LAJMI I FUNDIT:

Ku po ndërtojnë rrugë Radoiçiq dhe Veselinoviq, si nënkontraktues të Kinës në Serbi?

Ku po ndërtojnë rrugë Radoiçiq dhe Veselinoviq, si nënkontraktues të Kinës në Serbi?

Çfarë kanë të përbashkët Pozhega, Llajkovaci dhe Pozharevci në Serbi?

Në afërsi të atyre qyteteve, në pjesë të ndryshme të Serbisë, dhjetëra kilometra rrugë po ndërtohen nga kompanitë kineze, në bazë të kontratës së drejtpërdrejtë me shtetin.

Në kantieret e ndërtimit janë makinat e kompanive serbe, të cilat ndërlidhen me të njëjtët njerëz – Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq.


Të dy ata janë të sanksionuar nga Shteteve të Bashkuara dhe Britania e Madhe për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar ndërkombëtar.

Autoritetet e Kosovës i lidhin ata me aktivitete kriminale.

Mirëpo Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i njeh as akuzat e autoriteteve kosovare. Beogradi zyrtar ka vendosur gjithashtu që të mos zbatojë sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, sepse nuk ka obligime ndërkombëtare për një gjë të tillë.

Në publikun serb, Radoiçiq dhe Vesellinoviq prezantohen si partnerë afaristë, biznesmenë me prejardhje nga Kosova.

Radoiçiq është edhe nënkryetar i Listës Serbe – parti e serbëve nga Kosova, e cila ka mbështetjen e Qeverisë aktuale në Beograd, që drejtohet nga Partia Progresive Serbe e Alleksandar Vuçiqit.

Radio Evropa e Lirë (REL) ka vërtetuar se tri kompani të lidhura me Zvonko Veselinoviqin dhe Millan Radoiçiqin kanë qenë nënkontraktuese në të paktën tri akse rrugore në Serbi, gjatë dy vjetëve të fundit.

E përbashkëta e këtyre tri rrugëve është se kontraktuese janë kompanitë kineze – Shandong dhe CCCC.

Institucionet shtetërore dhanë leje që kompanitë e lidhura me Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin të vinin në kantiere, ndërkaq atyre iu dhanë dy punë pas vendosjes së sanksioneve amerikane, në dhjetor të vitit 2021.

Rrugët janë ndërtuar nga kompanitë Inkop nga Qupria dhe Novi Pazar-put (Novi Pazar- rruga), në pronësi të Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit, gjatë kohës kur ata ishin shtuar në listën e zezë të SHBA-së.

Në kompaninë e tretë, gurëthyesi Slovac, të dy ata ishin bashkëpronarë.

Kompanitë ishin të angazhuara në ndërtimin e aksit të autostradës Prelina – Pozhega dhe autostradave të shpejta Iverak – Llajkovac dhe Pozharevc – Gollubac.

Numri i kompanive nënkontraktuese është me dhjetëra, por REL-i ka analizuar vetëm operacionet e kompanive të lidhura me Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin, sepse ato janë të vetmet nën sanksione të huaja.

Kreditë nga shteti dhe bankat kineze
Forma e afarizmit duket kështu: shteti i punëson kompanitë kineze për ndërtimin e rrugëve në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kinës, punën e kontrakton drejtpërdrejt me to, ndërkaq, për t’u siguruar paratë, huaja merret nga bankat kineze.

Kompanitë kineze, më pas, zgjedhin nënkontraktuesit dhe për angazhimin e tyre u duhet pëlqimi i shtetit – ndërmarrjeve publike të rrugëve dhe Ministrisë së Ndërtimit.

Ndërtimi i tri pjesëve të rrugës, ku së bashku me kompanitë kineze marrin pjesë edhe makinat e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit, Serbisë i kushtoi 950 milionë euro.

Dy kreditë më të mëdha janë marrë nga banka kineze Exim, në vitin 2019 dhe 2021.

