LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët dhe (anti)amerikanizmi

Në tërë historinë nuk ka popull tjetër që i është gjetur më pranë popullit shqiptar se sa populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shteti më i fuqishëm i të gjitha kohërave, Amerika, si një engjëll mbrojtës, i ka mbështetur shqiptarët në momentet më të vështira, ndërsa ata janë kërcënuar nga copëtimi, dëbimi dhe gjenocidi. Por, edhe shqiptarët (përveç gjatë episodit tragjik të sundimit komunist), gjithherë e kanë admiruar Amerikën sinqerisht dhe kur kanë mundur, si fjala vjen së fundmi, gjatë përpjekjeve amerikane në Irak dhe Afganistan, madje kanë vënë në rrezik dhe sakrifikuar jetët e tyre krahas jetëve të ushtarëve amerikanë.

Bazuar në zhvillimet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në njëzet vitet e fundit, dhe sidomos në ndërhyrjen e vendosur të Washingtonit për çlirimin e Kosovës, mund të thuhet pa drojë që kovalenca e popullit amerikan dhe atij shqiptar është më e gjerë se ç’e përfshin korniza e marrëdhënieve mes shteteve dhe qeverive të të dy popujve. Lidhja shqiptaro-amerikane shkon përtej institucioneve dhe është lidhje mes dy popujve.

Amerikanët janë popull energjik, pjesëtarët dhe liderët e të cilit nuk shmangin argumentimin, debatin dhe konkurrencën maksimale me njëri-tjetrin. Porse, në Amerikë, kur është në pyetje interesi i popullit amerikan, amerikanët i mënjanojnë dallimet çfarëdo qofshin ato- partiake, regjionale, fetare apo klasore – dhe bashkohen rreth amerikanizmit.

Shqiptarët gjithashtu janë të njohur të bëhen tok rreth strumbullarit të interesit të tyre, kur preken themelet e shqiptarizmit. Mirëpo, kohëve të fundit, paturpësisht disa pjesëtarë të popullit shqiptar dhe formacione të tyre, duke parodizuar dhe fyer virtytet e idesë amerikane të demokracisë, drejtësisë dhe mirëqeverisjes, në vend se të diskutojnë dhe të ofrojnë alternativa për zhvillim, përparim dhe rritje, në mënyrën më të ndyrë kanë filluar ta keqpërdorin pro-amerikanizmin e shqiptarëve duke provuar ta marrin flamurin e miqësisë shqiptaro-amerikane nga duart e popullit. Pa një pa dy, këta taralleqë nuk dinë tjetër përpos të quajnë antiamerikan këdo që nuk pajtohet me ta apo nuk u shkon për vijë të tyre.

Fatkeqësisht, ky keqtrajtim i pro-amerikanizmit shqiptar mund të haset në Prishtinë, në Tiranë, e edhe në Shkup. Në të tri këto qytete, një numër politikanësh dhe violinash të tyre janë mësuar që pandershmërisht të etiketojnë kundërshtarët e tyre si antiamerikanë. Klasat politike, gjegjësisht cilat do elita shqiptare, nuk duhet lejuar veten të bien në një nivel kaq të ulët.

Ç’është e vërteta, antiamerikanë janë ata që vjedhin, korruptohen dhe korruptojnë, abuzojnë me pushtetin, shkelin rregullat e demokracisë dhe manipulojnë me sentimentin pro-amerikan të popullit shqiptar. Assesi ata që mëtojnë të ngritin nivelin e demokracive shqiptare sa më lartë pranë standardeve të demokracisë amerikane dhe që kritikojnë dukuritë negative, zhvatjen, ryshfetin dhe vendosjen e interesit personal mbi atë kombëtar.

Populli amerikan respekton dhe është në raport miqësor me cilindo shqiptar apo shqiptare – qofshin ata anëtarë të partive të djathta, të majta, të qendrës apo apartiakë. Amerika do të ketë marrëdhënie të mira me shqiptarët të cilët respektojnë ligjin dhe kontribuojnë në përparimin e vendeve të tyre. Sistemi amerikan i qeverisjes nuk i duron, dhe i lufton me forcë pikërisht ata që nuk luajnë sipas rregullave të lojës për gjithë shoqërinë.

