LAJMI I FUNDIT:

​Si do të shkruhet aktgjykimi në një proces gjyqësor pothuajse tërësisht të mbyllur?

​Si do të shkruhet aktgjykimi në një proces gjyqësor pothuajse tërësisht të mbyllur?

Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të 11-të në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili ka dëshmuar tërësisht në seancë private. Kryegjykatësi Charles Smith ka tërhequr vërejtjen për seanca të shumta që po mbahen private si dhe për redaktimet e tepërta.

Ndërsa mbrojtësit e Thaçit dhe Veselit kanë kërkuar vlerësim të masave mbrojtëse për dëshmitarët e mbrojtur të prokurorisë.


Në një konferencë për ecurinë e çështjes, trupi gjykues ka pyetur Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) edhe se si do të shkruhet aktgjykimi, marrë parasysh redaktimet e tepërta.

“Kemi parë parashtrimet me shkrim që na i keni dërguar të gjithë ju, i kemi marrë në shqyrtim të gjitha këto parashtrime. Disa gjëra i kemi në duar edhe ne, i kemi diskutuar me njëri-tjetrin, është e rëndësishme të theksojmë dhe të pajtohemi që seancat të jenë sa më publike të jetë e mundur, por ama është e vështirë, është e vështirë. Kështu është situata. Ndonjëherë redaktimet janë të tepërta, ka fjali që janë shumë të vështira t’i lexojmë. Të gjitha ‘e zezë, e zezë, thuhet shkojnë në e zezë, ora kaq e zezë’, nuk kanë kurrfarë kuptimi. Për mua kryesorja është që para se të marrim dëshmitarin tjetër për të dhënë dëshmi, të gjitha redaktimet të rishikohen dhe të shohim pastaj se sa seanca mund t’i kemi publike dhe sa private dhe ky është një aspekt që duhet trajtuar”, ka thënë Smith.

Tutje, kryetari i trupit gjykatës ka theksuar se duhet të ketë grupim të dëshmive private.

“Të gjithë pajtohemi që duhet të përpiqemi të kemi sa më shumë seanca publike në këtë proces gjyqësor. Duhet që shumica e dëshmive të dëgjohen nga publiku, por ka sigurisht edhe dëshmi që mund të dëgjohen në seanca private. Por, e mira është që këto të grupohen bashkë. E kemi thënë, jemi përpjekur, herë të tjera e kemi harruar fare. Nuk e di pse nuk i grupojmë dot dëshmitë, pavarësisht se kush është dëshmitari, të përpiqemi që të kemi njëfarë strukturimi. Pra, ato që kemi private për shkak të materialeve të mbrojtura, të përpiqemi t’i bëjmë në një grupim dhe pjesë të tjera t’i bëjmë në një moment të dytë. Sepse, këtu përfshihen edhe redaktimet, prandaj”, ka shtuar Smith.

Prokurori i specializuar ka thënë se do të përpiqen që seancat të jenë publike dhe ka propozuar që të përdoren kodet, por ka theksuar se grupimi i pyetjeve ndonjëherë është në varësi të dëshmitarëve.

“I kuptojmë shumë mirë shqetësimet tuaja, problemi është kur përgatisim pyetjet. Ne si prokurori, janë disa nga shqetësimet që paraqitet edhe ju në fakt. Mbrojtja sikurse duket edhe nga redaktimet që kemi bërë në kërkesat përkatëse dhe vendimet që keni dhënë ju përkatësisht, është gjithmonë rreziku që dëshmitari do të nxjerrë të dhëna identifikuese dhe këto rreziqe ekzistojnë pavarësisht se sa përpiqemi ne me gjithë qëllimin e mirë që kemi. Pavarësisht sa të kujdesshëm jemi kur bëjmë pyetjet, disa nga problematikat tjera janë efikasiteti dhe cilësia e dëshmisë. Dhe kjo nënkupton dhe përdorimin e kodeve, strukturimin e pyetjeve dhe kjo ndikon në cilësinë e përgjigjes, pra të dëshmisë që jep dëshmitari dhe detyrohemi t’i kërkojmë të përsëris dëshminë”, ka thënë ai.

Derisa Smith ka theksuar se të gjitha kundër-pyetjet kanë qenë në seancë private, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se shumë informacione nuk kanë të bëjnë me dëshmitarin e sotëm, por me çështje më të mëdha.

Ai ka shtuar se është vështirë të ndiqen kodet nga klientët.

“Një pjesë e mirë e informacionit nuk është se ka lidhje personalisht me këtë dëshmitar, por ka të bëjë me çështje më të mëdha. Për shembull, në qoftë se bëhej fjalë për një dëshmitar të ndryshëm, në qoftë se do të bëhej fjalë për një vend për një dëshmitar që do të ishte në vendin e dëshmitarit që kishim sot, ndoshta do të kishte qenë më e mundur… Sa i takon kodeve, e përmenda edhe të hënën, që kodet janë të vështira që të ndiqen nga klientët. Pa diskutim që janë të vështira edhe për ata që e ndjekin nga larg procesin këtu. Ka vështirësi të padiskutueshme në përdorimin e kodeve”, ka theksuar Kehoe.

Tutje, Kehoe ka sugjeruar që të rishikohen të gjitha masat mbrojtëse për dëshmitarët e mbrojtur të ZPS-së.

“A nuk duhet të rishikohet edhe një herë statusi i të gjithë këtyre dëshmitarëve të mbrojtur, për të parë në qoftë se është e nevojshme për të pasur këtë status apo jo. Për shembull, në qoftë se një dëshmitar nuk jeton më në Kosovë, a nuk do ishte me vend që të rishqyrtohet edhe një herë në qoftë se ka nevojë apo jo për mbrojtje personale ky person. Sepse me thënë të drejtën nga përvoja vetjake e di që shumë nga dëshmitarët që kanë masa mbrojtëse, nuk kanë kërkuar fare masa mbrojtëse dhe ndërkohë u janë dhënë këto masa pa u kërkuar asnjë opinion atyre.

