LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria etnike ka nevojë për NATO-n dhe për Amerikën, jo për njësite guerile!

– Derisa Shqipëria e ka njohur Greqinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë (ndonëse, pa zgjidhjen e statusit kombëtar shqiptarëve 1878-2009), kjo de facto dhe de jure ka mbyllur “temën” e krijimit, të ekzistimit dhe të veprimit të çdo formacioni dhe strukture të guerilës ilegale shqiptare në hapësirat e Shqipërisë Etnike. Çdo sjellje dhe verim ndryshe, do të jetë i ndëshkuar dhe i izoluar nga Shqipëria dhe nga aleatët e saj: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja dhe BE-ja –
Me njohjen e pavarësisë së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, të gjithë shqiptarët e të gjitha hapësirave të Shqipërisë Etnike, duhet ta kenë të qartë se, zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, mund të bëhet vetëm me zhvillimin e politikës dhe të diplomacisë paqësore. Vetëm me rrugë paqësore dhe demokratike, jo me forcë legale e as ilegale, sepse kjo do të ishte në shpërputhje flagrante me rregullat dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare, me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (1998), si dhe me përmbajtjen e Platformës për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1998).

Të gjitha këto dokumente të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare parapëlqejnë dhe, njëherazi rekomandojnë që, si në kuptim të ngushtë (shqiptar), ashtu edhe në atë të gjerë(ndërkombëtar), çështja nacionale, të zgjidhet vetëm me rrugë dhe me mjete paqësore demokratike të ligjshme.


Sot, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë asnjë nevojë për njësite guerile me maska as pa maska, sepse koha e tyre ka perënduar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë e provojnë edhe politika e brendshme dhe e jashtme e Shqipërisë, e cila (edhe pse deri tani nuk është zgjidhur çështja kombëtare shqiptare në Ballkan) ka njohur Greqinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Kjo do të thotë se, de facto dhe de jure Shqipëria e ka mbyllur “temën” e krijimit, të ekzistimit dhe të veprimit të çdo formacioni dhe strukture të gueriles ilegale shqiptare në hapësirat e Shqipërisë Etnike.

Ndërkaq, në kuptimin ushtarak, kjo do të thotë, çdo aktivitet dhe çdo rezistencë eventuale, e ndonjë formacioni paramilitar gueril (qoftë me maska apo pa maska) në cilëndo pjesë të Shqipërisë Etnike, do të ndëshkohet ligjërisht jo vetëm nga regjimet e shteteve kolonizatore sllave, por edhe nga vetë Republika e Shqipërisë.

Në këtë pikëvështrim, shtrohet pyetja, kush janë ata shqiptarë, që mund t’ia kthejnë pushkën Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga statusi i pazgjidhur i çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan? – Pavarësisht nga status quo-ja e GJENDJES së shqiptarëve dhe të territoreve të kolonizuara në Ballkan, Republika e Shqipërisë është ajo, që duhet të lëvizë potezin e parë drejt shkolonizimit-zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, jo NJËSITET GUERILE me maska, as pa maska, sepse ato vetëm mund të ndërlikojnë dhe të përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen e përgjithshme të popullit shqiptar në Ballkan.

Nuk është koha e ilegalitetit të kurrfarë guerileje, por koha e konkurrencës së ashpër legale në të gjitha fushat e jetës. Pavarësisht nga qëllimi i lartë, ata që fshihen sot nën maska të ndryshme, ata janë të dyshuar edhe para popullit, edhe para politikës, edhe para ligjeve të brendshme, edhe para faktorëve ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë dhe në Shqipëri.

Nuk iu duhen shqiptarëve "ushtri-mbi ushtri", sepse atëherë "qeni të zojën nuk do ta njihte", Shqipëria dhe shqiptarët, do të shndërroheshin në një "Liban të dytë" në Ballkan. Shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk iu duhet "Libani", as libanizimi. Nuk iu duhet "Palestina" as palestinizimi, sepse këtë po e do dhe, me të gjitha mjetet po lufton Serbia dhe aleatët e saj, që t’i përflakin shqiptarët dhe Shqipërinë, me qëllim që t’i shndërrojnë në një "Palestinë" dhe në një "Liban" të dytë, për të dëshmuar para Evropës Perëndimore dhe para Amerikës se shqiptarët “janë terroristë myslimanë”, të “rrezikshëm” për Ballkanin dhe për Evropën e civilizuar demokratike Perëndimore.

Mirëpo, këtë strategji dhe këtë taktikë antishqiptare të Serbisë kolonialiste dhe imperialiste së bashku me aleatët e saj me në krye Rusinë, shqiptarët, patjetër, me të gjitha mjetet, duhet ta neutralizojnë (duke braktisur çdo iniciativë dhe çdo aktivitet ilegal paramilitar), sepse është kundër interesit të përgjithshëm të të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë, si dhe kundër interesave strategjike dhe ushtarake humanitare të Amerikës dhe të NATO-s në Ballkan.

Nëse shqiptarët do të rrezikohen nga ndonjë luftë apo nga ndonjë agresion invadues gjenocidal nga kolonizatorët e tyre, atëherë, ndër të parët, duhet të ketë REAGUAR ligjërisht, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion Republika e Shqipërisë së bashku me Aleancën e Atlantikut Verior (NATO) si anëtare e saj me të drejta të barabarta, jo kurrfarë NJËSITESH GUERILE ILEGALE, sepse, tanimë, pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, statusi i përgjithshëm i shqiptarëve (fizik, humanitar, ushtarak, mbrojtës, i sigurisë etj.) në Ballkan, nuk ndodhet më në “mëshirën” e armiqve të tyre shekullorë sllavo-biznatinë, por direkt dhe indirekt varet nga Republika e Shqpërisë, e NATO-s dhe e Amerikës.