Për shkak të huamarrjes dhe marrëdhënieve me Kinën, të cilat në raportet e organizatave ndërkombëtare cilësohen si jotransparente dhe që i lënë hapësirë korrupsionit, Serbia ka qenë edhe cak i kritikave nga Bashkimi Evropian, në të cilin aspiron të bëhet anëtare.

“Parlamenti Evropian përsërit shqetësimin e tij për varësinë në rritje të Serbisë nga investimet kineze dhe vëllimi i kredive… dhe u bën thirrje autoriteteve serbe të përmirësojnë transparencën dhe të forcojnë pajtueshmërinë ligjore për investimet kineze dhe nga regjimet autoritare të huaja”, thuhet në raportin e Parlamentit Evropian, të korrikut të vitit 2022.

Profiti i kompanive të sanksionuara u rrit në mënyrë rekorde
Në dokumentet e analizuara nga REL-i, nuk dihet se sa kanë fituar kompanitë e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit nga punët me kompanitë kineze në dy vitet e fundit, gjegjësisht, sa për qind e kontratës u shkon atyre si nënkontraktues.

Raportet financiare të këtyre kompanive për vitin 2022, nuk janë të qasshme në regjistrin ekonomik, por të dhënat e fundit të qasshme tregojnë fitime rekord në baza vjetore.

Kompania e tyre e ndërtimit Inkop nga Quprija fitoi 15.3 milionë euro në vitin 2021. Kjo është gjashtë milionë më shumë se në vitin 2020, kur Inkop shënoi fitim prej 9.2 milionë eurosh.

Përveç bashkëpunimit me kompanitë kineze, gjatë kësaj periudhe, Novi Pazar-put, ka marrë edhe kontrata nga institucionet serbe, për mirëmbajtjen e rrugëve lokale në disa komuna – Novi Pazar, Tutin, Vërnjaçka Banjë, Kralevë.

Kë e obligojnë sanksionet e huaja?
Meqenëse sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk janë të detyrueshme për Serbinë, kompanitë e Radoiçiqit dhe Vesellinoviçit operojnë pa u penguar.

Në dhjetor të vitit 2021, duke komentuar vendimin e SHBA-së për të vendosur Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin në listën e zezë, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, deklaroi se autoritetet kompetente do të hetojnë gjithçka në qoftë se ekzistojnë “akuza serioze”.

Në muajt që pasuan, pas kësaj deklarate, opinioni në Serbi nuk u informua se a janë hetuar akuzat, ndërkaq Qeveria dhe Presidenca nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.

Millan Radoiçiq është shfaqur në tubime zyrtare, përkrah Aleksandër Vuçiqit.

Në raportin e Shteteve të Bashkuara, në të cilin shpjegohen sanksionet, thuhet se Zvonko Vesellinoviq është lider i një grupi të organizuar kriminal, si dhe se ai është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit.

Në skemën e korrupsionit përmenden edhe politikanët, për të cilët dyshohet se Vesellinoviq i ka ndihmuar në fushatën zgjedhore, ndërkaq dhe në këmbim të kësaj, ata do ta “shpërblenin me kontratat më të mira të infrastrukturës”.

Nuk është specifikuar se për cilët politikanë bëhet fjalë. Zvonko Vesellinoviq nuk ka dhënë ndonjë deklaratë lidhur me sanksionet e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe nuk shfaqet në publik.

Ndërkohë që në Serbi nuk ka pasoja, sanksionet janë ligjërisht të obligueshme për kompanitë dhe qytetarët amerikanë dhe britanikë, të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me persona nga lista e zezë.

“Ndërmarrjeve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do t’iu lejohet të bëjnë biznes me individë apo kompani që ne i kemi sanksionuar dhe ato do të gjobiten nga Departamenti ynë i Biznesit dhe Tregtisë, në qoftë se konstatohet se e bëjnë këtë”, tha Ambasada britanike për Radion Evropa e Lirë.

Por, ligjet e vendeve të tyre amë nuk do të shkeleshin nga investitorët e tjerë të huaj, si ata kinezë, nëse në Serbi bëjnë biznes me Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin.

