LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria me të drejta të autorit që shkel të drejtat e autorit

Shqipëria me të drejta të autorit që shkel të drejtat e autorit

Në zyrën e Forumit të Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit që drejton, Saimir Kumbar, është edhe kineasti Esat Musliu (zëvendësdrejtor). Të dy janë të zhytur në një pirg shkresash, saqë dikush mund të mendonte se janë duke xhiruar një film. Në fakt, historia që do të rrëfejnë do të ishte e denjë për një skenar, me një titull alla Milkani, “E pabesueshme, por e vërtetë”.

Ndryshimet e ligjit “Për të drejtat e autorit”, bërë në 2016-ën nën drejtimin e ish-ministres Mirela Kumbaro, shkojnë kundër autorit, ndërsa agjencitë që mbinë si kërpudhat pas këtij ligji, nuk kanë në fokus shpërblimin e krijuesit – edhe pse trumbetojnë të drejtat e tij.


Këtij Forumi, që siç Kumbaro tregon, deri në 2018-ën ka shpërblyer autorët sipas një sistemi të kënaqshëm, Sporteli Unik për Administrimin e së Drejtës së Autorit (SUADA, agjencia që shpërndan honorarët) i ka dhënë për këtë vit një shumë minimale prej afro 0.2 milionë lekësh, me të cilën nuk arrijnë të mbulojnë as mirëmbajtjen mujore të zyrës. Nga kjo shumë supozohet të shpërblehen edhe autorët, ku secilit prej tyre do t’u takonte një sasi qesharake, me të cilën e shumta mund të godisnin veten me një drekë, në një restorant të dorës së tretë.

“Do të na duhej që Anagnostin, Dhamon, Llarjen etj., t’i shpërblenim me afro 1000 lekë. Ç’mund të bëjnë këta njerëz që i dedikuan jetën kinemasë së para ’90-ës me këto pare?”, thotë i irrituar regjisori Kumbaro. Teksa autorët (regjisorë, skenaristë drejtorë fotografie/operatorë etj.,) mbeten me lugën bosh, SUADA ka shpërndarë për agjencitë e licencuara nga Ministria shuma të mëdha lekësh. Vetëm GRAMMA, një agjenci e krijuar për administrimin kolektiv dhe mbrojtjen e të drejtave të prodhuesve, ka marrë për këtë vit afro 9,4 milionë lekë (30 për qind të totalit të mbledhur të shpërblimeve), ndërkohë që sipas dy regjisorëve, roli i saj është “apendiks”, pasi çdo prodhues sot është në gjendje të mbrojë të drejtat e tij. Nga ana tjetër, edhe AKDIE (Agjencia e Administrimit Kolektiv e të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues) ka marrë këtë vit nga SUADA 10,4 milionë lekë, pra 52 herë më shumë se FMAA. Regjisorët shprehen të pakënaqur edhe nga mënyra sesi janë ndarë shpërblimet midis autorit edhe ekzekutuesit/interpretuesit, ku të drejtat e këtyre të fundit, edhe pse janë rrjedhëse, dalin si parësore. /Panorama/