LAJMI I FUNDIT:

Shtyhet sërish gjykimi për “Titanik 3”, mungoi dëshmitarja nga Gjermania

Shtyhet sërish gjykimi për “Titanik 3”, mungoi dëshmitarja nga Gjermania

Mungesa e dëshmitares Resmije Azemi nga Gjermania përsëri e shtyu seancën gjyqësore për lëndën “Titanik 3” për më 19 shkurt. Dëshmitarja që nga 20 dhjetori i vitit të kaluar përmes postës elektronike e kishte njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk do të mund të udhëtojë në gjysmën e parë të këtij viti.

Gjykatësja Maria Kletniçka në seancën e sotme gjyqësore informoi se dëshmitarja Resmije Azemi është e njoftuar me letrat dhe thirrjet e dërguara nga gjykata, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Njëherit edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut deri te gjykata nuk është dhënë përgjigje që të vendoset lidhje video-konferencë. Dëshmitarja është e njoftuar me letrat dhe thirrjet e dërguara nga Gjykata”, tha gjykatësja Maria Kletniçka.

Përveç se më 19 shkurt seanca të reja për lëndën “Titanik 3” janë caktuar për më 26 shkurt dhe 25 mars.

Të akuzuar në këtë lëndë janë deputeti aktual i BDI-së, Ejup Alimi dhe Ismet Guri. Sipas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Speciale Publike, të akuzuarit akuzohen për parregullsitë zgjedhore në Çair, në zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2013.

Seanca e fundit për këtë lëndë që ishte caktuar për më 4 dhjetor të vitit të kaluar ishte shtyrë, sepse nuk ishte siguruar dëshmitari që ka paraqitur vendbanim në Gjermani.

Proceduara gjyqësore për “Titanik 3” deri më tani dy herë ka filluar nga fillimi. Pasi gjykatësja Ola Ristova në mars të vitit të kaluar u largua nga kjo lëndë, për kryetar të ri të Këshillit Gjyqësor u zgjodh gjykatësja Marija Kletniçka. Përfaqësues të aktakuzës janë prokurorët Fatime Fetai dhe Gavril Bubevski./Telegrafi/