LAJMI I FUNDIT:

Shteti dhe hajdutët “e ndershëm”

Shteti dhe hajdutët “e ndershëm”
Ilustrim

Viktor Malaj

“Është e vështirë por jo e pamundur të bësh biznes të ndershëm. Nga ana tjetër, ekziston një e vërtetë e madhe se ndershmëria nuk përputhet me shtimin e pamasë të pasurisë” (Mahatma Gandi).


Me gjithë njohuritë modeste që kam në fushën e ekonomisë, dy lajme të njoftuara nga media e shkruar kohët e fundit më lanë një shije të hidhur. Sipas tyre, nga KLSh-ja (Kontrolli i Lartë i Shtetit) ishte konstatuar se gjatë vitit 2021 qeveria shqiptare nuk kishte arritur të mblidhte shumicën e tatimeve që bizneset i detyrohen shtetit shqiptar. Madje, me gjithë “përpjekjet” e bëra prej saj për t’i mbledhur me forcë tatimet e prapambetura në një shumë prej 570 milionë euro, ka arritur të mbledhë vetëm 39 milionë, ose shtatë për qind të detyrimeve.

Sipas raportit të KLSh-së, një pjesë e mirë e këtyre detyrimeve konsiderohen si të pambledhshme për shkak të falimentimit të bizneseve. Është e kuptueshme dhe e pranueshme që në ekonominë e tregut, për shkak të konkurrencës, por edhe të ndikimit të rrethanave të ndryshme, disa biznese falimentojnë. Mirëpo, numri i bizneseve që kanë shpallur falimentimin është jashtëzakonisht i madh.

Edhe përvoja e vendeve perëndimore ka treguar se ka pasur dhe ka falimentime të arsyeshme, domethënë të imponuara nga tregu dhe rrethanat e tjera, ashtu siç ka pasur dhe ka me mijëra “falimentime” të rreme, që përdoret si metodë për t’iu shmangur detyrimeve për pagimin e taksave dhe tatimeve e, madje, edhe për t’iu shmangur pagesave të fuqisë punëtore që ka kontribuar në mbajtjen dhe zhvillimin e  biznesit. Rastet e fundit nuk janë gjë tjetër veçse  metoda “të ligjshme” të vjedhjes, pasi shmangia “me marifet” dhe duke përdorur procedurat e parashikuara në ligj, megjithëse gjendjet reale të biznesit nuk e imponojnë falimentimin, kanë si pasojë vjedhjen e qytetarëve në përgjithësi duke mos derdhur në buxhetin e shtetit detyrimet ligjore, apo vjedhjen individuale duke shpallur falimentimin dhe, rrjedhimisht, “pamundësinë” e dhënies së pagave apo siguracioneve punëtorëve dhe nëpunësve të kompanisë.

Me të drejtë, komediani amerikan i shekullit të 20-të, Xhoi Adams (Joey Adams) thoshte se: “Falimentimi është një procedurë ligjore, në të cilën ju i fusni paratë në xhepat e pantallonave tuaja, ndërsa kreditorëve iu dorëzoni pallton tuaj me xhepa të zbrazët”.

Siç e kam pohuar edhe disa herë më parë, bindja ime është se, si tek ne ashtu edhe në Perëndim, qeverisjet zgjidhen nga shumica dhe i shërbejnë, kryesisht, pakicës. Qytetarëve të thjeshtë, njerëzve të zakonshëm nuk iu falet as “qimja”. Punëtori apo zyrtari i zakonshëm i paguan një më një të gjitha taksat dhe detyrimet e tjera ligjore, ndërsa sipërmarrësit dhe bizneset përdorin shumë marifete për t’iu shmangur pagesës së detyrimeve ndaj shtetit.

Bizneset që kanë si aktivitet ushtrimin e zanateve të thjeshta, por fitimprurëse, si hidraulikë, bojaxhi, elektricistë, rinovues shtëpish etj.etj. thuajse nuk kontrollohen fare dhe paguajnë aq taksa sa duan ata dhe jo sa i detyron ligji. Ndërsa bizneset e mesme e të mëdha gjejnë lloj-lloj mjetesh e metodash për t’iu shmangur pagesës së plotë të taksave dhe, kur këto nuk iu mjaftojnë, shpallin falimentimin.

