Shtet i pasur apo i varfër?
Që Kosova është një shoqëri e kontrasteve kjo tashmë është e ditur. Mbase kjo mund ta ketë edhe një shpjegim sepse është shoqëri në tranzicion edhe atë në një tranzicion të trefishtë. Kaloi nga lufta në paqe, nga komunizmi në demokraci dhe nga okupimi në pavarësi. Mirëpo, një kontrast që po shfaqet këtyre ditëve të fushatës ka të bëjë me vet shtetin. Për një ditë, për një vështrim ne mund të shohim një shtet të pasur dhe një shtet të varfër në të njëjtën kohë.
1. Fushata zgjedhore dhe shteti pasur
Në rast se përcillet fushata zgjedhore medialisht dhe në veçanti videospotet e paguara nga subjekte të caktuara politike, nuk ka dyshim se krijohet përshtypja për shtet të pasur. Është fakt i ditur se çmimi i transmetimeve të tilla mediale është marramendës. Por, një çmim i tillë nuk paraqet kurrfarë pengese për subjekte politike që janë në pushtet dhe për disa të tjera që kanë qenë në pushtet. Se kah sigurohen mjetet financiare nuk mund të dihet saktësisht.
Po ashtu, në raportet financiare të partive politike për shpenzimet e fushatës nuk do të paraqiten shumat reale të shpenzimeve, pavarësisht se partitë politike e kanë plotë gojën transparencë. Por një gjë dihet dhe do të dihet gjithmonë: se burimet joformale të financave janë burimet kryesore të partive formale të vendit tonë.
Është shqetësues ky fakt për shumë arsyeje. Së pari, sepse nëse burimet joformale janë aq të fuqishme atëherë pak hapësirë ka për burime formale (zyrtare) që të jenë të fuqishme. Së dyti, nëse një shtet ka strukturat joformale më të fuqishme se sa strukturat formale atëherë nuk i ka punët mirë. Shtetet e tilla nuk mund të ndërtojnë kurrizin e fuqishëm të shtetit e cila do ti bëjë ballë sfidave të shtetit në shumë plane dhe veçmas në planin e zhvillimit ekonomik.
Zhvillimi ekonomik i shtetit varet nga shpenzimet e qeverisë, qarkullimi i parasë dhe faktori i multiplifikimit të tyre. Por nëse paraja është më shumë në duart e strukturave joformale atëherë ai vend e ka më të fuqishëm ekonominë joformale se sa ekonominë formale. Dhe dihet mirëfilli se pa u fuqizuar ekonomia formale dhe pa u luftuar ekonomia joformale, papunësia do të vazhdojë të jetë një sëmundje endemike e qeverisjes së Kosovës. Dhe si pasojë, qytetarët tanë do të kërkojnë burimet e ekzistencës jashtë Kosovës, me rrugë e lumenj të rrezikshëm siç tregoi tragjedia në lumin Tisa.
2. Tragjedia e lumit Tisa dhe shteti i varfër
Realiteti ekonomik i Kosovës është i mjerë. Që nga përfundimi i luftës, qytetarët e Kosovës përballen me papunësi të madhe. Asnjë vend në Evropë nuk e ka shkallën e papunësisë më të lartë se Kosova. Ky problem i madh nuk ka gjetur zgjidhje nga tri qeveritë e kaluara dhe as kjo që është në pushtet nuk bëri lëvizje qenësore në këtë drejtim. Si rezultat, qytetarëve u mbeti që të gjejnë vet zgjidhjet në forma të ndryshme. Një rrugë që e zgjodhën ata është ikja nga vendi, edhe në këtë kohë kur vendi ynë u bë shtet i pavarur. Ikje kjo, me kosto të lartë deri në rrezikim të jetës. Tragjedia e qytetarëve tanë në lumin Tisa është vetëm njëri nga rastet e numërta të luftës për mbijetesë, që përfundoi me vdekje.
Shumë të tjera tragjedi kanë ndodhur në dhjetë vjetët e fundit dhe pak dihet për to. Ndërkohë, qeveritarët thërrasin për durim me arsyetimin se duhet një kohë më e gjatë për të bërë ndryshime rrënjësore ekonomike dhe për të zbutur çështjen e papunësisë. Por, përderisa një arsyetim i tillë mund të ketë bazë dhe mund ti bind qytetarët për një durim, ka disa gjëra që jo vetëm ia humbin durimin qytetarit por i irritojnë ata deri në zhgënjim.
Shembulli i shpenzimeve marramendëse për fushatën zgjedhore është një prej gjërave që po irriton qytetarët. Disa pyeten se a thua sa vende pune kanë mundur të hapen sikur paratë e shpenzuara për fushatën të ishin përdorur si investime për hapjen e vendeve të punës. Në një vend të varfër siç është Kosova është luks i madh që aq shumë mjete të shpenzohen për pushtet, ndërkohë që qytetarët dhe nevojat e tyre të mbeten në rend të dytë.
Vetëm përcilleni si shprehen partitë politike gjatë fushatës, secila thotë se qytetarët janë në qendër të fokusit të tyre. Mirëpo, investimet në vend se të shkojnë për ta, për fat të keq, po shkojnë për interesa të partive, grupeve apo klaneve të caktuara.
Kjo qasje tregon se filozofia politike e partive të caktuara politike, që për fat të keq, janë në pushtet apo kanë qenë në pushtet, është filozofi politike e orientuar kah vet partia dhe kurrsesi ndaj qytetarit. Dhe, për aq sa zgjat kjo filozofi e gabuar do të zgjasë dhe agonia e varfërisë së shtetit të Kosovës.
(Autorja është magjistre e Administrimit Publik të Universitetit të Harvardit, kryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës dhe deputete e Kuvendit te Kosovës)



































