Shqipëria do që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe stabil

Lauka tha se Shqipëria dëshiron që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe stabil, në të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetit në rajon në përgjithësi. Ai vlerësoi si një të arritur shumë të madhe krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të cilat i presin një varg sfidash në të ardhmen.
Ndërsa presidenti Pacolli theksoi në takim se qëllimi i përbashkët është që “të jemi sa më unikë në bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt shtëpisë së madhe evropiane”. Ai gjithashtu shprehu falënderimet e tij për Shqipërinë, për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Presidenti Pacolli dhe ambasadori Lauka diskutuan edhe përpjekjet e përbashkëta për sigurimin e një numri sa më të madh të njohjeve të shtetit të Kosovës, për shkëmbimin e vizitave bilaterale në nivel më të lartë, krijimin e lehtësive dhe shtimin e intensitetit në bashkëpunimin ekonomik dhe një varg çështjesh me interes për të dy vendet. /Telegrafi/









































