LAJMI I FUNDIT:

Si të niset një epokë e re transatlantike?

Si të niset një epokë e re transatlantike?

Marrë parasysh alternativat, çdokush mund të shohë: Nuk ka çift në skenën ndërkombëtare që mund të krahasohet me partneritetin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. As Evropa as Amerika do të gjejnë partner madhor më të angazhuar e më të fuqishëm. Pas katër vjetëve të lëkundshëëm, është koha për një fillim të ri. Zgjedhja e Joe Bidenit president i ShBA-së na jep rastin që kjo të bëhet realitet.

Kjo nuk do të thotë se do të pajtohemi gjithmonë apo se do të kemi interesa identike. Nuk ka qenë ashtu as para presidentit Donald Trump, as do të jetë ashtu gjatë presidencës së Joe Bidenit. Ajo çfarë kemi është partneriteti i qëndrueshëm, i mbështetur në vlera të përbashkëta dhe dekada të përvojës së bashkëpunimit. Katër vitet e kaluara kanë qenë të vështirë. Ka disa arsye demografike, ekonomike, dhe politike se pse trajektorja historike e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës mund të shkojë në drejtime të ndryshme.


Megjithatë, e çmojmë faktin se të paktën për katër vitet e ardhshme do të kemi një president të ShBA-së që beson në partneritetin me aleatët demokratikë. Jo vetëm se e vlerësojmë ndreqjen e këtyre marrëdhënieve, por edhe e kuptojmë domosdoshmërinë e tyre. Si përfaqësues i lartë i BE-së për punët e jashtme, porosia ime është e qartë: Evropa është e vendosur që të shfrytëzojë sa më mirë këtë mundësi. Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me dëshirat dhe kërkesat, por me ofertat gjithashtu.

Ka shumëçka për të ndrequr, madje edhe më shumë për të ndërtuar së bashku. Edhe ShBA-ja, edhe BE-ja përballen me telashe të polarizimit dhe ndarjeve shoqërore në hapësirat e tyre. Jashtë vendeve kemi parë se si autokratët dhe përçarësit politikë dëmtojnë sigurinë rajonale dhe rendin global. Kemi pandeminë që po bën kërdinë, krizën klimatike, fqinjërinë evropiane në flakë dhe garën e ashpër mbi atë se kush do t’i shkruajë rregullat e epokës digjitale.

Ajo që vlen të theksohet është se kapaciteti ynë për të gjetur zgjidhje nuk e ka mbajtur hapin me shpejtësinë dhe shtrirjen e ndryshimit. Në politikë, koha është relative. Sikundër në fizikë, ajo varet nga shpejtësia juaj: nëse bota po ndryshon më shpejt se kapaciteti juaj për t’u adaptuar, atëherë në terma relativë po shkoni mbrapa. Këtë nuk e përballojmë dot.

Presidenti i zgjedhur Biden ka nënvizuar rolin kyç të partneritetit mes ShBA-së dhe BE-së. Evropa ka idetë e veta për një agjendë transatlantike. Tash duhet të përkthejmë disponimin pozitiv në vepra konkrete. Për këtë qëllim, Komisioni Evropian ka propozuar “Agjendën e re BE-ShBA për ndryshim global” me angazhim të përbashkët për t’u përqendruar te Covidi-19, rimëkëmbja, ndryshimi klimatik, teknologjia, tregu dhe standardet, dhe përforcimi i demokracisë anembanë botës. Ministrat e jashtëm të BE-së kanë diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve BE-ShBA në takimin e 7 dhjetorit dhe kanë theksuar bashkërisht dëshirën e tyre për agjendë të përbashkët që mbulon tërë spektrin e politikave.

Tash për tash dua të përqendrohem në politikën e jashtme dhe të sigurisë, dhe të vë në dukje tri gjëra.

Së pari, roli i ShBA-së në sigurinë evropiane është tejet i domosdoshëm. Njëkohësisht, ne evropianët duhet të kujdesemi më shumë për sigurinë tonë. Prandaj, jemi plotësisht të angazhuar në përforcimin e kapaciteteve mbrojtëse evropiane dhe përfshirjen operacionale. Sot kemi 17 operacione të menaxhimit të krizave dhe misione që prej Ballkanit Perëndimor, në Ukrainë, e deri në Sahel e më tej. Gjithashtu, po investojmë përmes nismave të ndryshme mbrojtëse të BE-së në përftimin e kapaciteteve të nevojshme.

Debati në terma abstraktë se a duhet të jemi “evropianë” apo “transatlantikë” është shpërqendrues, duke qenë se këto janë dy anë të së njëjtës medalje. Kjo është po ashtu arsyeja pse duhet të vazhdojmë punën drejt autonomisë strategjike: një Evropë e fuqishme dhe e aftë nuk është rival i aleancës trans-atlantike por parakusht i saj. Na duhen hapa konkretë si për të zgjeruar kapacitetet tona për të vepruar ashtu edhe për t’u bërë më të qëndrueshëm në fushat strategjike.

