LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria tërheqëse për turistët, por ia kalojnë vendet pa det

Shqipëria tërheqëse për turistët, por ia kalojnë vendet pa det

Shqipëria rendit e 98-a nga 136 vende të marra në studim në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për sa i përket indeksit të konkurrueshmërisë së turizmit. Megjithëse me një vijë të gjatë bregdetare dhe potencial për të zhvilluar turizmin, Shqipëria arrin t’ia kalojë vetëm Bosnje Hercegovinës në rajon.

Sipas treguesve në raportin e Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria është më pak konkurruese krahasuar me rajonin për sa i përket çmimeve, transportit ajror dhe burimeve natyrore dhe kulturore. Në dy kategoritë e fundit janë marrë në vlerësim numri i atraksioneve natyrore dhe kulturore të njohura si trashëgimi botërore, numri i specieve të njohura, zonat e mbrojtura, numri stadiumeve dhe pallateve të sportit apo stadiumeve.


Sipas të dhënave në raport mbërritjet e turistëve ndërkombëtar në Shqipëri përllogariten rreth 3.7 milionë, ku mesatarisht një turist shpenzon rreth 395 dollarë.

Industria përbën 6% të PBB-së së vendit dhe në total janë të punësuar 51 mijë individë apo 5.5% të totalit të të punësuarve në vend.

I renditur i pari nga vendet e Ballkani Perëndimor, Mali i zi numëron 1.5 milionë turistë ndërkombëtar, të cilët shpenzojnë mesatarisht 578 dollarë për turist. Në vendin fqinj sektori i turizmit kontribuon në PBB-në e vendit me 11.3% dhe 10.3% e individëve janë të punësuar në turizëm. /Monitor/Telegrafi/