LAJMI I FUNDIT:

‘Sikurse rusët’ – rritja e aktivitetit të spiunazhit kinez vë në alarm Evropën

‘Sikurse rusët’ – rritja e aktivitetit të spiunazhit kinez vë në alarm Evropën

Ishte si një episod i thrillerit të spiunazhit “The Bureau“. Një oficer i lartë i inteligjencës franceze i njohur si Henri M. dërgohet në Pekin, ku bie në dashuri me përkthyesen e ambasadorit dhe fillon t’i transmetojë armikut informacione sekrete.

Menjëherë pas kësaj, ai kthehet në Francë dhe në vitin 2020 dënohet me tetë vjet burg për dhënien e “informacioneve paragjykuese” te një vend i huaj – edhe pse vepra ishte kryer dy dekada më parë. Një agjent tjetër i njohur si Pierre-Marie H., i cili vazhdoi të spiunonte për Kinën deri në arrestimin e tij në 2017 u dënua me 12 vjet burg.

Dënimet e ashpra të agjentëve dhe vendimi i Francës për të nxjerrë në pah aktivitetet e tyre me anë të një gjykimi publik, pasqyrojnë shqetësimin në rritje evropiane se operacionet e spiunazhit të Kinës po rriten në shtrirje dhe përbëjnë një kërcënim më të madh se ato të Rusisë – kundërshtarit tradicional të Perëndimit.


“Operativët e inteligjencës kineze janë në të njëjtin nivel me rusët”, tha një ish-shef i degës evropiane të Agjencisë së Inteligjencës Amerikane (CIA).

“Operacionet më të mira të Kinës tani janë po aq të mira sa ato të Rusisë”, konfirmoi një zyrtar aktual i inteligjencës perëndimore.

Drejtuesit e shërbimeve intelegjente MI5 dhe FBI paralajmërojnë për një kërcënim të madh spiunimi nga Kina
Lexo po ashtu Drejtuesit e shërbimeve intelegjente MI5 dhe FBI paralajmërojnë për një kërcënim të madh spiunimi nga Kina

“Disa prej tyre janë të shkëlqyera… në durimin e tyre”, shtoi një agjent tjetër.

Kina tashme është e njohur për sulmet e avancuara kibernetike, siç është hakimi i Microsoft në vitin 2021, i cili komprometoi 30 mijë organizata në mbarë botën dhe që SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe thanë se ishte kryer nga grupe kriminale që punonin me urdhër të Pekinit.

Por, sipas tetë zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës Perëndimore, aftësitë e saja në inteligjencën njerëzore (HUMINT), kanë fituar një nivel të sofistikimit që zakonisht lidhet me spiunazhin rus, duke ngritur alarmin në vendet tjera.

“Rusët kanë qenë në spiunazh që nga ditët e Carit [para Bashkimit Sovjetik], ata thjesht e pëlqejnë këtë. Tradicionalisht, kinezët kanë HUMINT dukshëm më të dobët, por ata kanë qenë në një kurbë të pjerrët të të mësuarit”, tha Alex Younger, ish-kreu i Shërbimit të Jashtëm britanik të Inteligjencës (MI6).

Rritja e aktivitetit të fshehtë nga Partia Komuniste që është në pushtet në Kinë, u përshkrua si “ndryshuese e lojës” nga Ken McCallum, kreu i Shërbimit të Brendshëm britanik të Inteligjencës (MI5) dhe shefi i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Christopher Wray, në një konferencë të përbashkët në Londër.

Investimet kineze në Ballkan, Serbia 'okupohet' me 61 projekte në vlerë prej 19 miliardë eurosh
Lexo po ashtu Investimet kineze në Ballkan, Serbia 'okupohet' me 61 projekte në vlerë prej 19 miliardë eurosh

“Ne nuk po e qajmë ujkun”, tha McCallum, gjë që ishte i ashpër paralajmërimi i tij, pasi erdhi në mes të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

Me teknikat e spiunazhit të Kinës gjithashtu shumë të ndryshme nga ato të Rusisë, agjencive perëndimore duhet të rikonfigurojnë qasjen e tyre ndaj kundërzbulimit.

Christine Lee, një avokate dhe shtetase britanike, u veçua nga MI5 kur ndërmori hapin e pazakontë duke lëshuar një njoftim publik se ajo ishte një “agjente me ndikim” për Kinën edhe pse shkeljet e saj të supozuara pro-Pekinit nuk ishin kriminale.

“Spiunazhi kinez nuk është as një variant i qasjes ruse. Thjesht të pajtohesh se çfarë përbën një agjent kinez mund të jetë e vështirë”, tha zyrtari i inteligjencës.

