LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria e Kosova ‘bllokojnë’ njëra-tjetrën ekonomikisht

Shqipëria e Kosova ‘bllokojnë’ njëra-tjetrën ekonomikisht

Shpesh shkëmbimet tregtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë janë kritikuar për vëllimin e tyre.

Barrierat e vazhdueshme kufitare mes të dyja vendeve shqiptare kanë penguar rritjen e shkëmbimeve tregtare si dhe kanë penguar zhvillimin e bizneseve të të dyja vendeve por me theks të veçantë të bizneseve nga Kosova.


Edhe numri bizneseve, të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është i barabartë, mase edhe kjo tregon për nivelin e ulët të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.

Bizneset nga Shqipëria të regjistruara në Kosovë, prej vitit 2016 e deri më tani janë 342, ndërsa bizneset nga Kosova që veprojnë në Shqipëri janë vetëm 206, sipas të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Biznesit në Kosovë (ARBK), dhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit në Shqipëri (QKB).

Sipas të dhënave të ARBK-së, numri bizneseve nga Shqipëria që veprojnë në Kosovë, për dy muajt e parë të vitit 2018 janë regjistruar 40 biznese.

“Janë 136 biznese nga Shqipëria që janë regjistruar gjatë vitit 2016, ndërsa gjatë vitit 2017 numri i tyre arriti në 166. Vetëm gjatë vitit 2018, përkatësisht deri në fund të muajit shkurt janë regjistruar 40 biznese, pra në total numri i bizneseve nga Shqipëria të regjistruara në Kosovë është 342 biznese nga viti 2016”, thuhet në përgjigjen e ARBK-së për Telegrafi.

Por numri i bizneseve nga Kosova të cilat veprojnë në Shqipëri është dukshëm më i ulët. Ky numër sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), kalon mbi 200 biznese.

“Vetëm në vitin 2018 janë regjistruar 19 biznese nga Kosova që veprojnë në Shqipëri. Në vitin 2017, pranë QKB-së janë regjistruar 104 biznese, kurse një vit më herët ky numër ishte 83. Pra, që nga viti 2016 e deri në fund të muajit shkurt 2018, janë aktive 206 biznese që veprojnë brenda Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e QKB-së për Telegrafin.

Veprimtaria dominuese e biznesit nga Kosova të cilat veprojnë në Shqipëri është tregtia dhe turizmi.

Sa i përket kushteve e të bërit biznes, ndërmarrësit dhe prodhuesit nga Kosova ankohen për mos mbrojtje nga shteti shqiptar. Ambienti i të bërit biznes për ta vështirësohet kur hasin në probleme të ndryshme. Mungesa e sigurisë së shërbimeve bazë është edhe arsyeja pse shumë prej tyre hezitojnë që të shtrijnë aktivitetin e tyre afarist në tregun e Shqipërisë.

Drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Ismet Mulaj, ka thënë për Telegrafi se numri i bizneseve që janë të regjistruara është shumë i vogël dhe kjo shifër nuk e arsyeton dëshirën e madhe që e kanë këto dy vende për të bashkëpunuar.

“Numri i bizneseve që janë të regjistruara ndërmjet veti është shumë i vogël. Nuk e arsyeton dëshirën e madhe që e ka Kosova dhe Shqipëria për të bashkëpunuar në fushën e biznesit, andaj është bërë më shumë politikë se sa realisht janë krijuar ura komunikimi ndërmjet të dyja anëve. Edhe ndërtimi i Autostradës nuk është që ka dhënë ndonjë efekt të jashtëzakonshëm të ekonomive të të dyja vendeve”, tha Mulaj për Telegrafi.

Sipas tij, edhe me shkëmbimin tregtar është bërë politikë.

“Ka më tepër diskutim dhe marketing politik në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Duhet të bëhet eliminimi i barrierave të dyfishta nga të dyja anët në mënyrë që do ta lehtësonte komunikimin më të madh të biznesit. Ka ende hapësirë dhe dëshirë, por realisht më shumë ka politikë”, tha për Telegrafi, drejtori i OAK-ut, Ismet Mulaj.

Kosovë-Shqipëri, shumë politikë por pak ekonomi
Lexo po ashtu Kosovë-Shqipëri, shumë politikë por pak ekonomi

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, për Telegrafi tha se shteti shqiptar vazhdon të krijojë barriera të produkteve që janë nga Kosova.

Ai tregon se barrierat janë të ndryshme nga shteti shqiptar.

“Ka potencial nga biznesi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë që të veprojnë në treg, por shteti shqiptar vazhdon të krijojë barriera të produkteve që janë nga Kosova”, tha Panxha.

Ai paralajmëron protesta me bllokim të pikës doganore me Shqipërinë nëse Qeveria e Shqipërisë deri më 31 mars, nuk i plotëson kushtet e bizneseve nga Kosova.

“Po punojmë na atë drejtim që ta balancojmë tregtinë ndërmjet dyja vendeve. Ne si përfaqësues të bizneseve i kemi dërguar Qeverisë së Shqipërisë disa pika që duhet plotësuar, por nëse këto pika nuk plotësohen deri me 31 mars të këtij viti, atëherë do të dalim në protesta duke i bllokuar pikat doganore me Shqipërinë”, tha Panxha për Telegrafi.

Nga aspekti i këmbimit tregtar Kosova në këtë faze të zhvillimit kryesisht ka relevancë importuese duke pasur parasysh nivelin e ulet të mbulimit të importit me eksport.

Sipas të dhënave në dispozicion për tregtinë e jashtme, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2017 Shqipëria eksporton në Kosovë mallra në vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa Kosova eksporton në Shqipëri rreth 35 milionë euro. Nga këto të dhëna shihet qartazi se produktet e Shqipërisë janë duke depërtuar shumë më lehtë në tregun e Kosovës sesa produktet e Kosovës në tregun shqiptar. /Telegrafi/