Amerika në themelin e idesë së saj dhe shtetit ka të drejtat e shtetasit, duke filluar me të drejtën e të shprehurit e deri te e drejta e “jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë”, por edhe përgjegjësitë e tij, si: mbështetjen dhe mbrojtjen e atdheut kundër të gjithë armiqve (të jashtëm dhe të brendshëm); pjesëmarrjen aktive në procesin demokratik; bindjen përkundrejt ligjit; pagesën e taksave; dhe, ndër më të rëndësishmet, respektimin e të drejtave, besimit dhe opinioneve të të tjerëve. Qeveria amerikane bile inkurajon kritikat dhe nxjerrjen në shesh të të metave dhe problemeve edhe të qeverisë edhe të shoqërisë.

Së këndejmi, të quash antiamerikan dikë pse do, le të marrim si shembull, privatizimin e një asseti kombëtar me çmimin më të lartë dhe pa u dhënë mito, është antiamerikanizmi i vërtetë. Pra, antiamerikani më i keq është personi që thirret në emër të amerikanizmit, ndërkohë që vepron kundër thelbit të amerikanizmit.

Një kritikë për këtë pahijeshi kakofonike me anti dhe pro-amerikanizëm falso në hapësirën shqiptare, e meriton edhe politika e jashtme e SHBA-së, e veçanërisht ambasadorët amerikanë në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Titullarët e ambasadave amerikane në këto tri kryeqytete, disa herë, në emër të pragmatizmit diplomatiko-politik, jourtësisht kanë heshtur ose kanë përkrahur individë të cilët në aspektin afatgjatë mund të shkaktojnë dëm jo vetëm për të ardhmen e shqiptarëve, por edhe për vizionin amerikan për ligjshmëri, zhvillim ekonomik dhe demokraci në vendet ku jetojnë shqiptarët.

Sido që të jetë, njeriu mund të rrijë shtrembër, por duhet të flasë drejt:askush nuk është më përgjegjës për zukamën pro dhe anti-Amerikë të disa zhurmaxhinjëve sesa vetë shqiptarët dhe faji më i madh, nëse pranojnë të shpërdorohet pro-amerikanizmi i tyre gjithë popullor dhe unik, do të jetë padyshim i shqiptarëve.

Tani e tutje, të gjithë ata shqiptarë që përdorin gjoja antiamerikanizmin si argument denoncues dhe mallkues për njëri-tjetrin, duhet ta dinë që kjo marrëzi është e padrejtë dhe mund të shfrytëzohet nga shumë elemente mu antiamerikane. Koha është që të ndalet fushata demagogjike dhe verbale me antiamerikanizëm të shpifur dhe të bëhen gjykime që bazohen në punë, bashkëpunim konkret dhe rezultate.

Për të gjithë ata që besojnë që hilet dhe dredhitë e politikës ditore janë gjenialitet strategjik, amerikanët janë pakëz më të mençur se aq, sepse ata e dinë që partitë lindin e mund të shuhen, siç e dinë që politikanët duhet dhe patjetër do t’i nënshtrohen rotacionit.

Amerikanët e dinë shumë mirë thënien e Gjykatësit të njohur të Gjykatës Supreme të SHBA-së, Louis Brandeis: “Në demokracinë amerikane titulli i vetëm superior ndaj atij të Presidentit është titulli i qytetarit”. Kjo është arsyeja kryesore pse Amerika miqësinë – mbi të gjitha – e ka me popullin shqiptar, ashtu si populli shqiptar e ka me popullin amerikan. Prandaj, ta përdorësh etiketën antiamerikane kundrejt shqiptarëve është djallëzi – edhe antishqiptare edhe antiamerikane.

(Uk Lushi është aktivist shqiptaro-amerikan në komunitetin e New Yorkut)