LAJMI I FUNDIT:

SI NESËR …

SI NESËR …

Poezi nga: Mitrush Kuteli

Do të pëshpëritë era ndaj mbrëmje si nj’herë,
prej valësh do ngrohet hëna si sot,
me iskra prej bryme do mbuloj’ mermerë
dhe bota do jetë si ish dhe qemot.
Si nesër do shtrihet lëndina përmbi varr
Valë-dheu do zënë t’palosen ngadalë,
do endë parëvera e lule e bar,
dhe zile do rreshqasin që prej male.
Do qeshë dielli në qoshen e një reje,
do thaje lotët mbi lulet e qershisë,
larg, mbytur do ndjehet gjemim’ i një rrufeje,
përmbi mal do hapet brez’ i Perëndisë.
Do shtroje dhe dimri qilim të argjendtë
mbi plloçën e tretur, mbi kryqn’e anuar,
do rritet harrimi me dherin e rëndë
dhe unë do fle, ty duke t’ëndërruar …