Prandaj, le t’i lëmë anash debatet abstrakte dhe përqendrohemi tek substanca. Kur vjen puna te siguria evropiane, duhet të veprojmë bashkërisht që ta integrojmë tërë Ballkanin Perëndimor në strukturat Euroatlantike; të mbështesim sovranitetin dhe reformën e Ukrainës; të zhvillojmë qasje të paluhatshme dhe konsistente ndaj Rusisë; dhe, të parandalojmë largimin e mëtejmë të Turqisë. Në të gjitha rastet, unë shoh nevojën që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të punojnë këmba-këmbës, ngase mund t’ia dalim vetëm po punuam së bashku.

Përveç kësaj, në periferinë e saj Evropa po ballafaqohet me një numër konfliktesh dhe tensionesh, si për shembull në Sahel, në Libi, dhe në Mesdheun Lindor. Në të tri rastet, Evropa duhet të jetë e gatshme të udhëheqë, meqë këto probleme kanë të bëjnë më shumë me Evropën se me Shtetet e Bashkuara.

Së dyti, e dimë se ngritja dhe rritja e vetësigurisë së Kinës dhe gara me Shtetet e Bashkuara do t’i japin formë tablosë globale. Disa prej sfidave që paraqet Kina duhet të diskutohen mes nesh edhe atëherë kur nuk pajtohemi, që prej asimetrive të vazhdueshme rreth qasjes në treg, deri te çështjet legjitime për sa i përket rrjetit 5G, e deri te orvatjet e Pekinit për të çuar përpara standarde rivale në organizatat shumëpalëshe dhe dobësimit të aksioneve të përbashkëta në raport me të drejtat e njeriut. Dialogu i ri për Kinën i BE-ShBA do të do ofrojë mekanizma kyç për përparimin e interesave dhe menaxhimin e dallimeve tona.

BE-ja është e gatshme të angazhohet dhe të punojë për një qasje të balancuar, duke kombinuar fushat e bashkëpunimit me Kinën, siç është ndryshimi klimatik ku roli i saj si emetuesi më i madh në botë i dioksidit të karbonit është thelbësor, me zbythje aty ku paraqitet nevoja. Ne e shohim Kinën, varësisht prej politikave, si partner garues dhe rival. E kemi të qartë se me Shtetet e Bashkuara ndajmë sistemin politik demokratik, të bazuar në vlera thelbësore. Në të njëjtën kohë, thellësia e lidhjeve tregtare dhe investimeve të Evropës me Kinën është e tillë që ne të mos kemi interes të krijojmë strategji të shkyçjes.

E gjithë kjo duhet të kombinohet me qasje aktive të BE-së në rajonin e gjerë Indo-Paqësor duke punuar me partnerët demokratikë në Azi. Një prej tipareve më të spikatur të politikëbërjes së BE-së në Azi ka qenë përforcimi i lidhjeve me Japoninë (përfshi Marrëveshjen për Partneritet Ekonomik të vitit të kaluar, që lidh dy prej ekonomive më të mëdha të botës); me Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore (përfshi nisjen e partneritetit formal strategjik këtë muaj, që tejkalon ngërçin rreth vajit të palmës); dhe me Indinë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re. Ç’është e vërteta, shumë partnerë të afërt na thonë se duan më shumë përfshirje të BE-së. Si ne, edhe ata duan që rendi rajonal të jetë i hapur dhe i bazuar në rregulla, që të shmangen blloqet e mbyllura dhe zgjedhjet binare.

Së treti, duhet të gjejmë mënyrën që Shtetet e Bashkuara t’i ribashkohen marrëveshjes për armët nukleare me Iranin dhe që Irani t’i bindet plotësisht marrëveshjes. Marrëveshja nukleare ende mbetet shembull i diplomacisë së suksesshme. Kemi punuar me mund që ta ruajmë, dhe kjo ka sjellë benefite të dukshme. Falë marrëveshjes, programi nuklear i Iranit është ende larg prej nivelit para marrëveshjes. Por marrëveshja nukleare i është nënshtruar një presioni të jashtëzakonshëm. Ikja e Shteteve të Bashkuara ka reduktuar dramatikisht benefitet ekonomike që priteshin për Iranin, dhe kjo është arsyeja pse marrëveshja nuk mund arrinte potencialin e saj të plotë. BE-ja dhe Shtetet duhet t’i bëjë prioritet mënyrat për të siguruar që marrëveshja zbatohet nga të gjithë, dhe kështu të rivendosë besimin mes të gjithëve. Kur kjo të arrihet, duhet të jemi të gatshëm të ndërtojmë mbi këtë sukses dhe të gjejmë mënyra për të adresuar çështje të tjera të sigurisë rajonale. Jam i bindur se e vetmja zgjidhje afatgjate për jostabilitetin kronik është zgjidhja rajonale.

Sigurisht se ka shumë çështje e prioritete tjera të politikës së jashtme. Por le të përqendrohemi në këto trijat, që t’i përdorim për të ndezur maqinën e bashkëpunimit trans-atlantik. Sa më larg të arrijmë, aq më ambiciozë mund të bëhemi. /Burimi: Foreign Policy/Në shqip nga: Sbunker.net/

Në trend

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Magazina
Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
Shkëlqeu me paraqitjet e tij, Real Madridi e shpërblen me kontratë të re veteranin e ekipit

Shkëlqeu me paraqitjet e tij, Real Madridi e shpërblen me kontratë të re veteranin e ekipit

La Liga
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Kalo në kategori