Kriptovalutat janë kthyer në mjetin e preferuar të grupeve kriminale shqiptare për të fshehur gjurmët e aktiviteteve të paligjshme, që nga trafiku i kokainës, pastrimi i parave, e deri te kontrabanda me emigrantë të paligjshëm drejt Francës dhe Britanisë së Madhe.

Këto janë disa nga gjetjet shqetësuese të Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri të publikuara në raportin vjetor.


“Një ndër tendencat e theksuara të pastrimit të parave është përdorimi gjithnjë e më i madh i pagesave nëpërmjet kriptovalutave për blerjen e sasive të konsiderueshme të kokainës”, thuhet në raport.

Sipas ekspertit të tregut të monedhave virtuale, Shahin Dokuzi, kjo mënyrë pagesash është tejet e thjeshtë për t’u realizuar dhe vështirë për t’u gjurmuar.

“Gjithçka bëhet nga telefoni. Dërgon monedhën virtuale në një adresë dhe askush nuk të kontrollon”, u shpreh ai.

Kriminelët po braktisin pagesat në para të gatshme – lekë, euro apo dollarë – për të kaluar në kriptovaluta, kryesisht Bitcoin.

Kjo për shkak të mungesës së filtrave të kontrollit dhe legjislacionit të përshtatur për të ndaluar këto transaksione.

Eksperti i IT-së, Besmir Semanaj thotë në A2CNN se “Mungesa e një baze të fortë ligjore dhe dobësia e institucioneve e favorizojnë përhapjen e këtij fenomeni”.

Pavarësisht vështirësive në hetim, autoritetet ligjzbatuese kanë arritur të zbulojnë disa raste të përdorimit të kriptovalutave në aktivitete kriminale.

Deri më tani janë sekuestruar pasuri të paluajtshme, para cash, kuota në biznese si dhe portofole kriptovalutash, me një vlerë totale prej rreth 65.5 milionë eurosh.

Një ndër goditjet më të mëdha u realizua në janar, kur Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi sekuestrimin e dhjetëra milionë eurove pasuri të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, përfshirë edhe 10 milionë dollarë të investuar në kriptovaluta.