LAJMI I FUNDIT:

Shqiponja, në histori

Shqiponja, në histori

Shqiponja nga Gjakova ka shkruar historinë, duke u kualifikuar në të tetën e finales në Challange Cup, pasi mposhti edhe në ndeshjen e dytë skuadrën maqedonase, Pelister 2012, me rezultat 39:35

Skuadra e Shqiponjës nga Gjakova në hendboll, në konkurrencën e femrave, ka shkruar historinë duke arritur fitore të madhe në kuadër të garave ndërkombëtare në Challange Cup, pasi edhe në ndeshjen kthyese ka shënuar fitore përballë skuadrës maqedonase, Pelister 2012, me rezultat 39:35.

Në ndeshjen, e cila u zhvillua në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, në prani të 450 shikuesve hendbollistet kosovare u treguan fantastike përballë atyre maqedonase.

Pjesa e parë nisi në mënyrë të barabartë ku të dy skuadrat u treguan të suksesshme, duke bërë që epërsia të ishte sa në njërën anë e sa në tjetrën. Por ishin vashat kosovare, të cilat falë lojës së mirë në fazën e mbrojtjes arritën që në pushim të shkonin me epërsi prej katër golave 22:18.


Edhe në 30-minutëshin e dytë hendbollistet e skuadrës së Shqiponjës u treguan më të suksesshme duke mos lejuar ato maqedonase të afrohen në rezultat.

Falë lojës së mirë nga Bellma Bebas dhe Xhevahire Bajramit, hendbollistet kosovare arritën që të mbanin epërsinë e krijuar.

Fundi i ndeshjes ishte dramatik, pasi hendbollistet maqedonase arritën të ngushtonin rezultatin, por jo edhe të shënonin fitore, pasi pësuan me rezultat 39:35.

Pas ndeshjes një ndër lojtaret më të dalluara në të dy takimet, Blerina Haxha, tha se e kanë pritur që të kualifikohen.

“Pas fitores në ndeshjen e parë të zhvilluar në Maqedoni, kemi besuar se mund të arrijmë të fitojmë edhe ndeshjen e dytë. Ishte një ndeshje e vështirë, por kemi treguar lojë shumë të mirë duke arritur që edhe në ndeshjen e kthimit të shënojmë fitore. Jemi shumë të lumtur me këtë sukses të arritur, pasi kemi shkruar historinë me klubin e Shqiponjës, duke kaluar në rrethin tjetër”, u shpreh Haxha për "Zërin".

Ndryshe hendbollistja është e huazuar te Shqiponja. Me këtë fitore skuadra e Shqiponjës arriti të hyjë në histori, duke kaluar në rrethin e tretë të garës në Challange Cup.

Lojtarja më e dalluar në këtë takim ishte Bellma Beba, me 13 gola të shënuara e ndihmuar edhe nga Xhevahire Bajrami me tetë gola. Ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultat të thellë 22:38, në të mirë të Shqiponjës, e cila me plot meritë depërton në të tetën e finales në këtë garë.