LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria, viti zero…

(Panoramë dimri mbi atdheun…)

Viti zero…


Faktikisht jemi në vitin zero për nga niveli i demokracisë, por jemi “krenar” se në zhvillimet tjera kemi numra të tjerë në xhepin e korrupsionit dhe batakut politik në të cilin jemi futur dhe vështirë se dalim krenar dhe heroik ashtu si ju flasim turmave nga sheshet e pergjakura dhe televizionet e pushtuara të atdheut që ndjellin erën e gjakut, të cilat në vend se të informojnë, sport popullor e kanë nxitjen duke demonizuar kundërshtarin… Berisha dhe Rama në fushë të mejdanit “argëtojnë publikun” ku njëri e bën gropën ndërsa tjetri i mbulon viktimat… Ç’farë seriali tragjikomik po na shohin sytë… Ironike dhe tragjike deri në ekstrem…

Kaini dhe Abeli…

Sipas rrëfimit biblik njëri vëlla në fillimet e botës e vret tjetrin… Bibla rrëfen me ketë storje se sa e keqe mund të jetë bota pa besim në zotin dhe në vlerat njerëzore. Në shtetin amë Shqipëri nuk ka punë Bible dhe Kurani në mes të Kainit dhe Abelit shqiptar, është punë politike dhe përfitimesh politike në mes të dy protaganistëve të politikës shqiptare që me përkëdheli po i emërtoj në këto çaste “historike” a histerike. Kain dhe Abel të politikës shqiptare, pyetja që vlen në këtë kontekst nuk mund të bëhet kush ka të drejtë në tërë këtë “histori” a histeri…

Dilema personale apo dilema Kosove…

Më duhet të shfaqi një koncept të rrëfimit personal para se të hyjë të marrë mundin e botës për të ecur nëpër kryqin e kalvarit politik dhe analizuar zhvillimet në anën tjetër të kufirit shqiptaro –shqiptar, për mua personalisht zoti Sali Berisha si lider i demokratëve ka merita historike që në çastin kur u vendos në krye të protestave të Tiranës për të larguar tiraninë nga rrugët e Tiranës. Tashmë po kalojnë 20 vite nga ajo kohë dhe zoti Berisha në sytë e mi nuk e ka humbur shkëlqimin e një lideri politik që është munduar në këtë rrugëtim dhe nëpër këto “udhë me gropa politike” të bëj gjëra të mira për Shqiptarët dhe Shqipërinë. Nga ky sens në ç’do kohë personalisht jam tifoz i demokratëve të cilët i shoh si parti e djathtë politike disi më larg të shkuarës komuniste, por nuk e shoh te socialistët djallin me brina dhe foton e Greqisë. Një lloj filogreqizmi përshkruhet tek socialistët kryesisht nga shqiptarët jashtë shtetit amë dhe atë krejtësisht pa të drejtë, mbase duke u nisur nga përkatësia fetare ortodokse e një pjese apo e të gjithë liderëve të majtë në post diktaturë, një aludim i pakripë dhe i pa shije duke pas parasysh të gjitha faktet nëpër kohë dhe histori se myslimanët, katolikët dhe ortodoksët janë e njëjta etni, kurban luftërash për të mjerën Shqipëri (siç do të thoshin patriotët e vërtetë)…!

Ditë janari…

Në këto ditë janari është nxehur temperatura politike në çarshinë e Tiranës (a nuk është edhe ky paradoks se shqiptarët janë nxehur më shumë se kurrë në janarin e ftohtë)… Zakonisht edhe përrallat e dimrit që tregohen si barsoleta në dhoma të ngrohta na nxjerrin si komb në superlativ, disi jemi më të mençur se të tjerët, më stoik dhe të paepur si në tregimin e Gjergj Elez Alisë… Kur të kthehemi në realitet në netët e vona të këtij janari të ftohtë atmosferik dhe të nxehtë politik shohim veten në pasqyrë të botës dhe realitetit se në ngjarjet e fundit politike dy burra të dheut që përfaqësojnë dy kampe politike, zotërinjtë e betejës në bulevard me hunj dhe armë dhe me fjalë ne televizionet e “pushtuara” të Tiranës nuk kanë të drejtë as njëri as tjetri… Përgjigjet në pyetjet përse nuk kanë të drejtë janë të thjeshta dhe mund ti dinë edhe zogjtë e trembur të maleve pa florë dhe faunë të viseve shqiptare…

I pari “heroi im”, z. Sali Berisha ka dy vite se opozita shqiptare që ka pothuajse të prerë me thikë gjysmën e elektoratit shqiptar që bën pyetje dhe shtron dilema fillimisht retorike dhe më pas me hunj bulevardi se ju keni marrë një mandate të manipuluar zgjedhor për të ardhur në karrige pushteti. Unë si qytetar shqiptar nuk e di apo nuk mund ta di se si keni ardhur në vitin 2009 në pushtet përderisa nuk u bë asnjë hetim serioz dhe i pavarur se sa të pastra si loti i restorantit “Crocodil” janë zgjedhjet që ju kanë mandatuar kryeministër. Ju thoni se Rama kërkon të krijoj një alibi të rrejshme se zgjedhjet janë të manipuluara për të mos e njohur pushtetin tuaj, atëherë përse nuk i hetuat deri në një votë për t’i treguar Ramës dhe socialistëve të thjeshtë se ju keni marrë një mandate të pastër…