Kush nuk iu përgjigj pyetjeve?
Kompanitë kineze Shandong dhe CCCC nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it për bizneset e tyre në Serbi dhe as për akuzat e një numri profesionistësh se marrëveshjet e dakorduara në mënyrë jotransparente lënë hapësirë për korrupsion.

Përgjigje nuk ka dhënë as Ambasada kineze në Serbi.

Derisa makinat dhe punëtorët e tyre ishin në kantieret e ndërtimit, së bashku me kompanitë kineze, kompanitë e lidhura me Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin nuk morën pjesë në projektet, të cilat në Serbi i kryejnë kompanitë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, në dy vitet e fundit.

Kjo mund të konstatohet nga dokumentet e analizuara nga REL-i, për miratimet për kryerjen e punëve të dhëna nga kompanitë publike “Rrugët e Serbisë” dhe “Korridoret e Serbisë”, si dhe Ministria e Ndërtimit, Trafikut dhe Infrastrukturës.

Asnjëra nga këto kompani dhe as ky dikaster nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se çfarë i kualifikoi kompanitë e lidhura me Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin, për të marrë pjesë në ndërtimin e rrugëve.

As kompanitë në pronësi të Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit, Inkop dhe Novi Pazar-put, as kompania në të cilën ata ishin bashkëpronarë deri në vitin 2022, gurthyesi Slovac, nuk iu përgjigjën pyetjeve.

Rasti 1: Kompania e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit në rrugën Pozharevc-Gollubac
Rruga për shpejtësi të madhe nga Pozharevci në Gollupac, në lindje të Serbisë, për 337 milionë euro.

Kontratat është bërë me kompaninë kineze Shandong (China Shandong International Economic and Techincal Cooperation Group Ltd) në gusht të vitit 2021.

Kontrata u lidh në prani të presidentit të Serbisë, i cili më pas deklaroi se ishte “një ofertë jashtëzakonisht e drejtë nga partnerët kinezë”, të cilët “gjithmonë marrin edhe punëtorë vendorë”.

Tre muaj më vonë, Vuçiq e zyrtarizoi fillimin e punimeve. U paralajmërua se Korridori i Danubit, siç quhet rruga që është e gjatë rreth 70 kilometra, do të përfundojë deri në nëntor të vitit 2024.

Derisa makinat dhe punëtorët po punojnë në lindje të Serbisë, në mesin e bashkëpunëtorëve të kompanisë kineze është shfaqur edhe grupi i kompanive vendore, konsorciumi NI.

Një anëtare e konsorciumit është nën sanksione amerikane – kompania Inkop nga Quprija, pronarë të së cilës janë Millan Radoiçiq dhe vëllezërit Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Anëtarja tjetër e konsorciumit është edhe kompania Nukleus nga Lazarevaci, pronar i së cilës është Vlladimir Jevtiq, me të cilin Vesellinoviqi dhe Radoiqiqi kanë punuar edhe në projekte të tjera. Jevtiq dhe kompania e tij nuk janë nën sanksione.

Në dokumente thuhet se Ministria e Ndërtimit ka dhënë pëlqimin që ato kompani të jenë nënkontraktuese, në shkurt të vitit 2022, dy muaj pasi Inkop u vendos nën sanksione.

Nuk është specifikuar se çfarë bën konsorciumi në atë kantier, as sa është çmimi i punimeve të kontraktuara.

Rasti 2: Dy kompani të Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit në rrugën nga Valeva në Lloznicë
Nga Beogradi në Valevë, për 35 minuta. Këtë e kanë paralajmëruar zyrtarët serbë kur kanë filluar punimet në autostradën Iverak-Llajkovac.

Punimet u bënë zyrtare në qershor 2020 nga presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Ai premtoi se aksi prej 18 kilometrash, i cili lidh Valevën me Korridorin 11, do të përfundojë deri në fund të vitit 2022. Megjithatë, ende nuk është lëshuar për trafik.

Kontrata për këtë seksion, në vlerë prej 158 milionë eurosh, është nënshkruar gjashtë ditë para fillimit të punimeve, nga ministrja e atëhershme e Ndërtimit, Zorana Mihajlloviq, me drejtorin e kompanisë kineze Shandong (Shandong Foreign Economic & Technical Cooperation Ltd).

