LAJMI I FUNDIT:

Si u harrua Adem Demaçi nga subjektet politike?

Letër liderëve të partive politike

Zonja e zotërinj,
Më lejoni që së bashku me urimet e mija për suksese tuja në zgjedhjet e ardhshme të ju kujtoj disa lëshime tuja që po i përsëritni që nga viti 1999. Ato janë të shumta prandaj unë do të kufizohem në disa më kryesoret nga këto gabime.


Edhe pse Adem Demaçi është institucion në vete, (si simbol i rezistencës), kur pas vitit 1999 OSBE-a i organizonte zgjedhjet në Kosovë (si pas dëshirës së tyre), nuk isha shumë i befasuar kur Demaçit po i bllokohej rruga për në institucione. Dihej me kohë që Adem Demaçi nuk do të lëshonte pe para askujt në dëmin e Kosovës, prandaj OSBE-a kërkonte njerëz që janë të gatshëm për kompromise të kalbura në favor të Serbisë.

Megjithatë isha i befasuar, aso kohe, se si disa titistë të dëshmuar, përmes disa partive arritën të bëhen deputet të Republikës së Kosovës edhe pse ata i kishin prirë fushatës se dhunës të regjimit jugosllav në të gjitha ndëshkimet ndaj popullit të vet para dhe pas 1981, kur ata u rreshtuan në anën e Beogradit kundër krijimit të Republikës së Kosovës. Disa nga ata kur vdiqën u varrosën edhe me nderime ushtarake të ish TMK. Ndërsa për ne që kishim luftua për krijimin e Republikës së Kosovës vazhdoi deiferncimi dhe izolimi i kohës së ish Jugosllavisë. Ata që nuk pranuan të rreshtohen në partitë e tyre politike, pavarësisht se e kishin shkrirë jetën e tyre e të familjeve të tyre në luftë për liri, u injoruan tërësisht! Këto fakte tregojnë se Kosova me vështirësi po ndahet nga mentaliteti i njerëzve të regjimit titist. Sepse mentaliteti i tyre thoshte, që duhet të jesh anëtar i LKJ nëse donë me përparua! Dhe kjo që po ndodh tani u trashëgua nga ajo kohë! Kush nuk është në parti i ka të mbyllura tëra rrugët.

Pas 1999, shumica nga luftëtarët nga lufta dolën edhe më të varfër se sa ishin para lufte, ndërsa profiterët e luftës, që kurrë nuk e kishin fituar paranë nga djersa e vet, u pasuruan brenda natës.

Jam plotësisht i sigurt se po të zgjidhej Adem Demaçi për President të Republikës të Kosovës pas 1999:
– Statusi i Kosovës do të zgjidhej brenda 3 viteve,
– Kosova do të ndahej përgjithmonë nga regjimi i diktaturës titiste
– Kosova do të vendoste vet për fatin e vet.

Por, ato qarqe pro sllavo-greke ndërkombëtare, që e njihnin Adem Demaçin, bërën çmos që ai të mos bëhet pjese e institucioneve të Republikës së Kosovës. Këtë e arritën përmes të liderëve të Partive Politike, nga ana e të cilëve Adem Demaçi u anashkalua dhe u izolua. Megjithatë, edhe kjo mund të kishte një far kuptimi para shpalljes së pavarësisë, kur UNMIK-u sundonte mbi Kosovën.

Pritej që në vitin 2008, tre muaj pas shpalljes së pavarësisë të mbahen zgjedhjet e para të organizuara nga vendorët dhe tani ishte rasti kur vet Kosova të vendos për pjesëmarrjen e Adem Demaçin në institucione të Republikës të Kosovës. Por, zgjedhjet e para parlamentare u shtyn për 3 vite, sepse kaq kohë i duhej Brukselit për ti imponuar Kosovës me dhunë Statusin, Kushtetutën dhe Ligjet e veta diskriminuese, për mes të Planit famëkeq të Ahtisaarit.

Ja edhe tani kur më në fund erdhi koha për mbajtjen e zgjedhjeve të para pas shpalljes së pavarësisë të Republikës të Kosovës, kjo sërish po bëhet me inskenime të nevojës për “zgjedhje të jashtëzakonshme”, pa u bë regjistrimi i popullsisë dhe pa i përgatit subjektet për pjesëmarrje si duhet. Po shihet se dhelprave sërish po ju duhet mjegulla! Nuk ka kur far fshehtësie se ky inskenim erdhi nga ndërhyrja e BE e cila nuk është e interesuar që çështja e Kosovës të zgjidhet në favor të shqiptarëve – që ata i kanë konvertua në “kosovarë”.

Vet mbajtja e zgjedhjeve para regjistrimit të popullsisë dhe pa pjesëmarrjen e diasporës tregon se Brukseli po bën përpjekje që të e falsifikon përbërjen nacionale të Kosovës në favor të kolonive serbe. Nuk është çudi që para zgjedhjeve dhe para regjistrimit të popullsie të hiqen vizat për Kosovën dhe të zbrazet Kosova nga rinia e saj ! Zaten mu për këtë qëllim po bëhet terrori social ndaj të rive.

I lexova listat zgjedhore të subjekteve politike dhe ndodhi ajo që nuk e pritja të ndodh kësaj radhe! Më befasoi fakti se asnjëra nga këto subjekte nuk e pan të arsyeshme që Adem Demaçi të hyn në listat zgjedhore, së paku për Deputet të Republikës të Kosovës! Edhe pse nga populli po vinë zëra që vetëm Adem Demaçi duhet të i besohet detyra e Presidentit të Republikës të Kosovës. Pse duhet pa tjetër me qenë anëtar i subjekteve politike për të hy në lista për deputet!?

Mundem të ju them, se mua si qytetar të thjesht, nuk do të arrin të më bind askush se Kosova është e lirë dhe pavarur derisa sa të mos e shoh vet Adem Demaçin në fronin e Presidentit. Për mua si qytetar të thjesht, kjo është tregues se a kemi institucione që dalin nga vullneti i popullit apo kemi institucione të emëruara nga Brukseli, si dikur që emëroheshin do marioneta nga ana e Beogradit.

Prandaj, këto zgjedhje të jashtëzakonshme do të mbesin edhe të jashtëligjshme nëse Adem Demaçi mbetet edhe kësaj radhe jashtë institucioneve. Ju garantoj të gjithë liderëve të subjekteve politike që po e anashkalojnë Adem Demaçin se Kosova nuk ka me ecë as një hap përpara në rrugë e këtyre padrejtësive. Apeloj te të gjithë liderët e subjekteve politike që ta korrigjojnë këtë gabim para 12 Dhjetorit 2010. UD i Presidentit duhet t’i thërret në një takim të gjithë liderët e subjekteve politike, ku ata bashkërisht do ta kandidojnë Adem Demaçin për President të Republikës të Kosovës. Anashkalimi i Adem Demaçit është tirani ndaj të gjithë luftërave të lirisë, të cilën ata nuk do ta tolerojnë më!