Skenografia në komeditë romantike rrezaton hijeshi, ngrohtësi dhe rehati, duke pasqyruar në mënyrë të përsosur personalitetin e personazheve kryesorë. Ja pesë mënyra se si ta sillni këtë ndjesi edhe në shtëpinë tuaj

Secili ka filmin e vet të preferuar romantik, nga “When Harry Met Sally”, “How to Lose a Guy in Ten Days”, deri te “The Holiday”. Periudha nga vitet ’90 deri në fillim të viteve 2000 përcaktoi artin e zhanrit rom-com, dhe ndërsa i shikonim si adoleshentë, i donim për historinë, veshjet (po, ajo fustani i verdhë!) dhe estetikën e ëmbël. Megjithatë, këta filma mund të shërbejnë edhe si frymëzim i mrekullueshëm për mobilimin e shtëpisë.


Stili i filmave romantikë nuk është vetëm çështje ngjyrash apo mobiliesh, është mënyrë për ta bërë hapësirën tuaj të ndjehet si shtëpi, me kujtime, ndjenja dhe dritë të ngrohtë.

Ja pesë ide që do ta bëjnë hapësirën tuaj po aq tërheqëse sa një skenë filmi.

1. Jepini hapësirës tuaj prekje personale

Në filmat romantikë, skenografia është menduar në mënyrë që shikuesi të kuptojë karakterin kryesor vetëm nga detajet e ambientit. Kjo do të thotë se çdo hapësirë duhet të reflektojë personalitetin e pronarit të saj. Nëse jeni tip energjik dhe modern si Jenna Rink nga filmi “13 Going on 30”, banesa juaj duhet të duket sikur ka dalë nga faqet e një reviste mode. Por nëse keni shpirt nostalgjik, kërkoni objekte vintage si një gramafon i vjetër ose një karrige retro që sjell aromën e së kaluarës dhe romantikën e saj.

2. Bëjeni hapësirën “të gjallë”

Një tjetër karakteristikë e ambienteve në komeditë romantike është se ato duken sikur personazhet vërtet jetojnë aty. Dhoma janë të stilizuara, por jo aq perfekte sa të keni frikë të uleni në divan. Për ta arritur këtë efekt, lini disa libra mbi tavolinë, ndizni qirinj, vendosni lule të freskëta ose hidhni një xhaketë mbi karrige. Këto detaje të vogla sjellin jetë dhe natyrshmëri në çdo ambient, transmeton Telegrafi.

3. Luani me dritën për të krijuar atmosferë

Nëse dëshironi që shtëpia juaj të duket si një skenë filmi romantik, ndriçimi është thelbësor. Gjatë ditës, ngrini roletat dhe hapni perdet që drita natyrale të mbushë ambientin, ajo jep ngrohtësi dhe energji që asnjë llambë nuk mund ta zëvendësojë. Në mbrëmje, shmangni ndriçimin qendror dhe zgjidhni llamba anësore, abazhure, apo qirinj aromatikë që krijojnë një dritë të butë dhe relaksuese.

4. Krijoni një galeri murale

Asgjë nuk i jep një hapësire ndjesinë e “rom-com”-it si një galeri asimetrike muri. Zgjidhni postera që ju frymëzojnë, fotografi kujtimesh, dhe korniza me ngjyra e forma të ndryshme. Përdorni korniza nga dyqanet “second-hand”, shtoni detaje të papritura, një bimë, një pasqyrë ose një varëse e vogël bizhuterie dhe vendosini në mënyrë jo të rregullt. Kjo i jep murit spontanitet dhe karakter.

5. Autenticiteti

Nostalgjia është arsyeja pse komeditë romantike të viteve të kaluara janë bërë kult. Këta janë filma që na kujtojnë magjinë e takimeve të rastësishme në kafene, buzëqeshjet e sinqerta dhe momentet e para të dashurisë. Për këtë arsye, autenticiteti është hapi përfundimtar në mobilimin e shtëpisë suaj. Vendosni fotografi familjare, një kamerë të vjetër të gjyshit, një kornizë që dikur ka qenë e nënës suaj, figura të vogla që ju kanë dhuruar miqtë ose një guaskë nga pushimet – këto detaje personale janë ato që i japin shpirt dhe histori çdo shtëpie. Asnjë objekt i ri nuk mund ta zëvendësojë këtë ndjesi.

/Telegrafi/