Në periudhën e pasluftës teleshikuesi kosovar është mësuar dhe ambientuar të ndjekë telenovela dhe spektakle nga më të ndryshmet. Tashmë jemi mësuar me shumë emisione që në programin-përmbajtjen e tyre kanë eksperimente qofshin ato shkencore, edukative, humane apo edhe të profileve të tjera. Në prezantime të tilla publiku përqendrohet apo emocionohet duke i parë këto emisione, në rastin tonë telenovela apo spektakle, ku një pjesë e audiencës qajnë, dridhen dhe e njëjta gjë ndodh dhe me protagonistet e këtyre emisioneve...si në “Shpinë e Kosovës”.

Emisione të tilla kanë shumë audiencë për shkak të emocioneve që ato përçojnë dhe pompozitetit medial që krijohet para se ato të fillojnë.
Është e kuptueshme që ky reality show është eksperimental sepse këtë vit filloj për herë të parë dhe si i tillë në fillimet e veta ka pasur pritshmëri reale për një audiencë të konsiderueshme, sepse mund të shikohej jo vetëm në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, por edhe gati në gjithë rruzullin.


Ky reality show është një prodhim kosovar që eksperimenton me sjelljen e disa personave të niveleve të ndryshme shoqërore që për një periudhë të caktuar kohore banojnë në të njëjtën shtëpi e cila jo rastësisht pa filluar spektakli synohet të quhet shtëpia më e famshme në Kosovë.

Është normale që ky show konsiston në njohjen e personaliteteve njerëzore dhe diversiteteve të tyre, sepse aty kanë hyrë 20 personazhe që mund të kenë ngjashmëri në ndërtimet e tyre shpirtërore, por edhe mund të mos ngjajnë fare me njëri-tjetrin. Këta protagonistë na kanë shpalosur, kush më shume e kush me pak, karakterin e tyre nga vendbanime të ndryshme të Kosovës. Fakti që të gjithë jemi ndryshe tregon se dhe çdo kush ka aftësi të tjera nga një person tjetër dhe mund të sjellë atribute dhe virtyte të cilat e veçojnë nga të tjerët.

Një orgji e tillë psiko-sociale ku disa njerëz të futur në një shtëpi të mbajtur ne vëzhgim me 24 kamera për 24 ore, të veçuar nga çdo lajm ose kontakt me botën e jashtme përbën me të vërtetë një eksperiment shpirtëror, psikologjik dhe social.

Shpija e Kosovës që në ditët e para kur filloj të emitohej u lexua më shumë se qartë se ka bërë seleksionime banorësh që nuk premtuan spektakël dhe sukses të madh eksperimental.

Mungesa e një lideri

Liderët e vërtetë janë ata që kane një vizion, por në konceptet e menaxhmentit modern lideri me vete duhet të ketë edhe një skuadër me ekspertë të profileve të caktuara. Gara në Shpinë e Kosovës përveç se një gare individuale për çmimin e madh është gjithashtu një punë grupi, pra si në çdo punë skuadre ku duhet një lider për t’i udhëhequr të tjerët të cilët do ta fillonin tre muaj më parë spektaklin për tu bërë protagonistë brenda një shtëpie dhe një oborri.

Dhe pikërisht në këtë shtëpi kishte mungesë të një lideri apo katalizatori përçarës dhe polarizues, mungesë të një agresiviteti pacifist për rivalin ose banorët e tjerë, mungesë të aleancave etj. Kishim edhe mungesën e një “diktatori” që ka qenë dhe ndoshta vazhdon të jetë pjesë e debateve në familjet dhe shoqëritë ballkanike, mungesën e një strategu i cili do ta shpërbëjë dinamikën e shtëpisë në disa klane, dhe t'i përplasë këto klane kundër njeri tjetrit.

Vlerësimi i kritereve të seleksionimit dhe kriteret e përdorura për këtë edicion do të vazhdojnë të jenë spekulative. Pavarësisht nga rezultati i vrojtimit të performancës së individëve–banorëve, tani kur deri te finalja kanë ngelur vetëm edhe disa ditë, konkluzionet lënë shumë për të dëshiruar. Shtëpia gjithsesi do të ketë një fitues me performancë të ulët i cili do të jetë më i miri në grupin e të përzgjedhurve.

Administrimi jo kompetent i zotit të shtëpisë, filozofia e vetvlerësimit nga ana e tij dhe audiencës mund të përdoret për të dhënë informacione mbi mënyrën se si individët mund të përmirësojnë performancën e tyre. Nga ajo që kemi parë për këta tre muaj duket se i zoti i shtëpisë është kënaqur me karakteristika të domosdoshme ose me minimumin e pranueshëm të aftësive dhe nuk ka pretenduar në karakteristika të dëshirueshme të banorëve. Disa nga zërat të cilët nuk janë marrë në konsideratë nga ai gjatë selektimit të banorëve janë: arritjet arsimore, inteligjenca e përgjithshme, prirjet e veçanta, interesat e publikut, kompetenca verbale, fluiditeti verbal etj.

