LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria dhe derrat e saj!?

Shqipëria dhe derrat e saj!?

Sigurisht, në luftën kundër koronavirusit, një punë fort të lavdërueshme, madje deri në vetëmohim, kanë kryer shumë mjekë e infermierë në spitalet anti-Covid të mbarë vendit. Gjithsesi, duke reaguar lidhur me pakënaqësitë e jo pak familjarëve lidhur me trajtimin e pamëshirshëm dhe gati vrastar që u kanë bërë të afërmve të tyre disa punonjës në spitalet anti-Covid të kryeqytetit, kryeministri shqiptar i njohur me emrin Edi Rama përmendi proverbin e famshëm “Nuk ka pyll pa derra”. Sipas gjykimit tim, ai duhet ta dijë fort mirë se ky proverb ka dalë nga realiteti objektiv dhe se, meqë në pyll nuk ka derra të butë, nënkuptohet se në këtë proverb bëhet fjalë, pa më të voglin dyshim, për derra të egër! Këta lloj derrash janë fort të rrezikshëm, sepse po të mos i vrasë gjahtari që në të shtënën e parë, ata mund t’i vërsulen atij dhe t’ia hapin barkun me çatajtë e tyre! Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, mendimi im është që kjo dukuri tronditëse nuk mund të kapërcehet thjesht e kalimthi me një proverb të tillë, që, nga mënyra si doli prej gojës së kryeministrit shqiptar të njohur me emrin Edi Rama, dëshmon, nga ana e këtij të fundit, për një mungesë të plotë empatie, term ky psikologjie dhe filozofie, i cili shenjon aftësinë për t’u identifikuar me dikë e për të përjetuar atë çka ai përjeton.

Sidoqoftë, le të kthehemi te proverbi “Nuk ka pyll pa derra”. Logjikisht, pra po të arsyetojmë me mendje të qetë, i bie që Shqipëria jonë e shkalafitur nga tërmetet, nga pandemia e nga përmbytjet e ditëve të fundit, e shkalafitur gjithashtu nga keqqeverisja, arbitrariteti e cinizmi i pushtetarëve, korrupsioni, papunësia, mërgimi i të rinjve dhe i kuadrove me përvojë (125 mjekë specialistë brenda një viti), nga shtrenjtësimi i jetës (43 për qind e popullsisë jeton me më pak se 5,5 $ në ditë) etj., etj., i bie, pra, që Shqipëria jonë e pashpresë të jetë një pyll, madje një xhungël, ku një grusht derrash të egër, më saktë një lukuni luanësh, tigrash, panterash, pumash, çakejsh, pitonësh e kafshësh të tjera grabitqare, po ua bëjnë jetën të pamundur shumicës së shqiptarëve, të cilët nuk po shohin asnjë rreze drite në fund të tunelit ku i kanë futur “rilindësit” mavi të udhëhequr prej kryeministrit shqiptar të njohur me emrin Edi Rama, i cili po superqeveris duke zbatuar pikë për pikë dy batuta të dala nga goja e Luigjit XIV, mbretit të Francës në shekullin XVII: “L’Etat, c’est moi” (Shteti jam unë!) dhe “Après moi, le déluge!” (Pas meje, u bëftë kiameti!).


Nga ana tjetër, meqë kryeministri shqiptar i njohur me emrin Edi Rama jeton në Shqipërinë e kthyer në pyll, më saktë në xhungël, duke qeverisur luanisht, tigërisht, panterisht, pumisht, çakallisht, pitonisht etj., etj., i bie që të ketë në kabinetin e tij qeveritar (me “t”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër në vend të saj), të paktën disa derra të egër, prej të cilëve njëri apo tjetri me pretendime luani, tigri, pantere, pume, çakalli apo pitoni! Ah, u kërkoj ndjesë lexueseve dhe lexuesve të kësaj rubrike të përjavshme, por, ç’është e vërteta, askush, në qeverinë e tij, nuk mund të ketë pretendime luani, sepse pjesën e luanit ka të drejtë ta marrë vetëm kreu apo i pari i pyllit, më saktë i xhunglës shqiptare!

Së fundi, kryeministri shqiptar i njohur me emrin Edi Rama ka dhënë prova se, qysh në rininë e tij të hershme, e ka respektuar dhe admiruar figurën e femrës shqiptare për cilësitë e virtytet e saj, çka e konfirmon më së miri edhe zbatimi, me përpikërinë më të madhe, i barazisë gjinore në gjirin e vakët të ekipit të tij qeveritar. Me një 100 për qind siguri, ky qëndrim i drejtë, i bazuar në respektin e në admirimin kryeministror për figurën e femrës shqiptare, nuk ia lejoi atij që barazinë gjinore ta zbatonte në proverbin e lartpërmendur, ndërkohë që një sanitare, pra një femër shqiptare, i paska zhvatur të afërmve të një pacienteje me kovid-19 një sasi të madhe parash gjoja për t’u kujdesur për atë që ta shpëtonte nga vdekja. Pra, kryeministri shqiptar i njohur me emrin Edi Rama, që batutën e ka pjesë përbërëse të madhështisë së tij oratorike, ia ndaloi vetes të thoshte: “Nuk ka pyll pa derra e pa dosa”. Ah, në këtë pikë, ndokush mund të më pyesë: “Po me gicat, ç’bëhet, ku mund të jenë?”. Oh, ndoshta kanë qenë para disa kohësh në tryezën ku kryeministri shqiptar i njohur me emrin Edi Rama është parë e filmuar tek darkonte me Lefter Kokën e me Damian Gjjiknurin, në çastin kur e ftonte ëmbëlsisht Nasip Naçon t’i bashkohej atij dhe dy bashkëdarkuesve në fjalë.