LAJMI I FUNDIT:

Si përfundoi ushtari amerikan në Korenë e Veriut?

Si përfundoi ushtari amerikan në Korenë e Veriut?

Një ushtar amerikan po mbahet në Korenë e Veriut pasi kaloi kufirin nga Koreja e Jugut pa autorizim, ka konfirmuar ushtria amerikane.

Kjo vjen gjatë një kohe veçanërisht të tensionuar me Veriun, një nga shtetet më të izoluara në botë. SHBA-ja iu bën thirrje qytetarëve të saj të mos shkojnë atje, transmeton Telegrafi.


Travis King, ushtari 23-vjeçar i njësisë PV2, kaloi nga Koreja e Jugut në atë të Veriut pasi iu bashkua një turneu kufitar të Zonës së Çmilitarizuar (DMZ).

Koreja e Veriut arreston ushtarin amerikan që kaloi kufirin ilegalisht
Lexo po ashtu Koreja e Veriut arreston ushtarin amerikan që kaloi kufirin ilegalisht

Zyrtarët në Seul kanë konfirmuar se 23-vjeçari kishte qenë në burg për dy muaj në Korenë e Jugut ndaj akuzave për sulm, dhe u lirua më 10 korrik.

Ai do të kthehej në SHBA, por nuk hipi në aeroplan. Në vend të kësaj iu bashkua një turneu në Zonën e Çmilitarizuar.

Travis King

King po shoqërohej për në aeroport dhe do të përballej me masa disiplinore në Amerikë.

Më pas ai doli nga terminali për në pikën kufitare rreth 54 kilometra larg.

Një dëshmitar okular në të njëjtin turne kufitar tha se e kishte dëgjuar ushtarin duke qeshur me zë të lartë përpara se t’ia fuste vrapit.

Komanda e Kombeve të Bashkuara, që drejton DMZ-n, beson se ushtari është vendosur tani në paraburgim në Korenë e Veriut.

Një komandant i lartë amerikan tha se nuk kishte pasur asnjë kontakt me ushtarin dhe incidenti po hetohej nga forcat amerikane në Kore.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka thënë se shqetësimi kryesor i Pentagonit është për mirëqenia e ushtarit. /Telegrafi/