Si t’i shpëtoni flokët pa i prerë: Shprehitë që duhet t’i ktheni në rutinë

Ekspertët tregojnë cilat hapa ndihmojnë që flokët të duken më të shëndetshëm, majat e dëmtuara të zbuten dhe gjatësia të ruhet sa më gjatë
A keni provuar për muaj të tërë t’i rrisni flokët, vetëm që në fund të detyroheni t’i prisni për shkak të majave të çara dhe të dëmtuara? Nuk jeni të vetmit, kjo u ndodh shumë njerëzve.
Edhe kur përdorim shampo hidratuese ose maska cilësore, ndonjëherë kjo nuk mjafton. Megjithatë, ekzistojnë disa mënyra për ta ruajtur gjatësinë dhe për ta mbajtur flokun të hidratuar, pa prerje të menjëhershme dhe pa shkuar domosdoshmërisht në sallon.
Ekspertët kanë ndarë disa shprehi që, edhe pse nuk mund t’i riparojnë plotësisht majat e dëmtuara, mund ta përmirësojnë ndjeshëm pamjen e tyre, ta ngadalësojnë dëmtimin e mëtejshëm dhe të ndihmojnë që problemi të mos përsëritet.
Kujdes me nxehtësinë
Para së gjithash, ekspertët e fushës së bukurisë theksojnë se gjatë përdorimit të tharëses, figaros ose hekurit për flokë duhet të jemi shumë të kujdesshëm.
Çdo pajisje që punon me nxehtësi duhet të shoqërohet me produkt mbrojtës ndaj nxehtësisë. Në të kundërtën, flokët thahen më shpejt, humbin shkëlqimin dhe majat bëhen më të prirura për çarje, transmeton Telegrafi.

Krehja duhet të jetë e butë
Po aq e rëndësishme është edhe mënyra si i trajtojmë flokët çdo ditë. Krehja e ashpër, sidomos kur flokët janë të lagur, mund t’i dëmtojë fijet dhe t’i bëjë më të brishta.
Më mirë është të përdoret një krehër me dhëmbë të rrallë ose furçë e përshtatshme, duke nisur nga majat dhe pastaj duke vazhduar gradualisht drejt rrënjës.
Shmangni frizurat shumë të shtrënguara
Bishti shumë i ngushtë, topuzët e fortë dhe lidhëset e ashpra mund ta dobësojnë flokun dhe ta këpusin atë me kalimin e kohës.
Për përdorim të përditshëm, më mirë janë frizurat më të lira dhe lidhëset e buta, të cilat nuk e tërheqin flokun.
Serumet dhe vajrat janë hap i domosdoshëm
Në fund, ekspertët theksojnë rëndësinë e serumeve dhe vajrave për flokë. Ato ndihmojnë në mbylljen e kutikulës së fijes, e bëjnë flokun të duket më i lëmuar, më i shëndetshëm dhe më me shkëlqim.
Serumet dhe vajrat janë veçanërisht të dobishme për majat, sepse krijojnë një shtresë mbrojtëse dhe ndihmojnë që flokët të mos thahen edhe më shumë.
Edhe pse flokët e dëmtuar nuk mund të rigjenerohen plotësisht, kjo është një e vërtetë që duhet pranuar, ka produkte shumë efektive që mund ta përmirësojnë pamjen e tyre dhe t’i mbrojnë nga dëmtimi i mëtejshëm.
Këto produkte zakonisht kombinojnë vajra natyrale, polimere dhe përbërës zbutës, të cilët e lëmojnë kutikulën, parandalojnë tharjen, ushqejnë fijet dhe e bëjnë stilimin shumë më të lehtë. /Telegrafi/










