Legjislacionet e mjaft vendeve, duke favorizuar hapur biznesin, pra të pasurit, janë bërë të tilla që iu mundësojnë “të falimentuarve” që, pak kohë mbas shpalljes së falimentit, të rinisin një biznes tjetër. Në kohën kur filloi kriza ekonomike në SHBA dhe Evropë, në vitet 2006-2008, qindra biznese shpallën falimentimet e rreme dhe pas pak kohësh rihynë në biznes. Pse i bënë këto? Përveç se duke vepruar kështu, shmangën miliona detyrime kundrejt buxhetit të shtetit, kur filluan biznesin “e ri” iu ofruan punëtorëve paga më të ulëta pasi iu dukej se i kishin paguar “tepër”.

Sikur ligjvënësit, që gjatë fushatave elektorale iu përbetohen dhe përshpirten shtresave të mesme dhe të ulëta se do të punojnë për ta, do t’ua ndalonin me ligj sipërmarrësve “iniciativën e lirë” pas falimentimit dhe do i detyronin të shisnin kapitalet e biznesit të falimentuar dhe të paguanin detyrimet ndaj punonjësve dhe shtetit, numri i falimentimeve do të ishte shumë herë më i vogël.

Mirëpo, çfarë ndodh realisht? Legjislacioni iu lë fushë të lirë falimentimeve voluntariste, mosmbajtjes së përgjegjësisë për detyrimet kundrejt shtetit dhe kreditorëve, hapjes së disa kompanive, me emra të ndryshëm, nga të njëjtët pronarë dhe pastaj manovrimet me shit-blerje nga njëra kompani tek tjetra me çmime që i përcakton pronari i vetëm i dy apo më shumë bizneseve dhe që i japin atij mundësi të rrisë fiktivisht shpenzimet dhe, për pasojë, të zvogëlojë disa herë detyrimet kundrejt shtetit.

Gjëja që i lidh më shumë qeveritë me masat e popullit është nevoja e të parave për votat e shumicës, me të cilat legjitimojnë qenien në pushtet, pavarësisht ndaj kujt drejtohen shërbimet kryesore të qeverisjeve. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që, nëse ndodh që i papuni apo i varfëri nuk paguan qiranë e banesës apo këstet ndaj bankës për shtëpinë e vet, me ndihmën e shtetit nxirret nga banesa dhe, në qoftë pronar i saj, ia merr banka. Gjithashtu, nëse nuk paguan shpenzimet e energjisë elektrike, të ujit, internetit etj. këto i ndërpriten, ndërsa pasaniku, milioneri apo miliarderi nuk paguan miliona euro apo dollarë taksa e tatime, shpall falimentimin dhe i falen detyrimet milionëshe ndaj shtetit (në të vërtetë ndaj popullit).

E keqja nuk ndalet këtu. Kur “falimenton” i varfëri nxirret nga banesa ndërsa kur “falimenton” i pasuri shteti i ofron ndihmën bujare duke i dhënë miliona e miliarda nga xhepi i përbashkët i popullit (buxheti) me pretekstin se kjo gjë bëhet për të mos nxjerrë njerëzit pa punë dhe për të nxitur zhvillimin. Pra, nga njëra anë qeverisjet pretendojnë se jetojmë në kapitalizëm dhe ekonomia iu nënshtrohet ligjeve të tregut dhe, nga ana tjetër ndërhyhet në treg në kundërshtim me ligjin e konkurrencës. Ndërhyrja bëhet kurdoherë vetëm në favor të të pasurve.

Lajmi i dytë dhe i çuditshëm që u përcoll nga media e shkruar thoshte se qeveria aktuale po planifikon dhënien me koncesion të menaxhimit dhe mbledhjes së borxheve të bizneseve të vogla e të mesme pasi administrata tatimore e ka të pamundur ta kryej këtë detyrë (?!). Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të drejtë të konkludojmë se qeverisja është dorëzuar përballë ligjshkelësve dhe hajdutëve, përballë “biznesmenëve tanë të ndershëm”.

Është mirë që disa qeveritarë tanët mendjelehtë dhe lajkatarë të na e kursejnë përcaktorin “të ndershëm” kur bije fjala për fushat e biznesit dhe politikës.

