kjo dashuri u përkrah edhe nga familjarët e shkoi më tej.

Që ta mbajmë të fortë marrëdhënien tonë mes dy artistësh, është e lehtë. Ne kuptohemi mirë të dy dhe jemi gjatë gjithë kohës, pothuajse, bashkë. Mendoj që kur është dashuria e sinqertë dhe në kokë ke konceptin se dëshiron të jetosh jetën normalisht e jo duke u zënë si në një kopsht zoologjik, atëherë funksionon. Unë dhe Dafi nuk i kemi qejf zënkat, mund të debatojmë siç ndodh me të gjithë, por kemi jetë të qetë. U bënë katër vjet tashmë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.

Ju ka bashkuar edhe më shumë djali juaj, sot dy vjeçar. Do të kishe dëshirë të merrej dhe ai me art?

Lindja e djalit ishte një moment i rëndësishëm dhe, faktikisht, të dy si prindër të rinj, iu përkushtuam djalit dhe kishim pak kohë për veten. Por tani djali ka mbushur 2 vjeç dhe kërkon atë privatësinë e tij. Falënderoj edhe nënë time që kujdeset për të! Tani kemi më shumë kohë për njëri-tjetrin. Unë nuk dua ta përcaktoj se me çfarë do të merret Dalvin në jetë, por i lutem zotit që ta nuhasë talentin që ka dhe ta mbushë në iniciativat e tij; në atë çfarë ai vetë ka dëshirë të bëjë! Nuk kam asnjë të drejtë të përcaktoj fatin e tim biri, vendos vetëm ai!

Ku e gjen qetësinë dhe prehjen Silva?

Prehjen e gjej pranë familjes, pranë njerëzve të afërt që më duan, pranë natyrës. Më pëlqejnë shumë punët e fshatit, pushimet aktive. Nuk më pëlqen të rri buzë detit e të bëj banjë dielli, por të jem aktive, të lëviz. Por prehjen më të madhe e gjej pranë dashurisë më të madhe, djalit tim!

Kur ju prezantojnë një këngë të re, nga se e zgjidhni atë?

Zakonisht këngët i krijoj vetë dhe tekstet i bëj në bashkëpunim me “2 step”, – autorët me të cilët kam zgjedhur të bëj tekstet. Kur më prezantojnë një këngë, së pari tregohem e kujdesshme nëse më shkon apo jo, sepse nuk mund të këndoj çdo lloj kënge. Më pas, shikoj melodinë a është e kohës, nëse i shkon për shtat kohës dhe në fund, është teksti. I jap shumë rëndësi fjalëve, i dua të vërteta ato. Kam vendosur të qëndroj me thjeshtësi pranë njerëzve, që t’i këndojnë edhe ata dhe jo vetëm unë apo familja ime.

Pavarësisht zërave të rinj, ju ende jeni e ndjekur dhe e pëlqyer. Pse mendoni se ndodh kjo?

Ka shumë talente të reja në muzikë, ka zëra të bukur çdo ditë që dalin, tentojnë e përpiqen të bëhen të famshëm e të fitojnë simpatinë e publikut. Unë jam pjesë e tregut muzikor, falë përpjekjeve të mia dhe familjes. Kam investuar shumë orë e mund në art, punë në studio. Unë i përkrah gjithë talentet e reja dhe mendoj se është mirë që këngëtarët e rinj përpiqen, si unë dikur. Ndaj më vjen mirë që sot janë të shumtë. Sekreti është vetëm puna dhe intuita.

Çfarë i mungon tregut muzikor shqiptar që të jetë konkurrues me tregun ballkanik dhe evropian?