Prodhuesit e këtij reality show do të duhej të pyeteshin se përse nje ditë , ose një mbrëmje e së shtunës në Big Brother prodhon më shumë spektakël se 90 ditë në “Shpinë e Kosovës”.

Disa nga mangësitë e spektaklit

Shumica e kritikëve por edhe e publikut tashmë kanë evidentuar dobësinë më të madhe të këtij spektakli e cila e ka fillin në përzgjedhjen e banorëve-lojtarëve.

Mungesa e ndonjë pjesëmarrësi-banori nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova Lindore, apo e ndonjë protagonisti nga Mali i Zi ka reflektuar në boshllëkun e spektaklit. Një shpërndarje apo pjesëmarrje më reprezentative mbarëkombëtare do t’i dhuronte më shumë sharmë shtëpisë. Me një tetovar-e, ulqinak-e, preshevar-e, shtëpia do të ndjehej më e mbushur dhe më e ngrohtë.

Me aq sa kemi parë për gati tre muaj , banorët dukeshin shumë të vakët në sjelljet e tyre. Shumë prej banorëve të futur brenda në Shtëpinë e Kosovës kanë treguar shfaqje të burgosjes epshore. Përveç kësaj shumica e tyre ishin me arsim të mesëm apo ndonjëri prej tyre student. Çdo njëri nga banorët kishte mundësi të ofronte revolucionarizim në trajtimin e temave sociale problematike të shoqërisë sonë të sotme në detyrimet integruese drejt qytetërimit bashkëkohor.

Çdo show bëhet për të treguar vlerat pozitive ose negative të shoqërisë. Audienca kishte ofertën të njoh personalitete njerëzore me virtyte dhe atribute nga më të ndryshmet. Rezultat i një reality show të tillë do të duhej të ishte , thyerja e tabuve , shembulli që japin emisionet e tilla përmes bamirësisë, selektimi i vlerave pozitive etj.

Rishikimi i metodave selektive megjithëse për edicionet e radhës nuk sjell përgjigje magjike, do të zbulonte dobësitë të cilat gjithsesi duhet të riparohen në të ardhmen. Kriteret realiste dhe të qarta të seleksionimit janë tepër të vlefshme në përcaktimin e informacionit të merituar për vendimmarrjen e seleksionimit. Informacioni nga kandidatët duhet të merret nga shumë burime alternative duke filluar nga testet shkencore, psikologjike, psikometrike, sociale, intervistat me ekspertët e burimeve njerëzore etj.

Për të siguruar informacion nga kandidatët duhet përdoruar teknika të kujdesshme në mënyrë që të vërehen variacionet e shkathtësive të demonstruara nga kandidatët potencial. Zhvillimi i teknikave të intervistimit domosdoshmërisht duhet të bëhet nga ekspertët të cilët mbi bazën e performancës së tanishme avancojnë performancën e ardhshme.

Edicioni-eksperimenti i parë ka lënë edhe disa çështje të hapura. A kishte tolerancë të tepruar te disa nga protagonistët, a kishte ndëshkime të tepruara dhe jo humane?. Një çështje tjetër e cila nuk u kuptua nga publiku është se sa teleshikues kanë votuar, si numërohen votat etj. Vetëm na paraqitet një përqindje që nuk do të thotë asgjë. Pse rezultatet e votimin nuk u dhanë me numër të votave por me përqindje ? Pse votimi në sondazhe ndryshonte nga ato me sms, pse kishte një diskrepancë aq të madhe?.

Gjithsesi le të shpresojmë se në të ardhmen një show i tillë do të bëjë përmirësimet e duhura, jo vetëm në mënyrën e organizimit, menaxhimit, seleksionimit dhe të gjitha cikleve të tjera të evidentuara si të "meta" gjatë kësaj periudhe, por le të shpresojmë gjithashtu, se nuk do ta shohim më si një show thjeshtë argëtues, por edhe si një spektakël i mirëfillte vlerash, në mënyrë që të përçojë jo vetëm të qeshura, emocione, adrenalinë, por edhe kulturë, inteligjence, vizion për të ardhmen, madje edhe ndryshim mentaliteti në shoqërinë tonë tranzitore.

Por që të arrihet kjo, kërkohet jo vetëm më tepër impenjim nga autorët dhe organizatorët e një spektakli te tillë, por edhe më tepër mirëkuptim, dashuri e respekt nga i gjithë opinioni. Le ti japim edhe këtij spektakli kohën e vet që të rritet të evoluojë dhe të maturohet.

Menaxhimi i suksesshëm i një spektakli të tillë është sfidë më e madhe se sa fillimisht e kishin menduar organizatoret e këtij edicioni.

(Autori ka përfunduar studimet për master në menaxhment internacional)