LAJMI I FUNDIT:

Shoqata e Prokurorëve për rastin Lumezi: Po mundohen të na frikësojnë

Shoqata e Prokurorëve për rastin Lumezi: Po mundohen të na frikësojnë

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar me rastin e vjedhjes që para disa ditësh ka ndodhur në shtëpinë e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Prokurorët e shtetit të Kosovës vlerësojnë se trendi i presioneve dhe sulmeve ndaj punës së Prokurorit të Shtetit, e sidomos rasti i fundit kur cenohet prona private dhe siguria e kreut të sistemit prokurorial të Kosovës, dhe e familjes së tij, është tërësisht e papranueshme, e rrezikshme dhe tendencioze me synim që të krijojnë pasiguri jo vetëm për prokurorët, por edhe për tërë sistemin juridik të Kosovës.


Siç thuhet në reagim, opinioni është dëshmitar i presioneve të vazhdueshme të formave të ndryshme të filluara muajt e fundit nga grupet e ndryshme të interesit të cilët synim të vetëm e kanë pengimin e hetimit dhe ndëshkimit të krimit të organizuar, në atë mënyrë që përmes mesazheve të këtilla – si ky i rastit të fundit, i hyrjes së dhunshme në shtëpinë e Kryeprokurorit të Kosovës, të sjellin pasiguri dhe frikë të përgjithshme, deri në rrezikim të sigurisë nacionale.

“Shoqata e prokurorëve të Kosovës është e indinjuar edhe për faktin se asnjë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk është prononcuar në mbrojtje të institucionit të Prokurorit të Shtetit, gjë që tregon mos gatishmëri dhe mungesë të vullnetit politik për të mbështetur punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit në luftën e përditshme kundër krimit në Kosovë”, thuhet në reagim.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës i bën me dije opinionit publik se asnjë presion, e as ky i fundit, nuk do ta ndalë punën e prokurorëve për ta luftuar krimin dhe grupet që e mbështesin atë, përkundrazi rasti i fundit do të na mobilizojë edhe më shumë në misionin tonë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/