Pjesa më e madhe e punës është financuar përmes kredisë nga banka Exim, në vlerën 134.3 milionë euro.

Për ndërtimin e rrugës nga Iverak në Llajkovac, kompania kineze propozoi, në verën e vitit 2022, që nënkontraktues i saj të ishte një kompania Novi Pazar-put, e futur në listën e zezë amerikane disa muaj më parë.

Në qershor të vitit 2022, kompania publike “Rrugët e Serbisë” ka dhënë pëlqimin që Novi Pazar-put të angazhohet si nënkontraktues për ndërtimin e asfaltit, me arsyetimin se i plotëson kushtet.

Më pas, pëlqimi nevojitej nga një instancë më e lartë, Ministria e Ndërtimit, e cila e dha lejen përfundimtare në shtator të vitit 2022.

Në të njëjtin kantier, para vendosjes së sanksioneve, ishte një kompani tjetër e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit, Inkop nga Quprija.

Asokohe, Inkop ishte pjesë e konsorciumit NCI, i cili përfshin gjithashtu kompaninë iNukleus nga Llazarevci dhe C&LC nga Beogradi.

Në tetor të vitit 2020, kompania publike “Rrugët e Serbisë” u pajtua me propozimin e kompanisë kineze për t’ia dhënë punën konsorciumit.

Në aksin nga Iverak deri në Llajkovc, ndër të tjera, iu besuan punët përgatitore dhe të tokës, kullimi, rregullimi i rrjedhave ujore dhe rregullimi i sipërfaqeve të gjelbra.

Nga dokumentacioni që i është dorëzuar REL-it, nuk kuptohet se sa ka përfituar konsorciumi NCI nga punimet në rrugën Iverak-Llajkovc.

Pak më shumë se një vit pasi që Inkop-it iu dha puna, kjo kompani u gjend nën sanksionet e SHBA-së, por vazhdoi të operonte pa pengesa.

Rasti 3: Zhavorr nga gurthyesi Slovac për aksin Prelina – Pozhegë
Korridori ndërkombëtar 11, i cili duhet të lidhë Serbinë me Detin Adriatik, u prezantua si një projekt kyç që shteti po e ndërton për më shumë se një dekadë.

Ndërtimi i autostradës për në Mal të Zi, 269 kilometra e gjatë, është i ndarë në faza.

Aksi në perëndim të Serbisë, nga Prelina në Pozhegë, po ndërtohet nga kompania kineze China Communications Construction Company Ltd (CCCC).

Për të ekzekutuar punimet, me vlerë 450 milionë euro, CCCC erdhi me marrëveshje të drejtpërdrejtë me shtetin, pa tender. Për t’i siguruar paratë për ndërtimin e rrugës, Serbia ka marrë kredi nga banka kineze Exim.

Kompania kineze CCCC ishte në listën e zezë të Bankës Botërore për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe shkatërrim mjedisor në Filipine dhe vende të tjera ku kishte projekte.

SHBA-ja e futi këtë kompani në listën e zezë, në vitin 2020.

Në Serbi, kompania kineze CCCC u përball me akuza për rrezikim të mjedisit gjatë ndërtimit të rrugëve, por çështja nuk u zgjidh.

Më pas, kompania CCCC gjeti bashkëpunëtorë në Serbi, të cilët pak më vonë, gjithashtu do të vendosen nën sanksionet amerikane.

Dy vjet pas fillimit të punimeve, në verën e vitit 2021, kontraktuesi kinez iu drejtua institucioneve të Serbisë – ndërmarrjes publike “Rrugët e Serbisë” dhe Ministrisë së Ndërtimit, për të miratuar gurthyesin Slovac si nënkontraktues.

Detyra e gurthyesit, i cili atëherë ishte në bashkëpronësi të Zvonko Vesellinoviqit dhe Millan Radoiçiqit, ishte të siguronte gurë të grimcuar që përdoren për ndërtimin e rrugëve. Shteti u dha atyre pëlqimin për të qenë furnizues të materialit, në nëntor 2021.