Sipas lajmit të lexuar, kuptohet që kompania fituese e tenderit për mbledhjen e borxheve të bizneseve do të përfitojë deri në 70 për qind të detyrimeve dhe vetëm 30 për qind do të kalojnë në buxhetin e shtetit. Çdo mendje normale do të pyeste: si ka mundësi që një shtet i tërë që zotëron dhjetëra institucione dhe instrumente ligjore, dhe që paguhet për t’iu shërbyer qytetarëve me drejtësi e  rigorozitet, e paska të pamundur mbledhjen e borxheve të prapambetura të bizneseve ndërsa një kompani private, cilado qoftë ajo, qenka më e zonja dhe më e efektshme në kryerjen e kësaj pune?!

Sipas lajmit në fjalë, kompanisë fituese iu premtuaka ndihma e Policisë së Shtetit, Policive Bashkiake dhe institucioneve të tjera shtetërore për të mundësuar mbledhjen e borxheve. Nëse është kështu, pse institucionet e sipërpërmendura ndihmëse nuk përdoren për të ndihmuar vetë shtetin shqiptar në kryerjen e kësaj detyre, por u dashka të paguhet dikush tjetër që do të përfitojë 70 për qind të shumës së mbledhur dhe që do ta bëjë këtë me angazhimin e shtetit shqiptar?!

Nëse detyrimet e bizneseve i mbledh shteti shqiptar, qoftë edhe duke shtuar numrin e punonjësve të institucioneve të angazhuara në këtë proces si dhe rrogat e tyre, sasia e parave të mbledhura do të kalonte e gjitha në buxhetin e shtetit, ndërsa kështu edhe shteti angazhohet në procesin e mbledhjes së borxheve, por sasia e parave që i kalojnë shtetit është dëshpërimisht e vogël.

Në Kodin Penal të RSH ka disa nene që ndëshkojnë shkeljet në fushën e falimentimit dhe  pagesës së taksave, por ka edhe nene që ndëshkojnë punonjësit e administratës përkatëse shtetërore për mosndjekjen e procedurave të vjeljes së tatim-taksave dhe mos realizimin e tyre. Dëshirat dhe prirjet ekstravagante për t’ia kaluar thuajse të gjitha llojet e shërbimeve privatëve dhe, sidomos, transferimi i detyrave të administratës shtetërore tek privati nën okelion  Partneritet Publik-Privat, mbajnë erë të keqe dhe praktikisht flasin jo për një shtet të popullit e të votuesve, por për një shtet drejt falimentimit, të vënë në shërbim të një pakice të privilegjuar.

Sjellja e shembujve nga Perëndimi nuk mund të shërbejë për ndryshimin e thelbit të gjërave, pasi edhe atje në krye të vendit rri oligarkia, pavarësisht se tepricat për “grigjën” atje janë aq të mëdha sa t’i kënaqin shumicën deri në rreshtin e fundit të “platesë”.

Duke pasur parasysh sa më sipër, e konsideroj të papranueshme që përmasat e  borxheve të prapambetura të bizneseve në vendin tonë të jenë kaq të mëdha dhe, akoma më të papranueshme që mbledhja e këtyre borxheve t’iu kalohet kompanive private. Ka ardhur koha që edhe kokëfortët t’i thonë një herë vetes: Ndal! Përpara se t’i ndalin të tjerët.

Në trend

Më shumë
Tyson Fury vs Oleksandr Usyk - edhe pak minuta kanë mbetur për meçin e madh

Tyson Fury vs Oleksandr Usyk - edhe pak minuta kanë mbetur për meçin e madh

Boks
Arratisja e Enver Sekiraqes, flet avokatja e tij

Arratisja e Enver Sekiraqes, flet avokatja e tij

Drejtësi
Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi

"Kemi takuar Mourinhon dhe kemi zgjedhur detajet në aspektin financiar" - portugezi mund të drejtojë dy futbollistët shqiptarë

Ligat tjera
Cristiano Ronaldo dhe Anthony Joshua prezent në meçin e shumëpritur mes Fury dhe Usyk

Cristiano Ronaldo dhe Anthony Joshua prezent në meçin e shumëpritur mes Fury dhe Usyk

Boks
Blero përlotet pasi dëgjon zërin e Afronës në studio, e pranon publikisht: Më kanë tradhtuar

Blero përlotet pasi dëgjon zërin e Afronës në studio, e pranon publikisht: Më kanë tradhtuar

Magazina
Kalo në kategori