Ata thonë se operacionet e jashtme të Rusisë zakonisht vazhdojnë të mbështetën në një traditë të oficerëve elitë të rasteve, të trajnuar në teknikat e spiunazhit si komunikimet e koduara, për të arritur një objektiv specifik sigurie. Megjithatë, Kina ka synime më të gjera, duke filluar nga ndikimi politik deri te marrja e sekreteve tregtare ose teknologjike.

“Spiunimi rus ka tendencë të jetë i fokusuar në një rreth të ngushtë, ndërsa Kina përdor një qasje për ‘të gjithë shoqërinë’”, tha një zyrtar tjetër i inteligjencës.

Ata iu referuan Ligjit kinez për Inteligjencën që kërkon që “të gjitha organizatat dhe qytetarët” të “mbështesin, ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me përpjekjet e inteligjencës kombëtare”.

“Spiunazhi rus gjithashtu ka tendencë të jetë me rrezik të lartë, madje edhe i madh”, tha një tjetër zyrtarë, duke përmendur tentativën për helmimin e agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal në Angli në vitin 2018.

CEPA: Si Kina po rrezikon sigurinë kombëtare të Shqipërisë
Lexo po ashtu CEPA: Si Kina po rrezikon sigurinë kombëtare të Shqipërisë

“Rusët mund të jenë të ngathët, mjaft arrogantë dhe ndonjëherë duket se zotërojnë një mentalitet ‘më kapni nëse mundeni’, por kinezët do të shmangnin çdo lloj skandali spiunazhi sepse duan të ruajnë marrëdhënie të mira dypalëshe”, shtoi ish-oficeri i CIA-së.

Dallimi në stilet e dy vendeve kapet nga një fjalë e urtë e cituar shpesh nga zyrtarët perëndimorë, e cila i imagjinon kokrrat e rërës si objektiva të inteligjencës.

Derisa agjentët rusë nxirrnin natën në sipërfaqe një nëndetëse dhe bënin festë në plazh për të sjellë një kovë me rërë, kinezët do të dërgonin mijëra pushues në mes të ditës për të sjellë ngarkesën prej vetëm një kokërr rërë secili.

Rezultati, sipas Nicholas Eftimiades, një ekspert i Kinës dhe ish-oficer i CIA-së, është “një paradigmë e re se si kryhen aktivitetet e inteligjencës”.

Taktika të tilla mund të çojnë në spiunim joefikas dhe të pakoordinuar, thanë zyrtarët perëndimorë, me disa oficerë kinezë që ndonjëherë i afrohen të njëjtit objektiv. Edhe kështu, shpesh është efektive.

Një vlerësim i SHBA-së sugjeroi se spiunazhi tregtar kinez vidhte deri në 600 miliardë dollarë të pronës intelektuale amerikane çdo vit. BE-ja ka vlerësuar se kjo vjedhje i kushton asaj 50 miliardë euro në vit, me humbjen e 671 mijë vendeve të punës.

“Efikasiteti është më i rëndësishëm për shërbimet e sigurisë së Kinës sesa efiktaviteti”, tha Nigel Inkster, një ish-drejtor i operacioneve të MI6 dhe tani një këshilltar i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Mes shqetësimeve të vendeve perëndimore, Serbia demonstron sistemin raketor të blerë nga Kina
Lexo po ashtu Mes shqetësimeve të vendeve perëndimore, Serbia demonstron sistemin raketor të blerë nga Kina

Një sfidë shtesë, thanë zyrtarët e inteligjencës, është identifikimi i saktë se kush është një spiun kinez pa përdorur profilizimin racor të të dyshuarve të mundshëm.

Përsëri, ndryshimi me Rusinë është i habitshëm. Kryeqytetet evropiane kanë dëbuar më shumë se 600 diplomatë rusë dhe spiunë të dyshuar që kur Moska nisi pushtimin e këtij viti të Ukrainës.

Por “një situatë e ngjashme me Pekinin do të ishte më e vështirë”, tha Inkster, pasi marrëdhënia midis shtetit kinez dhe aktorëve të tij mund të jetë e dobët.

Disa zyrtarë të kundërzbulimit besojnë gjithashtu se analogjia e “kokrrave të rërës” është mashtruese pasi errëson punën e Kinës.

Cilado qoftë qasja, agjencitë perëndimore po luftojnë për të përballuar volumin e rasteve. FBI ka thënë se hap një hetim të ri për spiunazhin kinez çdo 12 orë, ndërsa numri i rasteve të MI5 është rritur shtatëfish që nga viti 2018.

“Shkalla e përpjekjeve të Kinës është befasuese”, përfundon Wray. /Financial Times/Telegrafi/