Shqipe Selimi uron Rexhep Selimin për ditëlindje: Kemi shumë mall dhe krenari për ty
Shqipe Mehmeti Selimi, gruaja e Rexhep Selimit, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë nga Gjykata Speciale, ka uruar të shoqin për ditëlindje përmes rrjeteve sociale.
“Gëzuar ditëlindjen, Rexhe! Kemi shumë mall dhe krenari për ty,” shkruan ajo, duke shprehur ndjenja ngrohtësie dhe mbështetje për bashkëshortin e saj në këtë periudhë të vështirë.
Mesazhi i saj vjen në një moment kur interesimi i publikut për zhvillimet rreth gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së mbetet i lartë.
Ish-drejtuesit e UÇK-së janë arrestuar më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Dhomat e Specializuara procesin gjyqësor ndaj tyre e kanë nisur me dy vjet e gjysmë vonesë, përkatësisht në prillin e vitit 2023.
ZPS-ja akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, për ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Telegrafi/



























