LAJMI I FUNDIT:

Si të kujdesemi për dëmet e shkaktuara nga yndyrat e larta në gjak

Si të kujdesemi për dëmet e shkaktuara nga yndyrat e larta në gjak

Dislipidemitë – nivelet jo normale të yndyrave në gjak

Dr. Gojart Xh. Pllana, MD
Specialist i Kardiologjisë
045/048 108018


Kolesteroli është një substancë natyrale që prodhohet nga vetë organizmi i njeriut. Pjesa më e madhe e kolesterolit në gjakun tonë (rreth 75%) prodhohet në mëlçi dhe pjesa e mbetur (rreth 25%) vjen nga ushqimet që konsumojmë çdo ditë.

Të gjithë e dimë se nivelet e larta të kolesterolit në gjak nuk janë të mira për shëndetin, nga ana tjetër, nivelet e duhura të tij, në fakt luajnë një rol jetik për mbrojtjen e qelizave dhe prodhimin e hormoneve. Studimet referojnë se rreth 1/3 e të rriturve kanë nivele të larta të kolesterolit në gjak.

Zakonisht niveli i lartë i atyre që konsiderohen ndryshe edhe si yndyra, nuk shkakton asnjë simptomë klinike, madje edhe kur nivelet e tij janë shumë herë më të larta se sa ato normale, çka në të shumtën e rasteve vonon edhe diagnostikimin e problemeve shëndetësore që shkaktojnë tek pacienti.

Çfarë shkakton prania e nivelit të lartë të yndyrave në gjak?

Prania e yndyrave të larta në gjak shkakton forcim (humb elasticitetin) të arterieve deri në bllokim të tyre. Kjo e kufizon rrjedhjen normale të gjakut nëpër arterie dhe mund të çojë në probleme të tilla serioze siç janë:

▪ Sulmi ne zemër dhe/ose
▪ Goditja ne tru.

Shoqata Amerikane e Sëmundjeve të Zemrës (AHA), rekomandon të gjithë të rriturit mbi moshën 20 vjeç të kontrollojnë te paktën çdo dy vite, nivelin e kolesterolit, ndërsa mbi moshën 40 vjeçare një herë në gjashtë muaj deri në një vit.

Si duhet të jetë niveli i yndyrave në gjak?

Matja e vlerave të kolesterolit bëhet nëpërmjet një testi të gjakut, i cili mat tri gjëra: HDL kolesterolin (kolesteroli i mirë ), LDL (kolesteroli i keq) dhe trigliceridet. LDL kolesteroli (lipoproteinë e kolesterolit me densitet të ulët) është lloji që ka tendencë për t’u depozituar në muret e arterieve. Qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) duke u kombinuar me LDL kolesterolin formojnë pllakëza, të cilat vendosen në arterie të ndryshme duke i ngushtuar ato, dhe duke kufizuar për pasojë rrjedhjen e gjakut. Niveli optimal i LDL kolesterolit për shumicën e njerëzve është 100mg/dL (2.59 mmol/l), ose më e ulët.

Nëse vuani nga sëmundje të zemrës ju duhet të përpiqeni që nivelet e LDL të jenë 70 mg/dL (1.81 mmol/l), ose më poshtë. Po jo i gjithë kolesteroli është i keq. HDL kolesteroli, konsiderohet si i “mirë” sepse në fakt, luan rol për të mbajtur nivelet e kolesterolit të keq. Sa më i lartë të jetë HDL, më mirë është. Nivelet e HDL mbi 60 mg/dL (1.55 mmol/l) mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës. Nga ana tjetër nivelet e HDL nën 40 mg/dL (1.04 mmol/l) janë konsideruar si një faktor me rrezik të lartë për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.

Si duhet të jetë niveli i triglicerideve në gjak?

Trigliceridet janë një lloj i yndyrave që gjenden në gjak, nivelet optimale të të cilave janë 150 mg/dL (1.7 mmol/l). Nivele më të larta sesa kaq, mund të rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës dhe sindroma metabolike. Ndër faktorë rreziku për nivele të larta të triglicerideve përmendim:

▪ Obezitetin,
▪ Diabetin,
▪ Duhanpirjen,
▪ Përdorimin e alkoolit,
▪ Jeta sedentare dhe
▪ Mungesa e aktivitetit fizik.