Do të sugjeroja që të rishikohet edhe një herë të gjitha masat mbrojtëse edhe të shohim se cilët mund të jenë ata dëshmitarë që mund të hiqen nga ky ekuacion. E di një dëshmitar, nuk do të ja them emrin sepse jemi në seancë të hapur, flasim për një dëshmitar që ka folur publikisht dhe pavarësisht kësaj është me masa mbrojtëse”, ka shtuar Kehoe.

Ndërsa, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka theksuar se nuk ka pasur kërcënime ndaj dëshmitarëve.

Ai ka shtuar se duhet të vlerësohet edhe një herë pozicioni i dëshmitarëve dhe të mendohet që të identifikohen vetëm ata persona që kanë nevojë të masave mbrojtëse.

“Përderisa ne kemi shembuj të manifestuar që dëshmitarët kanë dalë publikisht vet dhe i kanë dhënë pozicionet e tyre dhe atëherë këto kërcënime nuk janë materializuar asnjëherë. Në fakt nuk ka pasur kërcënime, nuk ka kërcënime kundër dëshmitarëve. Dhe kur i pyet dëshmitarët, në qoftë se i pyet ata ‘a dëshiron të japësh dëshmi në seancë private’, ideja është ajo çfarë duhet të diskutojmë këtu është në qoftë se dëshmitarët duan të dalin publikisht për të dhënë dëshminë e tyre apo jo. Por, nuk duhet që kjo të jetë rregulli i përgjithshëm, sepse parimi bazë duhet të jetë që dikush nëse dëshiron që të vij të jap dëshmi duhet që të jap dëshmi duke u ekspozuar… Si të shkruani një aktgjykim në fund fare, mbështetur në një proces gjyqësor që është pothuajse i tëri në seancë të mbyllur?”, ka thënë Emmerson.

Një pyetje të tillë ka bërë për ZPS-në edhe gjykatësi Genel Metro, i cili ka theksuar se si do të shkruhet aktgjykimi marrë parasysh redaktimet në data, vende e persona.

“Si e imagjinoni që trupi gjykues të jetë në gjendje të shkruaj një aktgjykim të kuptueshëm, gjithëpërfshirës publik në qoftë se do të ndjekim mënyrën se si interpretoni ju detyrimet për redaktime, siç u theksua nga zotëri Emmerson.?… Pyetja që kam për ju është kjo: si ka mundësi që të bëjmë konstatime ne lidhur me këto incidente në qoftë se lidhja që bëhet ndërmjet incidentit në fjalë dhe dëshmitarit x është e redaktuar?

Çfarë do të bëjmë ne, të shkruajmë një aktgjykim të themi që ‘në këtë datë të redaktuar, në këtë vend të redaktuar, viktima e redaktuar është vrarë nga autori ose kryerësi i redaktuar, në këtë vend të redaktuar’? Do të thotë si pretendoni ju që të shkruajmë ne aktgjykimin, si është e mundur që trupi gjykues të mund të shkruaj një aktgjykim gjithëpërfshirës publik duke ndjekur të njëjtën logjikë të redaktimeve që aplikoni ju?”, ka pyetur ai.

Nga ZPS kanë thënë se masat mbrojtëse janë urdhëruar në mënyrë individuale, të justifikuara sipas kritereve për personat përkatës.

Ndërsa, mbrojtësi i viktimave, Simon Laës ka pretenduar se ndërhyrja ndaj dëshmitarëve dhe viktimave vazhdon të ekzistojë.

Tutje, avokati Emmerson ka thënë se po bëhet gjykim sekret, ku 50 për qind e dëshmitarëve janë të fshehtë.

Ai ka shtuar se nuk po respektohet parimi kryesor i drejtësisë. Emmerson ka përmendur edhe gjykimin dhe rigjykimin e Ramush Haradinajt në Tribunalin Penal Ndërkombëtar (TPNj).

“Trupi gjykues herën e parë e shfajësoi zotëri Haradinaj me arsyetimin se kishte një atmosferë të përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, që janë prova komplet të ndryshme krahasuar me këtë çështje gjyqësore. Por, në asnjë rast nuk pati konkretisht frikësim të dëshmitarëve që dhanë dëshmi në atë çështje. Një dëshmitar vdiç pak para gjykimit dhe u spekulua nëse u trajtua rasti siç duhet. Dhe gjykata dhe prokuroria e asaj kohe thanë se ishte një situatë krejt normale, ishte arrestuar dikush që voziste mjetin në efektin e alkoolit.

Gjatë gjykimit ishin dy dëshmitarë që nuk deshën të jepnin dëshminë dhe kjo ishte arsyeja që prokuroria apeloi shfajësimit e personit. Sigurisht situata në Kosovë ishte relevante, por dhoma e apelit urdhëroi një rigjykim sa i takon një pjese të aktakuzës…Nuk ka absolutisht asnjë provë që ka pasur ndonjë dëshmitar që ka qenë frikësuar të paktën për procese gjyqësore në një Tribunal Ndërkombëtar ”, ka shtuar Emmerson.

Edhe avokati Kehoe ka deklaruar se shkalla e masave mbrojtëse në këtë rast, është pikëpyetje për të. Seanca e paraparë për nesër është anuluar, ndërkaq gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë më 10 korrik.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

Siguri
Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Lajme
Knaus

Knaus "godet" sërish: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Lajme
Kalo në kategori