Shqiptarëve dhe Shqipërisë iu duhet Amerika dhe NATO-ja. Nëse këtë gjë, të gjithë shqiptarët nuk e kuptojnë dhe, ende nuk e kanë të qartë sa,e si duhet, atëherë, ekziston rreziku që këtë shans historik dhe këtë kapital të madh të paçmueshëm për të sotmen dhe për ardhmërinë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, ndërkohë, mund ta përvetësojnë dhe ta kapitalizojnë për veten e tyre fqinjtë kolonialistë sllavë ballkanikë.

Shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për asnjë formë militarizimi, as të formave të ndryshme ilegale paramilitare, sepse kanë ushtrinë e vet dhe kanë NATO-n dhe Amerikën në mbrojtjen e interesave të tyre si në Ballkan, në Evropë, ashtu edhe në të gjitha institucionet dhe në organizatat e tjera të bashkësisë ndërkombëtare.

Jo, libanizimit të Shqipërisë Etnike!

Si rregull i praktikës së derisotme pragmatizmit të diplomacisë së përgjithshme dhe asaj ushtarake është se, “hedhja në të njëjtën kohë në luftë me dy ose me më shumë armiq, lufta është e humbur 100%”. Andaj, pse, kujt i duhet guerilja ilegale shqiptare sot?! – Për ta çuar në vdekje me sy në ballë?! –Jo, larg duart një katastrofë e këtillë gjithëkombëtare shqiptare! – Populli shqiptar, nuk ka djem dhe vajza – RINI-“MISH PËR TOP” për t’ua bërë qejfin të dështuarve si në luftë, ashtu edhe në politikë! – Nëse ka ardhur koha për luftë, atëherë, të gjithë shqiptarët, do të hidhemi në luftë të përbashkët kombëtare shqiptare, jo në grupe, as në njësitë guerile ilegale me “shamia” në kokë(!?) – Ishte koha e ilegales dhe e luftës, por atë nuk e shfrytëzuam në kohën dhe,në momentin oportun historik, sepse nuk kishim kohë duke bredhur poshtë e përpjetë si brenda, ashtu edhe jashtë atdheut. Ç’është e vërteta, ata që e deshën ilegalen dhe luftën, e dëshmuan vetën e tyre në të tri luftërat e UÇK-së, UÇPBM-së dhe të UÇK-së. – Tash, “ka kaluar treni”, nuk ka më luftë as ilegalitet, por “PUNË, PUNË, NATË E DITË QË TË SHOHIM PAKËZ DRITË”, – shkruante Naim Frashëri. Tash është kohë paqeje, nuk është kohë lufte! Prandaj,duhet të jetojmë me paqen dhe për paqen, jo me luftën as për luftën.

Shqiptarët as Shqipëria në Ballkan nuk kanë asnjë nevojë, që të lakmojnë në importimin e libanizimit dhe të palestinizimit të Shqipërisë, sepse ai do të ishte edhe fundi i perspektivës së tyre politike dhe kombëtare në Ballkan, dhe më gjerë. Kështu, do ta përjashtonin vetveten nga sfera e interesit evroperëndimor të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sa më sipër, me t’u anëtarësuar Shqipëria në Paktin NATO, çdo tendencë dhe çdo përpjekje për të formuar njësite guerile ilegale në hapësirat e Shqipërisë Etnike, është me rrezik dhe me pasoja të mëdha, sepse në të njëjtën kohë do të konfrontohen me Shqipërinë, me NATO-n, me Amerikën, me BE-në, si dhe me shtetet armike kolonizatore sllave.

Pra, të gjithë ata liderë politikë shqiptarë, që ia duan të mirën shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, duhet të braktisin strategjinë dhe taktikën e doktrinës së tyre militariste dhe paramilitariste, sepse ajo është në dëm të shumfishtë të interesit të përgjithshëm kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Të gjithë ne, duhet të jemi vigjilentë, largpamës, realistë, pragmatikë, që të mos “bëjmë hop, pa e kërcye përroin” sepse fare nuk është çështje e thjeshtë dhe aq e lehtë, të formohen njësite guerile ilegale, kur ato, tani, janë jashtë kohe dhe,jashtë realiteti në Ballkan. Këtë, para së gjithash, e provon raporti i forcave dhe i faktorëve realë politikë dhe ushtarakë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të pranishëm në të gjitha hapësirat e Shqipërisë Etnike.

Amerika i ndihmon shqiptarët në Ballkan, jo për shkak të interesit të “naftës”, as të “arit”, por për shkak se interesat e saj janë të lidhura ngushtë me stabilitetin, me sigurinë dhe me paqen e Evropës si faktor kryesor i ruajtjes së ekuilibrit të forcave dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare në dimensione të përbotshme.

Së fundi, të gjithë ata liderë politikë, që i mbajnë parasysh rrethanat dhe realitetet e krijuara në Ballkan, duhet të heqin dorë nga konceptet e tyre militariste dhe paramilitariste, sepse këto nuk përkojnë me rrjedha dhe me proceset e transicionit integrues dhe demokratik të Ballkanit e as të Evropës Perëndimore.

Ndryshe, ata liderë, të cilët nuk duan ta shohin këtë realitet, mbi ta do të bjerë përgjegjësia e madhe si në planin njerëzor, humanitar, politik, ushtarak, ashtu edhe në atë ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar.