LAJMI I FUNDIT:

Sikur kryetari, kryeministri, ministrat dhe deputetët ta kenë rrogën nga 320 euro!!!

Titulli i këtij shkrimi, padyshim që dikujt i duket paradoksal dhe tejet i pakuptimtë. Mund të mendoni se autori në fjalë po jetuaka diku në kontinentin e tetë që nuk ekziston, mund të mendoni se si është e mundur i tërë ky angazhim të shoqërohet me një pagë simbolike, dikush tjetër mund të konstatojë se në bazë të kësaj teze të plasuar, autori qenka dukshëm i ndikuar prej ideve rreth zhdukjes së klasave dhe krijimin e një shteti social që dikur ftonte Migjeni, si nuk ju duket kjo mendësi dhe tezë kundër-produktive, madje kjo njëkohësisht është edhe turp përball funksionarëve të shteteve tjera dhe përgjithësisht shkruesi i këtij artikulli qenka larg realitetit ekonomik.

Si rrjedhojë e kësaj largësie ekonomike, do të jemi në vazhdimësi të prirë të hapim debate dhe dilema të reja që shpeshherë janë të habitshme, por që askush prej shoqërisë civile nuk do të ketë faj për absorbimin e këtyre ideve “qesharake”, ndaj ne po mundohemi të hedhim dritë mbi problemet, qofshin paradoksale dhe qesharake për dikë jashtë Ballkanit, duke e ditur realitetin se po jetojmë në një vend të tillë qesharak dhe humoristik, humor fare pakripë, ndërsa i prezantuar prej funksionarëve si i ëmbël, por askush asnjëherë nuk e pa këtë shtet duke konsumuar sheqer dhe mjaltë.


Mund të ketë të drejtë lexuesi i nderuar, por para se të privilegjohet me një të drejtë dhe konstatim të tillë, unë pyes, vallë ju duket realitet ekonomik financimi në objekte të vdekura edhe atë në kohën e krizës financiare, financimi i kompanisë së Pasko Kuzmanit për zbulimin e nëntokës, që realisht asaj i përkasin duke menduar rreth të kaluarës e cila patjetër atyre duhet t’i përket, financimi i enciklopedisë qëllimi i së cilës ishte fyerja e shqiptarëve, mirëmbajtja e kryqeve dhe kishave, pastaj në kuadër të mbulesës së këtyre shpenzimeve të pakuptimta, pasuan dënimet astronomike, ku nëse pështyn në ndonjë funksionarë, më falni në rrugë do të dënohesh me 50 euro, nëse e hedh ndonjë mbeturinë në Qeveri, më falni në tokë do të dënohesh po ashtu 50 euro, qoftë edhe nëse nuk gjeni shporta dot, patjetër duhet ta mbani mbeturinën apo letrën në dorë me orë të tëra deri sa ta gjeni ndonjë shportë dhe nëse eventualisht ke harruar ndonjë pajisje të veturës në shtëpi do të dënohesh me 300 euro e më lartë.

Papritmas duke ecur rrugës i zhgënjyer se pse rroga e muajit mars asnjëherë nuk po takohet me rrogën e muajit prill, i dëgjon sirenat dhe alarmin e veturave të funksionarëve të rrethuar me roje, veprim i cili të shtyn të mendosh se, vallë funksionarin në fjalë e ka zgjedhur populli, apo pritet që ta dënoj populli, nëse kjo nuk është e vërtetë, pse atëherë ruhet prej popullit aq trishtueshëm. Kështu gjithherë kishte ndodhur, kur vozitësit, të voziturit, veturat dhe sirenat kishin energji dhe kalori të tepruar.

Nuk është thënë kotë se, njeriu me barkun plot dhe i rrethuar me gjitha të mirat e Zotit, nuk do të ketë kohë të mendoj edhe për pjesën tjetër shumicë, zorrët e të cilëve prodhojnë muzika të zhanreve të ndryshme, muzikë e krijuar si rrjedhojë e barkut të tej zbrazur. Ata gjendjen e shtetit e shohin vetëm prej prizmit të vetë, ata fëmijët tjerë mundohen t’i kuptojnë përmes fëmijëve të vetë, me një fjalë, ata jetësimin e gjitha të mirave materiale i shohin përmes të mirave të tyre, por nëse me të vërtet mendojnë kështu, atëherë moralisht janë të detyruar që mos t’i besojnë rrogës mesatare në vend, kësisoj ata duhet që për rrogë mesatare në vend ta marrin rrogën e tyren, ngase kështu po ua ka ëndja ta shohin shtetin dhe funksionimin e familjeve të tyre.

Që të realizohet një kuptim real rreth gjendjes aktuale të popullit, dhe për t’ia ditur hallet reale popullit, këta të zgjedhur për momentin duhet ta shoqërojnë popullin edhe me rroga, mjaftë më vetëm me premtime, tek pastaj mund ta dinë se sa keq qenkan qytetarët e vendit, që shpresat i kanë varë te ata që goja prej haresë në vazhdimësi po i bënë vetëm muzikë. Funksionarët në fjalë, lere që rrogën e kanë sa katërfishi i rrogës mesatare, por edhe një rrogë tjetër e nxjerrin prej mëditjeve, duke qenë të angazhuar nëpër komisione të shumta dhe të ndryshme, vlera e të cilave sillet e pështillet vetëm brenda katër mureve të objektit ku mbahet mbledhja dhe diskutimi, krejt në fund në mungesë të oksigjenit politik, diskutimi dhe frytet e mbledhjes vdesin, varrimi bëhet pas mandatit të tyre!

Tragjikja qëndron në atë se, po të njëjtët funksionarë harruan se dikur edhe ata ishin në po të njëjtin hallë dhe mjerim, mjerim i cili i bëri të mendojnë natë e ditë se si të vijnë në pushtet, për t’i treguar paraardhësve të tyre pushtetarë, se edhe ne dimë të bëjmë sikurse ju, do të vij koha kur edhe ne do të pendohemi, pastaj mund të bëhemi analistë të privilegjuar ku do t’i kundërshtojmë dukurit negative që po e sjellin në humnerë shoqërinë.

Pra, nëse trumbetohet të dilet nga kjo krizë financiare dhe morale, urgjentisht duhet venduar në plan afatmesëm shtetërorë, që rrogat e funksionarëve të puqen e të bëjnë dashuri të barabartë me rrogat e pjesës së popullit të punësuar.