Një muaj më vonë, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Millan Radoiçiqit dhe Zvonko Vesellinoviqit.

Në dokumentet e analizuara nga Radio Evropa e Lirë, nuk specifikohet se çfarë sasie të materialit është dashur të dorëzojë gurthyesi Slovac dhe me çfarë çmimi.

Pretendohet se vlera e parashikuar e punëve të nënkontraktuara është 0.09 për qind e kontratës. Në këtë rast, kjo do të ishte 405 mijë euro.

Ndërkaq, Vesellinoviq dhe Radoiçiq u larguan nga bashkëpronësia e gurthyesit Slovac.

Në korrik të vitit 2022, pronar 100 për qind i kësaj ndërmarrjeje bëhet kompania Nukleus nga Llazarevci, që është partnere afariste e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit.

Si e jep shteti pëlqimin për nënkontraktuesit?
Kontratat për ndërtimin e autostradave, të cilat kompanitë kineze i kanë me Serbinë, i detyrojnë ato të kërkojnë pëlqimin e institucioneve shtetërore kur punësojnë nënkontraktuesit.

Në këtë përfundim arrihet bazuar në dokumentet e analizuara nga REL-i.

Pëlqimi duhet së pari të jepet nga kompania publike e ngarkuar me punën – në këtë rast “Rrugët e Serbisë” ose “Korridoret e Serbisë”.

Kur ndërmarrjet publike japin miratimin e tyre, vendimi përfundimtar merret nga Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës.

Deri në qershor të vitit 2020, kjo ministri vlerësonte punën e kompanive të ndërtimit të regjistruara në Serbi dhe për çdo tre muaj publikonte “listën e pikëve të furnitorëve dhe kontraktuesve”.

Gati se tash e tre vjet, nuk është publikuar lista e përditësuar.

Lista përmban disa informacione për kompaninë e ndërtimit – sa punonjës ka, nëse inspektimet në kantier kanë gjetur punëtorë të paligjshëm, nëse punëtorët janë lënduar lehtë apo rëndë dhe nëse kanë borxhe.

Kompanitë me më pak shkelje janë në krye, në pjesën “e bardhë” të listës.

Ata me më shumë shkelje janë pozicionuar në fund, pra në pjesën “e zezë”.

Lista do të duhej të ndihmonte institucionet shtetërore me rastin e angazhimit të kompanive në punët e ndërtimit.

Rekomandimi ishte që përpara se të merret vendimi, të verifikohet se si është renditur kompania në listën “bardh dhe zi” dhe të shmangin caktimin e vendeve të punës për kompanitë me renditje të dobët.

Lista “bardh dhe zi” e ministrisë, megjithatë, nuk përfshin të gjitha kompanitë që ndërtojnë në Serbi.

Në raportin e fundit të publikuar në qershor të vitit 2020, mes 508 kompanive, Shandong e Kinës është në vendin e 131-të dhe pikët negative iu dhanë për shkak të borxhit. Kompania kineze CCCC nuk është fare në listë.

Nga kompanitë e lidhura me Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin, vlerësime të mira ka Novi Pazar-put, ndërsa në “pjesën e zezë” të listës ishte kompania ndërtimore “Granit Peshçar”, deri vonë në bashkëpronësi të Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit.

Kompanisë së ndërtimit, në pronësi të vëllezërve Vesellinoviq dhe Millan Radoiçiqit, Inkop nga Quprija, nuk i janë shënuar pikët në listën e ministrisë. /rel/

Në trend Botë

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika

"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit

Botë
Ukraina tani kërkon një “armë specifike” nga aleatët

Ukraina tani kërkon një “armë specifike” nga aleatët

Botë
Putini shkarkon komandantin e lartë sepse gënjeu për përparimet ruse në luftën në Ukrainë

Putini shkarkon komandantin e lartë sepse gënjeu për përparimet ruse në luftën në Ukrainë

Botë
Kalo në kategori