Në vend të kësaj duke pretenduar se ka përfunduar ç’do afat ligjor, ç’do dyshim dhe ç’do hetim duke u thirrur në nene, ligje, kushtetutë dhe akrobacione politike i dogjët kutitë dhe provat me benzinë… Një mandate të ndershëm dhe të pastër si loti sikur betoheni askush nuk ja ka frikën asnjë hetimi, nëse e shpreh mendimin tim personal as që keni pasur nevojë për paradoks as të ia keni frikën…ama absolutisht s’keni nevojë të keni pasur (se më nuk keni) asnjë lloj frike nga hetimi mbi vjedhjen e mundshme të votave dhe të pushtetit sepse ju dini shumë mirë diçka të rëndë edhe për kampin tjetër…

I dyti “heroi im” Edi Rama, pyetja e parë faqe botës që rëndon mbi “pastërtinë” tuaj heroike është se cili është dallimi në mes të korrupsionit kryeministror në paralele me korrupsionin bashkiak, ç’farë dallimi në erë, ngjyrë, kohë dhe vend ka korrupsioni, është më tepër se e qartë se ju me 21 janar qëndruat nën hije duke bërë sehir dhe duke tentuar për ta marrë pushtetin me dhunë. Tashmë analistët pranë jush kanë marrë mundin e botës për të shfletuar fjalor dhe autor për të shpjeguar se ç’do të thotë grushtshtet si definicion. Mendoj se nuk ishte grushtshtet sipas fjalorit të analistëve për në mënyrë të thjeshtë përpjekje “interesante” për të marrë pushtet me dhunë, interesante në kuptimin se zoti Rama nuk u duk në ballë të protestës me shprehjen e zakonshme “Jam këtu për t’i thënë Sali Berishës…, por ju burra dhe gra të Shqipërisë shpërndahuni të qetë nëpër shtëpi se qetësia juaj e vret pushtetin më shumë se dhuna’’. Askush nuk i arsyeton vrasjet dhe ndoshta edhe mund të shmangeshin, por kishte një cikël të fortë dhune nën regji dhe sehire.

Një javë më pas zoti Rama u pa i përlotur në kujtim të viktimave që një javë më parë i kishte lënë të vetmuar pa asnjë mesazh mbi qëllimin e tyre dhe të Partisë Socialiste pranë dyerve të kryeministrisë. Opsionet e socialistëve janë po kaq djallëzore sa të demokratëve, zgjedhjet lokale të majit, eliminimi i kundërshtarëve politike brenda Partisë Socialiste (të cilët presin një humbje të Ramës po kaq sa Berisha) dhe ajo që gjithandej etiketohet si mafia e ndërtimeve nën vellon e interesave korruptive pranë kryetarit të Bashkisë, janë gurë prove se socialistët para se të jenë rojtar të ndershëm të demokracisë, janë ana tjetër e medaljes së korrupsionit…

Dhe e fundit që është e para me këtë ndarje të qartë elektorale shumë të fortë, me këtë gjeografi votash që shpërndahet tek demokratët dhe socialistët, me këtë forcë që kanë pasur dhe kanë socialistët nëpër bashki, me mentalitetin fisnor dhe nepotik që i përshkruan dy partitë askush nuk mund të vë dorën në zjarr dhe të konstatoj se socialistët janë më të ndershëm në konceptin e manipulimit të votës nga demokratët, kujtojmë Dritan Priftin atë natë qershori që deklaroj se “desh e masakruan mandatin tim të deputetit komisionerët socialistë duke vjedhur, për këtë në ç’do kohë vota ime shkon për Sali Berishën…)!

Zgjedhje pa zgjidhje…

Tashmë spiralja e dhunës dhe rruga pa shtegdalje e Tiranës ia zë rrugën logjikshëm Prishtinës në demontimin e akuzave të përditshme për periudhën e luftës dhe të pasluftës. Shpeshherë e kam pyetur veten dhe kohën a munden shqiptarët të hyjnë në një koncept të zhvillimeve demokratike ku zgjedhjet nuk kontestohen nga asnjë palë. Është më se e qartë se duke u marrë me tema zgjedhore korrupsioni dhe të gjitha dukuritë tjera e kanë mbulesën perfekt për të lëshuar rrënjë në shtatin e plagosur të shqipes andej dhe këndej kufirit…Kur përmendet shqipja e plagosur nuk mungon edhe romantizmi i cili klasën politike sidomos të Tiranës e bën me krahë për beteja të tjera nga zgjedhjet në zgjedhje…Vërtet rrugë të çuditshëm si në titull romani “Engjëj dhe djaj apo Djaj dhe Engjëj’’… Fatkeqësisht, do ketë zgjedhje pa zgjidhje dhe këtë film, do ta shohim edhe një kohë të gjatë…