Një emigrant shqiptar në Greqi është shpallur hero pasi shpëtoi dy adoleshentë nga mbytja në lumin Arahthos.

Dy djemtë, të moshës 14 dhe 15 vjeç, u nxorën nga lumi të mërkurën pasdite nga Ledian Goga, i cili nuk mendoi dy herë përpara se të hidhej në ujë për t’i shpëtuar.


Adoleshentët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë të intubuar, ndërsa Lediani, me origjinë nga qyteti i Dimalit në Shqipëri, ka rrëfyer me lot në sy momentet dramatike të shpëtimit.

“Njëri prej tyre është në moshën e vajzës sime. Erdhi dikush dhe bërtiti ‘ndihmë’. Po pija një kafe kur dëgjova thirrjen. Mora makinën dhe erdha. Më thanë ‘dy fëmijë po mbyten’ dhe menjëherë u hodha në ujë. Nxora njërin, por më thanë që ishte edhe tjetri. U futa përsëri, por nuk e gjeta menjëherë. Më pas u hodha nga varka — ishte shumë thellë, pesë ose gjashtë metra. E pashë fëmijën të shtrirë, e kapa dhe me gjithë forcën u përpoqa ta nxjerr që të merrte frymë,” tregoi Lediani për median lokale Arttv.

Duke shpresuar për mbijetesën e të rinjve, Lediani, vetë baba i dy fëmijëve, tha se nuk ngurroi asnjë çast për t’u ardhur në ndihmë.

“Të gjithë bëmë përpjekje bashkë. Nuk ka rëndësi tjetër. Vetëm për fëmijët mendoj. Edhe fëmijët e mi po qajnë, më duhet të shkoj në shtëpi. Për hir të Zotit, fëmijët janë… Unë jam i huaj, bëra një të mirë, nuk më intereson çfarë kombësie janë. Vetëm të jetojnë fëmijët. Të gjithë bashkë provuam. Zoti i ndihmoftë, t’i ruajë dhe t’i kthejë në jetë,” shtoi ai.