LAJMI I FUNDIT:

Shoqëria civile: Pa vetting në drejtësi, s’mund të ketë dekriminalizim të institucioneve

Shoqëria civile: Pa vetting në drejtësi, s’mund të ketë dekriminalizim të institucioneve

Partitë që ishin në pushtet, nuk po shihen si subjekte që mund ta luftojnë krimin dhe korrupsionin. Kështu thonë njohës të zhvillimeve politike dhe juridike, teksa kërkojnë nga to, që të kenë prioritet vetting-un në sistemin e drejtësisë.

Cilado parti që vjen në pushtet pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, fokusin kryesor gjatë qeverisjes së tyre duhet ta kenë “vetting-un” në sistemin e drejtësisë.


Sipas Anton Nrecajt, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, kjo është mënyra e vetme e dekriminalizimit të institucioneve në vendin tonë.

“Mënyra e vetme për dekriminalizimin e institucioneve është dekriminalizimi i sistemit të drejtësisë. Kjo mund të bëhet përmes një vetting-u të thellë përfshirë gjykatat, prokurorinë dhe policinë. Vettingu mund të bëhet me ndihmën e shteteve të fuqishme si Britania e Madhe, Amerika apo Gjermania. Pa përkrahjen e këtyre vendeve nuk mund të ketë vetting të mirëfilltë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Anton Nrecaj.

Për profesorin Universitar, Mazllum Baraliun, subjektet politike që kanë qenë në pushtet për vite me radhë, nuk munden me qenë luftëtar të denjë të dukurive negative nëpër institucione qeverisëse, përcjell Telegrafi.

“Dikush që ka sjellë deri në këtë gjendje flagrante dhe pothuajse të pariparueshme për një kohë të gjatë Kosovën në këtë gjendje të kriminalizimit të shoqërisë, korrupsionit, nepotizmit, papërgjegjshmërisë institucionale, nuk mund të jenë luftëtarë të denjë dhe të suksesshëm të gjithë asaj që kanë krijuar me vite e dekada dhe që me vetëdije të plotë kanë vazhduar avazin deri më tani”, tha  Mazllum Baraliu.

Në listën për deputetë, për zgjedhjet e 6 tetorit, partitë kishin premtuar se nuk do të kandidonin persona që kanë problem me ligjin. /RTV Dukagjini/Telegrafi/