Disa këngë shqiptare dëgjohen në vende të ndryshme të botës dhe këto janë shenja të mira për tregun muzikor shqiptar. Suksesi nuk vjen si brom, menjëherë. Është përpjekje e vazhdueshme për të kaluar kufijtë. Mendoj që të gjitha përpjekjet janë tregues i mirë për të dalë tej kufijve. Ajo që i mungon tregut muzikor shqiptar, nuk janë aspak talentet, por kultura e të përkrahurit të tyre nga sponsorët, industritë dhe sipërmarrjet private që nuk i ndihmojnë këto talente ta vazhdojnë karrierën. Me përkrahje do të kishte qenë më i fuqishëm përfaqësimi i këngëtarëve shqiptarë në botë. Pra, mungon mbështetja dhe menaxhimi.

Ka pasur mendoj rast kur për ju nuk ka qenë e lehtë. Pa prekur detajet, sa të fortë ju kanë bërë vështirësitë?

Nuk vij nga një familje që janë muzikantë ose emra të njohur, në mënyrë që ta kisha rrugën e shtruar. Nëna dhe im atë kanë qenë në drejtime të ndryshme. Nuk i kam pasur të lehta gjërat, ndaj vështirësitë më kanë bërë më të fortë. Më janë mbushur sytë shpesh me lot kur me nënën përpiqesha e shpesh gjeja shumë dyer të mbyllura. Më duhej të kompozoja këngët e të paraqitesha në Tiranë. Jam rrëzuar e ringritur shumë herë, por edhe këto pjesë e jetës janë, duke më përgatitur për të gjitha vështirësitë në vazhdim.

Jeni prezantuar këtë verë me një hit të ri. Më tregoni si lindi ky bashkëpunim.

Kënga “I love you” është bashkëpunim me bashkëshortin tim, Dafi. Lindi nga një orkestrim i bukur i DJ Aldo. Më pas u krijua melodia dhe teksti. Rrodhi shumë natyrshëm kjo këngë me një superklip. Është kënga ime e preferuar dhe shpresoj të pëlqehet nga publiku, sepse e kam punuar me dashuri të madhe.

A ka Silva ende një ëndërr në sirtar, sa i takon muzikës? A mund ta dimë?

Çdo natë, përpara se të fle, them me vete: “Do ta realizoj edhe këtë në këngë, edhe këtë, edhe këtë..” kam një sirtar të madh të mbushur plot me ëndrra për muzikën, e do të punoj çdo ditë për t’i realizuar. Kështu është kënga, të jep kënaqësi, por gjithmonë je me mendimin se t’i mund të bësh diçka më shumë.

A keni miqësi në art?

Kam miqësi në art me disa këngëtarë. Ata me të cilët kam kontakt, janë pozitivë, sepse mundohem të mos i prek aty ku ne dalim nga vetja. Kam marrëdhënie shumë pozitive me kolegët, në veçanti me ata të ngushtët me të cilët bashkëpunoj shpesh.

Cili është virtyti që, më së shumti, do ia mëkoje djalit tënd?

Kam shumë dëshira për djalin që të bëhet njeri i mirë, të jetë këmbëngulës, i dashur e i sjellshëm! Do të ketë gjithmonë mbështetjen time që të bëhet një djalë i shkolluar e i ditur dhe ta gjejë rrugën e tij! Një mendje e ndriçuar e gjen gjithmonë rrugën e vet!

Jeni dakord kur thonë, një fëmijë i lumtur është ai me një nënë të realizuar e të lumtur?

Një fëmijë është i lumtur, nëse në familjen e tij ka harmoni. Një fëmijë me një nënë të realizuar jo domosdoshmërish është i lumtur, sepse rritet nën hijen e pushtetit të prindit, qoftë femër apo mashkull. Harmonia në familje bën që fëmija të ketë vetëbesim, mendoj që mirëkuptimi, mbështetja, dashuria reflektohet tek fëmija. E shikoj edhe tek im bir, ai e ndjen që ne shkojmë mirë, e shikoj që ai buzëqesh kur ne jemi në harmoni.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Dani Alves me festë

Dani Alves me festë "të çmendur" në vilën e tij milionëshe në Barcelonë pasi u lirua nga burgu

Magazina
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Kalo në kategori