Tre persona të arrestuar për laboratorin e drogës, i cili u zbulua brenda një godine katërkatëshe përgjatë aksit rrugor Lezhë–Milot, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Me seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, e cila zgjati rreth 60 minuta, gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin e shtetasve Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç (babë e bir), si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”.


Ndërsa për punonjësin e OSHEE-së, Gjon Doda, u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Laboratori i drogës u zbulua mbrëmjen e së hënës, ku nga kontrolli i ushtruar në katin e dytë të objektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 960 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra me fishekë, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.

Po ashtu, nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive. /Tch/Telegrafi/