Çfarë mund të themi në lidhje me kolesterolin që marrim nëpërmjet ushqimit?

Kolesteroli që marrim me ushqimin nuk është i njëjtë me kolesterolin e gjakut tonë. Për shumicën e njerëzve, kolesteroli ushqimor ka një efekt minimal në nivelin e kolesterolit të gjakut. Megjithatë, rreth 30% e njerëzve i përgjigjen (reagojnë) niveleve të kolesterolit ushqimor. Prandaj këta persona duhet të shmangin ushqime me përqindje të lartë yndyrore të tilla si:

▪ Vaji,
▪ Mishi i kuq,
▪ Produkte të qumështit,
▪ Vezët, si edhe
▪ Ushqimet e shpejta (fastfood).

Për shumë persona, ushqimet me përmbajtje të lartë të yndyrave nuk janë shkaku i vetëm për nivelet e larta të kolesterolit në gjak. Tek këta persona ndikon edhe gjenetika, e cila përbën arsyen kryesore. Kjo njihet shpesh edhe me emrin hiperkolesterolemia familjare, e cila mund të shkaktojë nivele të larta të kolesterolit në gjak.

Përveç historisë familjare, faktor i rëndësishëm është edhe mosha, me rritjen e së cilës rritet edhe mundësia për nivele të larta të tij.

Kush rrezikon më tepër nga niveli i lartë i yndyrave në gjak?

Nga pikëpamja gjinore gratë janë më të predispozuara, në mënyrë të veçantë në periudhën e menopauzës. Në këtë rast ndihmon niveli i estrogjenit, i cili ulet shumë në periudhën e menopauzës. Prandaj gratë gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme që të ushqehen në mënyrë sa më të shëndetshme dhe të ruajnë një peshë normale, gjë e cila ndihmon në menaxhimin e niveleve të kolesterolit në gjak.

Si ta ulim nivelin e kolesterolit?

Rekomandimi kryesor është ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik. Duke qenë se mbipesha është një faktor i lartë rreziku, ushqyerja e pasur me fibra mund të ndihmojë në reduktimin e saj. Ushqimet me përmbajtje të lartë të fibrave përfshijnë frutat, perimet, drithërat, bishtajat dhe fasulja. Për uljen e kolesterolit duhet kufizuar mishi i kuq, duke shtuar në dietë peshk dhe pulë. Kujdes duhet bërë me ushqimet e ferguara dhe ushqimet e shpejta (fastfood). Po ashtu kujdes duhet të tregojmë edhe me përdorimin e karbohidrateve (sheqernat).

Për të pasur një plan të ushqyerjes së shëndetshme dhe për të menaxhuar nivelin e kolesterolit në gjak është e nevojshme të konsultoheni me mjekun dietolog. Ata hartojnë protokolle ushqimore në bazë të metabolizmit individual dhe problematikës shëndetësore personale.

Të qenit mbipeshë ka tendencë për të rritur nivelin e LDL kolesterolit dhe humbja e peshës mund të ndihmoje në uljen e LDL dhe të triglicerideve, si edhe për të rritur HDL kolesterolin.

Po ashtu pirja e duhanit jo vetëm që dëmton mushkëritë, por luan rol në uljen e HDL kolesterolit (kolesteroli i mirë). Duke lënë duhanin nivelet e HDL do të rriten duke ulur rrezikun për sulme në zemër, apo në tru.

Aktiviteti fizik mund të ndikojë për të reduktuar deri në 6% kolesterolin e keq. Vetëm 40 minuta ushtrime të tilla, si: ecje, not apo çiklizëm tre deri në katër herë në javë mund të kenë një ndikim të madh në nivelin e kolesterolit.

Padyshim që në lidhje me gjendjen tuaj shëndetësore dhe formën e aktivitetit fizik duhet të bisedoni me mjekun tuaj. Nganjëherë këshillimet dietetike dhe aktiviteti fizik mund të mos mjaftojnë për të mbajtur nivele të shëndetshme të kolesterolit në gjak. Në këto raste, gjithmonë me këshillimin e mjekut ndihmojnë medikamente të përcaktuara.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori